
Zëri i Amerikës, që prej 82 vitesh flet edhe shqip, po mbyllet pas urdhrit ekzekutiv të presidentit amerikan, Donald Trump, për shkurtime masive në shtatë agjenci lajmesh.
Që nga kjo e shtunë, Ditari i Zërit të Amerikës, që transmetohej në orën 18:00 (më orën tonë) nuk është transmetuar dhe nuk do të transmetohet më për publikun shqiptar.
Ish-drejtori për Euroazinë në Zërin e Amerikës, gazetari shqiptaro-amerikan Elez Biberaj, përmes një postimin në rrjetin social “Facebook”, konfirmon mbylljen e agjencisë dhe këtë e konsideron një kapitull thellësisht të trishtuar në historinë e angazhimit të Amerikës me botën.
“Zëri i Amerikës, një fener shprese dhe të vërtetë për qindra miliona anembanë globit, u hesht sot në emër të reduktimit të burokracisë federale. Për më shumë se tetë dekada, Zëri i Amerikës ka qenë një forcë jetike në promovimin e idealeve demokratike të Amerikës, duke paraqitur me besnikëri politikat e SHBA-së, duke avancuar interesat kombëtare dhe duke shërbyer si një burim i besueshëm lajmesh të besueshme për miliona në rajone të privuara nga informacioni. Vendimi për të çmontuar një nga pasuritë më të mëdha kombëtare të Amerikës do të shkaktojë dëm të thellë në imazhin e SHBA-së, interesat e saj globale dhe promovimin e vlerave demokratike – dëm që asnjë kundërshtar nuk mund ta arrijë kurrë. Sot shënon një kapitull thellësisht të trishtuar në historinë e angazhimit të Amerikës me botën“, shkruan Biberaj.
ObserverKult