Mbyllet edicioni i 14-të i “Etno Fest”/ Rama dhe Halimi falënderojnë organizatorët dhe artistët

Me shfaqjen “Të Bardhët” të Steven Leigh Moris, në regji të Besim Ugzmajli e me performancat e shkëlqyeshme të Edona Reshitaj e qendrës kulturore “Kaçaniku”, është përmbyllur edicioni i 14-të i “Etno Fest”-it.

Të pranishëm ishin shumë qytetarë nga Prishtina dhe e gjithë Kosova.

Festivali “Etno Fest” zgjati për nëntë net me radhë, duke dhuruar emocion dhe energji të mirë përmes shfaqjeve teatrale, ekspozitave dhe muzikës.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, përmes postimeve në Facebook, kanë falënderuar të gjithë ata që morën pjesë në këtë organizim.

“I lumtur që kryeqyteti ka mbështetur ‘Etno Fest’-in, një festival që për nëntë net me radhë na dha emocion e energji të mirë përmes shfaqjeve teatrale, ekspozitave dhe muzikës. Andaj falënderoj organizatorët në krye me Fadil Hysajn dhe artistët që pasuruan mbrëmjet e kryeqytetit me kulturë të nivelit të lartë”, shkroi Rama.

Nga ana tjetër Sibel Halimi tha se: “Mbrëmë përmbyllëm me sukses edicionin e 14-të të Etno Fest, një ngjarje që tashmë është bërë pjesë e pandashme e kalendarit tonë kulturor”.

“Për nëntë ditë e net, artadashësit patën një mundësi të jashtëzakonshme të përfshihen, shfaqin e shijojnë vlera, që nga ato popullore, tradicionale dhe bashkëkohore.

Një falënderim i veçantë për Fadil Hysaj dhe Sheqerie Buqaj, të cilët me përkushtim dhe dashuri e bënë të mundur që Etno Fest të jetë një event i bukur e i paharrueshëm, për të gjithë ne”, shtoi Sibel Halimi.

ObserverKult


Lexo edhe:

“ETNO FEST”, FESTIVALI QË PROMOVON TRASHËGIMINË ETNOGRAFIKE E KULTURORE