Nga Michael McClellan*
Trashëgimia artistike e Kosovës është shumë e vjetër dhe shumë e pasur, sidomos në fushën e arteve vizuele. Tradita artistike e pikturës dhe skulpturës është shumë e njohur në Kosovë dhe ajo, së bashku me traditat artistke vizuele më gjerë në botë, paraqesin një pasuri frymëzimesh për ata artistë, që merren me mediumin e fotografisë.
Kam nderin ta kem njohur Fahredin Spahinë për gati tre vjet. Fahredini është pa dyshim njëri nga artistët më të njohur të fotografisë në Kosovë, por ai renditet në mesin e artistëve më të mirë të këtij lëmi në përmasa botërore. Vepra e tij është e pasur, duke përfshirë një gamë të gjerë zhanresh në fotografi: portrete, peizazhe, përpunime digjitale, abtraksione, fotografi rrugësh, etj.
Por, siç dëshmon edhe ky korpus veprash në këtë ekspozitë, vepra e tij është gjithmonë tranzicionale, duke u rritur e zhvilluar në mënyrë konstante, duke u zgjeruar me tema të reja, e vetëdijshme për të gjitha sfidat vizuele dhe mundësitë që i ofron bota.
Vepra e Fahredinit përdor metodat tradicionale të fotografisë vetëm si pikënisje. Përmes një përdorimi subtil ngjyrës, që respekton tonet natyrore të dheut, derisa sfidon nocionet tona të “korrektësisë”, Fahredini përkufizon paletën me të cilën duhet të merremi, që të mund të fokusohemi në përmbajtjen e imazhit. Ajo përmbajtje është, pa përjashtim, qartësisht e veçuar, e kornizuar në elementet e mileut të vet dhe e organizuar për shikuesin në atë mënyrë që ai ose ajo të mund ta bartin në mendje një kohë të gjatë pasi që imazhi të jetë zhdukur nga pamja. Këto janë elementet kyç të artit të tij dhe ato mundësojnë vizionin e tij unik të të komunikuarit përmes kulturës, pa barriera gjuhësore, në një mënyrë të kuptueshme nga të gjithë, pa marrë parasysh arsimimin, pozitën shoqërore, apo statusin ekonomik. Arti i tij është aty, i vërtetë për të gjithë.
Nga niveli teknik, Fahredini punon me objektiv normal deri te teleobjektivi, dhe rrallë ose fare përdor pamje më të gjerë. Vizioni i tij është ai i veçimit, duke nxjerrë një çikë rendi nga kaosi dhe duke e prezentuar ate në mënyrë të paharrueshme. Në këtë sens, njerëzit shpesh trajtohen si objekte, si pjesëza të vogla të një skene me të gjerë duke e fokusuar vëmendjen e shikuesit në një detaj me peshë.
Eksperimentet e fundit të Fahredinit janë posaçërisht intriguese për mundësitë që ofrojnë. Portretet e tij të shumëfishta, siç thotë ai, paraqesin “shumë çaste në një vend”. Kjo, mbi të gjitha, është mënyra se si ndertojmë kujtesën – shumë kujtime individuale që përmblidhen në një rrëfim të përgjithshëm. Portretet e reja të Fahredinit i mundësojnë atij që “të ndërtojnë kujtesën” dhe jo vetëm që të “shënojnë një çast”. Kjo është e veçantë për shkak të mundësive vizuele dhe potencialit që ofron për komunikim.
Kjo ekspozitë na bart përmes shtjellimit të kësaj idejeje nga Fahredini. Duke ia nisur me portrete, duke kaluar pastaj tek abstraksionet dhe peizazhet dhe duke vazhduar më tej me portretet abstrakte, ne shohim se si nis ai interesimin e tij nga njerëzit, e shtjellon atë me përvojën e vet të peizazhit dhe të skenave urbane për të sajuar një lloj të ri të portretit – dhe pastaj, në fund na befason duke e kthyer prapë të njejtën qasje në natyre. Kjo është shenja e artistit të vërtetë, rritja e tij kurrë nuk ka mbarim dhe bota e tij kurrë nuk pushon së frymëzuari.
E tëra është këtu për ju që të kënaqeni; e tëra është këtu që t’iu sfidojë. Është juaja që ta merrni.
*Michael McClellan, është profesor i historisë së fotografisë, fotograf dhe diplomat amerikan, ndërsa teksti me titull origjinal “Portreti, abstraktja dhe portreti abstrakt”, i kushtohet ekspozitës “Koha e Muzës”, të hapur në Prishtinë e Tiranë në vitin 2003.