reklamë

Më 25 e 26 nëntor mbahet konferenca shkencore “Rexhep Qosja- figurë shumëplanëshe e kulturës shqiptare”

Rexhep Qosja

Më 25 nëntor 2026, e mërkurë, ora 10:00, do t’i fillojë punimet konferenca shkencore “Rexhep Qosja- figurë shumëplanëshe e kulturës shqiptare”, që do të organizohet nga Instituti Albanologjik-Prishtinë në shenjë të 90-vjetorit të lindjes së akademikut tonë të madh, doajenit të mendimit tonë kulturor e akademik, si dhe të paepurit të veprimit shoqëror dhe intelektual, Rexhep Qosjes. Kjo u bë e ditur nëpërmjet një njoftimi nga Instituti Albanologjik.

“Organizimi i një konference shkencore në nderim të punës së tij krijuese dhe intelektuale është më e pakta që mund të bëjmë për profesorin tashmë të ndjerë, me emrin e të cilit nderohet dhe krenohet Instituti Albanologjik, meqë ishte një nga punonjësit e tij shumëvjeçar shkencor”, thuhet në njoftimin e Instituti Albanologjik.

Kjo konferencë dyditore (25 dhe 26 nëntor 2026) do të mbahet në ambientet e Institutit Albanologjik dhe për veprën kulmore të profesor Qosjes do të flasin studiues e emra të njohur të kulturës dhe mendimit shqip.

“Seanca hapëse do të fillojë me një fjalë mirëseardhëse të Prof. Dr. Fadil Grajçevcit, u.d. drejtor i Institutit Albanologjik-Prishtinë, ndërsa me fjalë përshëndetëse do të na nderojnë krerë të rëndësishëm të institucioneve shtetërore dhe akademike shqiptare. Pas fjalëve hapëse dhe përshëndetëse, do të bëhet një vizitë e organizuar në zyrën ku ka punuar profesor Rexhep Qosja në Institutin Albanologjik, që me propozim të u.d. drejtorit të tashëm të IAP-it, z. Fadil Grajçevci, dhe vendim të Këshillit Drejtues-IAP është shpallur zyre muze”, thuhet tutje në njoftim.

Për vlerat e krijimtarisë dhe veprimtarisë së Rexhep Qosjes do të flasin albanologë të njohur, profesorë të spikatur, njohës të veprimit intelektual të profesorit dhe studiues të rinj e të talentuar.

Me këtë rast me kumtimet e tyre para të pranishmëve do të paraqiten emrat, si Shefkije Islamaj, Agim Vinca, Kudusi Lama, Paskal Milo, Pëllumb Xhufi, Fatmir Toçi, Valter Memisha, Isak Shema, Shpresa Ismajli, Hysen Matoshi, Sali Bashota, Qerim Lita, Ag Apolloni, Arben Hoxha, Virion Graçi, Sadik Mehmeti, Nuridin Ahmeti, Fadil Grajçevci, Adem Zejnullahu, Begzad Baliu, Adil Olluri, Nail Draga, Abdurrahim Maxhuni, Shpend Avdiu, Faton Krasniqi, Zejnepe Alili Rexhepi, Rovena Vata Mikeli, Zekirja Shabani, Besim Qeriqi, Manjola Brahaj Halili, Emine Shabani, Albin Mehmeti, Marjan Lulgjuraj, Davida Marku, Edlira Gugu, Majlinda Bushaj, Migena Arllati, Sami Hajra, Bujar Meholli, Besnik Jaha, Fatmir Sinani, Laura Ferizi Haradinaj, Eronita Kqiku, Alba Gega, Fatbardhë Hasi, Gentiana Kuqi, Leonita Rexhaj, Milaim Delija, Mirjetë Sadiku, Granit Sadiku, Eduart Bardhi, Blinera Hajdari, Antigona Zeneli dhe Astrit Jashari.

Fjalën mbyllëse do ta mbajë z. Adil Olluri, sekretar shkencor i IAP-it.

ObserverKult


Lexo edhe:


Gonxhja: I pavërtetë lajmi se Teatri i Kukullave do të ndryshojë funksion