Edicioni i 10-të i Festivalit të Filmit Ballkanik dhe Kulinarisë në Pogradec uli siparin mbrëmjen e së enjtes. Në një ceremoni speciale dedikuar këtij Festivali, juria nderoi me çmimin “Mirënjohja e Qytetit” gazetarin dhe dokumentaristin Fatos Baxhaku, me motivacionin “Për kontributin e tij në zhvillimin kulturor, artistik dhe promovimin e Pogradecit”.
Çmimi iu dorëzua vëllait të Fatos Baxhakut, nga kryetari i bashkisë së Pogradecit Ilir Xhakolli. Në netët e Festivalit morën pjesë 40 filma me metrazh të gjatë dhe të shkurtër dhe juria nderoi me çmimin filmi më i mirë “Posta e zemrës” nga dy regjisorët turq: Elif Polat dhe Cigdem Bozali. Çmimi për regjinë më të mirë për filmin shkurtër, shkoi për Ergys Meta nga Shqipëria “Njeriu i mirë”. Për autorët ky festival është një pikëtakim kulturor i rëndësishëm, ku secili prej tyre sjell një këndvështrim të tij.
Mbi 40 filma me metrazh të shkurtër dhe jo vetëm, nga Greqia, Mali i Zi, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova u shfaqën për publikun për pesë ditë me radhë.
Ky festival është një hap më tej për kinematografinë që e shndërruan qytetin bregliqenor për një javë, nga data 13-17 shtator, në kryeqendrën e kinematografisë ballkanike.
Eventi, i cili tashmë është kthyer në traditë, këtë vit u zhvillua në masat e respektimit të protokolleve të sigurisë ndaj COVID-19.
Festivali u bë më interesant nga kulinaria ballkanike. Të gjitha vendet pjesëmarrëse u përfaqësuan në këtë festival edhe përmes specialitetit të tyre në artin e kuzhinës.