“Më burgosën, kur dola vajza që doja më erdhi në shtëpi dhe…”/ Rrëfimi i rrallë i poetit, djalit të Petro Markos: Ja fjalët e fundit të babait para se të vdiste

Nga larg i ngjason në çehre babait të tij. Gjatosh, me lëkurë zeshkane e, flokë të errët. Të gjithë e përshëndesin. Kur dikush s’e ka mendjen, ai i flet përpara: “Ku vete”… ndërsa na kujtohet “Apologjia ime (jetës)” shkruar nga i madhi Petro Marko; “-Ku linde, o i ri? – O jetë, linda në shkreti! – Ku rron dhe ku vete, në ç’dhera e, në ç’dete?!…”.

Kemi takuar Jamarbërin, apo Madunë, siç e thërrasin prej vitesh të gjithë, djalin e vetëm të shkrimtarit, të cilësuar “Peshkop i Letërsisë”, Petro Markos. “Pseudonimi”, i ka mbetur nga një vajzë e vogël, e cila s’mund të shqiptonte të gjithë emrin dhe e thërriti; Madu.

Ka hequr shumë sprova të vështira në kurriz. Që kur përfundoi studimet në Gazetari, regjimi e degdisi në burgun e Spaçit. I riu shfaqte haptas kritikat mbi pushtetin popullor, por mbi të gjitha, ai ishte i biri i Petro Markos.

Kur e pyesim Madunë, se; cila ka qenë dita më e keqe e jetës, shprehet për atë ditë kur i ngordhi macja, ndërsa ishte 10 vjeç. E kur habitemi, na kthehet: “Unë e dija se çfarë më priste, isha i përgatitur”, ndërsa na kujton një shprehje të Shopenhauerit: “Ai që është i ri e parandjen të ardhmen, ai që është i rrjedhur, jeton me të kaluarën, pjesa më e madhe e njerëzve, jetojnë të tashmen”…!

Që në rininë e hershme, dashuria e Madusë ishte dhe vazhdon të mbetet poezia. Dikur i kishin thënë se; poezia nuk të jep bukë, e i riu i ishte përgjigjur se; as buka nuk të jep poezi. Të shkruajë poezi.

Kjo është gjëja që vazhdon të bëjë edhe sot Madu. Ai vazhdon të jetojë në shtëpinë që u lind, aty ku e ka pasur gjithnjë shkrimtari i madh, në bulevardin “Zogu i I-rë”, shumë pranë Maternitetit.

Dikur Madu, ashtu sikurse i ati, punonte si gazetar, ndërsa pas kaq vitesh, vetëm shkruan. Te dritaret e drunjta të dala boje e të vjetruara, te dritaret e katit të dytë, që bien mbi rrugicën e “Dervish Hatixhesë”, kalon pjesën më të madhe të ditës, djali i Petro Markos.

Po si ka qenë jeta e tij, problemet e shkaktuara në rini dhe dashuria e humbur, bisedat e fundit me Petro Markon dhe ato që s’i mësoi kurrë i ati…!

Mes intervistës me Jamarbër (Madunë) Markon, ne do të mundohemi të kuptojmë atë që kanë hequr shumë intelektualë shqiptarë, dhimbjen e pashërueshme, që i shkaktoi regjimi aq i egër i Enver Hoxhës.

Tiranë, 10 prill 2007

Cilin virtyt ke trashëguar nga babai yt?

Më ka ndihmuar gjithmonë tërheqjen tek vetvetja, për ta kuptuar. Kur fillova ta kuptoj, mendova se kjo ishte kaq pak, saqë duhet ta filloja jetën, jo më në këtë glob të ndyrë, por në galaktika të tjera.

Çfarë nuk të ka mësuar babai yt?

Petro Marko, s’më ka treguar asnjëherë për torturat e vërteta. Ato i kuptova kur u torturova vetë.

Cila ka qenë biseda e fundit me babanë tënd?

Ka qenë i shtrirë në shtrat, pak ditë para se të vdiste dhe më tha: “O Madu, kujton se po vjen demokracia në Shqipëri”?! Unë heshta, ndërsa ai vijoi…; “Pa kaluar dhe 50 vjet, s’bëhet hapi i parë për të kaluar në demokraci”. Dhe mendoj se realiteti është i tillë.

Në vitet ’90-të, e menduat ndonjëherë të angazhoheshit politikisht?

Do të më duhej shumë kohë ta mendoja këtë, ndërsa për të marrë pjesë, do ishte e pamundur.

Cila ka qenë dita më e keqe e jetës tënde?

Kur isha 10 vjeç, kisha një mace shumë të bukur, e cila shkoi të pijë ujë në një çezmë dhe në atë moment ngordhi.

Kur të pyesim për ditën më të hidhur, ti tregon kur humbe macen. Për ty dënimi s’ishte ditë e keqe?!

Jo, sepse dënimin e prisja. (Dhe më kujtohet një shprehje shumë e vërtetë. Ai që është i ri, e parandjen të ardhmen. Ai që është i rrjedhur, jeton me të kaluarën. Pjesa më e madhe e njerëzve, jeton me të tashmen). Unë e dija fatin tim. Isha biri i Petro Markos.

Po dita më e bukur?

Mbaja në dorë një trëndafil. Filloi era dhe trëndafili u rrëzua te bluza e një vajze. Ajo me siguri, do të bëhej e dashura ime.

Kështu ndodhi realisht, sepse shumë poetike e thëna?

Unë kam dashur çdo femër që kam takuar e që ndjente më shumë për veten e saj, se për mua. Dëgjo, unë mendoj që; po të biesh në dashuri si fizik, dashuria do të shndërrohet në pleh. Po të biesh në dashuri si mendim, ti do të ngihesh edhe kur të kesh vdekur.

Mund të na flisni më konkretisht, kjo është histori e vërtetë?

Është historia e një vajze, të cilën unë e doja, por e shmangja. Isha rreth të 20-ve dhe më në fund, pas shumë insistimesh i tregova, se po të ishte pranë meje, ajo do të vuante. Ndodhi realisht kështu. Pas disa muajsh më burgosën e, kur dola nga burgu, ajo më erdhi në shtëpi e më takoi. Sigurisht më falënderoi, që e kisha shpëtuar nga vuajtjet.

Pas përfundimit të dënimit në vitin 1978, nuk u orvatën të të burgosnin sërish?

Më kujtohet që rreth vitit 1979, më thirrën në Degën e Punëve të Brendshme dhe kryetari, pasi bisedova me të, më tha: “Ti vendin prapë në Spaç e ke”. Unë e dëgjova dhe i thashë: “Kujdes ti, se mos të vjen ndonjë kancer në pankreas dhe s’do të dish më, nga të erdhi…”! Ai më nxori jashtë zyrës me të bërtitura. Fati i tij ishte siç e kisha parashikuar dhe teksa nisej në Rinas për t’u kuruar në Francë, u kishte dhënë porosi vartësve, që mua të mos më ngiste më njeri.

Cili është pengu yt?

Të kisha një telefon në Spaç, që të merrja Enver Hoxhën e, t’i thosha ‘mor ndyrësirë, mor qen…’!

Kur erdhe në Tiranë, tentove të bëje atë që s’e bëre në Spaç?

Enveri fshihej nga e gjithë Tirana, kështu që s’kisha shanse…!

Ti mendon se, thellë-thellë, Enver Hoxha ka pasur një dozë pozitiviteti?

Ai ishte mes një grupi studentësh që vinin nga Franca, të cilët u hoqën si marksistë-leninistë dhe s’lanë njeri pa vrarë e shkatërruar, para se ata të vdisnin.

Çfarë të kanë mohuar nga jeta ato vite burgu?

Atëherë isha i ndrojtur dhe më pas kur erdhën gjërat ndryshe, u bëra xhelat i vetvetes.

Çfarë ndjesie të krijojnë ato vite të burgut?

Ndjesia e lirisë në një vend të ndrydhur, është më e plotë se në një vend të hapur. Po të mos kisha qenë i burgosur në Spaç, s’do e kisha kuptuar kurrë, çfarë është liria e vërtetë. Më merr malli ndonjëherë, për galeritë e Spaçit.

Ju jeni i lirë?

Në momentet e ndrydhura e ndjeja lirinë si ndjeshmëri romantike. Ndërsa në momentet më të lira, liria bëhet një “kukumjaçkë”, që i këndon fqinjëve.

Për çfarë të merr më shumë malli?

Më merr më shumë malli për veten time, ashtu siç kam qenë ndonjëherë.

E si ke qenë?

Një krijesë e gurtë që konstaton, por që s’bën asnjë veprim.

Cilët janë shokët e tu?

Nuk e di.

Kë ke pasur shok atëherë?

Shoku im i vetëm, është njerëzimi dhe natyra. Shoku im i humbur, është qielli dhe pabesia. Shoku që rri pranë meje, është dështimi dhe fitorja. Po të gjenden shokë të tjerë, do të isha larguar nga kjo botë.

Keni botuar dy libra me poezi. Keni ndonjë plan të afërt, për të botuar një libër të tretë?

Kam botuar librin e parë “Rastësisht me dashje”, më 1995, dhe “Pro nobis”, më 2001. Tani kam gati një tjetër libër, me poezi.

Ke provuar ndonjëherë të tentosh të shkruash prozë?

Sigurisht, por mendoj se me prozë, bëhesh shumë i vogël. Për mua poezia, është hapi i parë drejt afërsisë me gjithçka.

Ke frikë nga vdekja?

Dy herë më shumë dhe një herë më pak.

Pse?

Sepse kur ajo vjen, s’e dallon dot. Po iku, ti ke një moment zhgënjimi.

Nëse do të zgjidhje kohën kur do jetoje, do preferoje mesjetën, fillimet e shekullit XX-të, apo të ardhmen?

Do vendosja të jetoja në periudhën para ardhjes së njerëzimit. Do të isha një pemë pa lule, pa frutë, do të kisha vetëm pak qiell.

Ku beson?

Po të besoja te gjërat që dallohen, do të isha i mefshtë. Po të besoja, do qëndroja mbi një trung në oqean, për të pritur kontaktin me ishullin më të largët të botës.

Pa emër

U rrëzuan të gjitha mrekullitë në greminë
Askush nuk i vuri re
Vetëm i panjohuri
Ulur tek stoli i tij
Duke pritur të ardhmen


Secili ëndërron të jetë cigarja e fundit në paketën e madhe
Ku tymi mbulon gjithçka
Lë pa prekur majën e mprehtë
Atje ku jeton njeriu i vërtetë

(Shkruar nga Madu, në moshën 20 vjeç, botuar në librin e parë.)

Jamarbër Marko: “Poeti nuk di të kthehet”

Ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë, poeti Jamarbër Marko. Bir i shkrimtarit Petro Marko dhe i piktores Safo Marko, la pas fletore të tëra me poezi të pabotuara, të cilat e motra Arianita Marko, kishte vendosur t’ia botonte në një përmbledhje.

Vetëm pak para se të ndërronte jetë, mesnatën e së premtes, ai i tha se e kishte vendosur titullin: “Nuk di të kthehem”. Një titull që vjen si një mesazh, si varg i fundit poezie për të gjithë

Ajo zbriti në fund të shkallëve të ngushta. Njerëzit përreth i bënë vend të kalonte. Qëndroi e vetme dhe e priti të vëllain. Për të fundit herë e përcolli. Ai doli nga shtëpia dhe më nuk do të kthehet. Vëllai, Jamarbëri nuk jeton. Motra, Arianita e përqafoi, e puthi, e përkëdheli, foli dhe u përkujdes për të fundit herë.

Mesnatën e së premtes, (diçka më shumë a më pak), ai u largua nga kjo botë. I heshtur. Ashtu e fortë, ajo nuk bëri zë. As nënës së sëmurë nuk i tha. Ia fshehu Safos, vdekjen e të birit. Por nëna diç ndjeu.

Me gjithë sëmundjen, nxori zë e tha: “Zot, si do ta gdhijmë këtë natë, deri sa të vejë ora 3 (e pasdites)”. E paratha Safoja, orën kur do e përcillte për në banesën e fundit birin, dhe Nita e respektoi vendimin e saj.

“E shkreta unë, e kam sëmurë Madunë”… ajo e ndiente, edhe pse të gjithë heshtën para saj. Safo Marko, vazhdon të qëndrojë shtrirë në shtrat dhe në ndonjë çast kthjellimi ndoshta edhe është çuditur, sa shumë njerëz hyjnë e dalin në dhomën e saj. Ndoshta edhe e ka kuptuar, se diçka nuk shkon me Madunë e saj…?!

Miqtë e të afërmit, vetëm ata venë e vijnë në familjen Marko. Por janë të paktë. E çuditshme se si pret që kur largohet nga jeta një njeri, një bir arti, një poet, artist si ai, pret që njerëzit të derdhen lumë e që Bulevardi “Zogu i Parë”, deri te shkallët e shtëpisë ku banoi shkrimtari Petro Marko, të jenë të mbushura plot. Mungojnë njerëzit e kulturës. Ata që emrin e kësaj familje, e zënë në gojë kur ua do puna të mbahen me të madh e që i harrojnë sa kthejnë krahët.

Sot ata janë kaq të paktë, sa të zë trishtimi. Është një trishtim që i shtohet mortit që ka rënë, zymtësisë së kohës, e asaj të apartamentit të vogël, të Markove të mëdhenj.

Poeti Xhevahir Spahiu, aktoret Rajmonda Bulku e Yllka Mujo, janë personalitetet e vetme të pranishëm. Ministri i Kulturës Ferdinand Xhaferaj, ka dërguar vetëm një mesazh ngushëllimi, dhe atë përmes zëdhënëses për shtyp…!

Mbi trupin e pajetë të Jamarbërit, në një kurorë me lule të bën përshtypje mesazhi i shkruar në shirit: “Mirënjohje për sakrificën e familjes suaj. Me respekt “˜Bota e luleve’”. Ndonjëherë prej atyre që nuk njeh, vjen edhe respekti më i madh.

Jamarbër Marko u nda nga jeta dje në moshën 59-vjeçare. Vuante poeti, jo vetëm prej sëmundjes, (diagnoza: cerozë në mëlçi), por më shumë prej të kaluarave. Ngulmonte të mos kurohej. Ishte një vetë-dorëzim, për të cilin zor se mund t’ia ktheje mendjen.

Diçka tej imagjinatës, ndoshta kish ndodhur në shpirtin e tij, shpirt poeti, dhe ai nuk kthehej dot më. Iu dorëzua fatit, mendimeve të tij, kështu hoqi dorë prej jetës, apo prej vetes, ku i dihet?! Madu nuk diti të kthehej më.

Me gjithë përpjekjet, as Arianita nuk e ndryshoi dot vendimin e tij. Nuk i mbeti tjetër, veçse ta respektonte deri në fund, t’i qëndronte pranë, se ai ashtu e zgjodhi ta kishte fundin, në shtëpinë e babait, në duart e motrës, pranë nënës së sëmurë.

E patën pyetur një here, në kishte frikë nga vdekja, dhe ai ishte përgjigjur: “Dy herë më shumë dhe një herë më pak. Sepse kur ajo vjen, s’e dallon dot. Po iku, ti ke një moment zhgënjimi”.

Por dje nuk u zhgënjye, ajo e priti, nuk iku. Madu zgjodhi ta ndiqte pas. E nëse besonte në një botë tjetër, kushedi, ndoshta ka fatin që të paktën tani, të jetë “një pemë pa lule, pa frutë, me vetëm pak qiell”. Të shijojë lirinë, atë që i pat munguar gjatë viteve të burgut në Spaç e, ndoshta edhe gjatë burgut prej së gjalli që përjetoi, ashtu i tërhequr dhe i lënë në harresë.

Ajo qan në heshtje, ashtu siç është mësuar të jetojnë Markot. Edhe britmat i ka të tilla, të heshtura. “Ai ishte vëllai im”, vetëm për të thënë këtë nxori zë.

Si për të thënë se tani e qara ishte e përligjur, se tani mund ta hidhte poshtë petkun e “të fortës” për të shprehur dhimbjen. Ajo i qëndroi pranë deri në fund, ashtu si vetëm një motër që e do shumë vëllain mund ta bëjë.

E me gjithë vuajtjen, prapë e fortë ajo gjen kurajë të flasë për të vëllain, për çastet e tij të fundit e mbi të gjitha për përmbledhjen e fundit me poezi, të cilës pak para se të vdiste, Jamarbër Marko ia vendosi vetë titullin: “Nuk di të kthehem”.

Shtator 2010

Arianita Marko: “Madu donte të jetonte dhe të vdiste, pa bërë kompromise”!


Znj. Arianita, si ishte gjendja e Jamarbërit, sidomos kohët e fundit?

Gjendja e tij kohët e fundit ishte e mjerë, donte asistencë, donte ndihmë, të cilën unë si motër, ia kam dhënë. I kam dhënë aq ndihmë, sa mund t’i japë një motër një vëllai, që e do shumë. Por ndihmë tjetër, nuk ka pasur. Ai nuk pranonte të kryente vizita mjekësore. Ishte sikur të refuzonte të jetonte, sikur e kishte vendosur fundin…! Sepse ai kishte parë dhe ka parë të gjitha gjërat, që mund të ndodhnin. Madu nuk gënjehej kollaj. Ai donte të vdiste në shtëpi. Unë nuk bëra asgjë kundër vullnetit të tij, e mbajta në shtëpi, i ndjenja afër deri në momentin që ai iku.

Ç’mendonte ai për gjendjen, sidomos të kohëve të fundit të familjes Marko. Çfarë thoshte, gjatë bisedave që keni pasur?

Ne nuk bisedojmë, se s’jemi aq të vegjël, për të biseduar për gjendjet. Ne gjendjet i dimë, sepse prindërit kanë kaluar disa periudha kohe, që janë disa regjime, me disa ndryshime. Ne dimë se si vuajnë njerëzit, se si vuajnë artistët, të ndershmit, të pasurit dhe i pranojmë. Ne dimë të vuajmë dhe të ikim në heshtje. Unë për vete bëra një thirrje, e theva heshtjen dhe nuk pendohem për këtë.

E bëra për të kërkuar ndihmë për këtë familje, që meritonte pak më shumë vëmendje, sepse u ka dhënë shumë njerëzve si familje, si artistë. Ata i deshën njerëzit, jetën, panë zhgënjimet që kërkonin të vërtetën dhe që pastaj…! Kërkova ndihmë jo për veten, por për të mbajtur ata. Erdhi një ndihmë modeste kohët e fundit. Por dashuria ime si motër dhe si nënë për mamanë time, nuk u ka munguar edhe nuk do t’u mungojë asnjëherë. Për vete jam sakrifikuar me gjithë shpirt, për tre artistët që kam pasur në shtëpi.

Madu, siç i thërrisnin të gjithë, në një farë mënyre edhe refuzonte t’i botoheshin krijimet e tij. Përse?

Madu nuk ka dashur të botoheshin shkrimet e tij, sepse ne që fëmijë, jemi mësuar me botimet. Nuk ishim nga ata që gëzoheshin kur botohej diçka për herë të parë, e rëndësishme apo e parëndësishme qoftë. Ne ishim për botime me vlerë. Jo se ai ka refuzuar të botonte, por nuk e di, ndoshta…!

A ka lënë dorëshkrime?

Po. Madu ka lënë pas shumë blloqe me poezi, që them se ndoshta po të jem gjallë, do t’i botoj. Dje (të premten) para se të vdiste, i thashë: Kam vendosur t’i botoj poezitë e tua. I kërkova të vendosnim një titull dhe ai më tha se e kishte një në mendje: “Nuk di të kthehem”. Është një titull që ka shumë krah mendimi. Do të thotë nuk di të kthehem nga vdekja, nuk di të kthehem në jetë, nuk di të kthehem nga fillimi, nuk di të kthehem në shpresë…!

Po kohë më parë, a keni bërë ndonjë përzgjedhje të poezive, që do të donit të botonit?

Nuk kam bërë asnjë përzgjedhje poezish. Kam bërë përzgjedhjen e asistencës mjekësore. Është më njerëzore të përcjellësh ata duke i përqafuar, duke i puthur, duke ndier afërsinë si njeri, se sa një botim. Botimi vjen më pas. Unë i ndjenja afër tim vëllai, si njeri.

A vazhdonte të shkruante gjatë kohëve të fundit?

Kohët e fundit nuk mund të shkruante, sidomos pas aksidentit.

Si ishin momentet e fundit të poetit?

Momentet e fundit të Madus… vdiq një njeri, duke vuajtur shumë. Zgjodhi të vdiste në dorën time dhe unë ia mbajta dorën deri në fund, duke e puthur, duke e përqafuar, duke i shtrënguar dorën, deri në grahmat e fundit. Se ishte më mirë të ndodhte në krahët e motrës, se sa në krahët e çdo njeriu tjetër.

Lexuesi e njeh si poet, bir i shkrimtarit Petro Marko dhe piktores Safo Marko, por si ishte Jamarbëri njeri?

Madu ishte një njeri që vuajti gjatë gjithë jetës. Ishte shumë i veçantë. Ishte një artist i lindur në një familje artistësh. Donte të jetonte dhe të vdiste pa bërë asnjë kompromis. / Memorie.al

ObserverKult


fjalët e fundit jamarbër marku

Lexo edhe:

JAMARBËR MARKO: U KTHEVA PËR NJË LOT…

Unë u ktheva
Për të parë një lot që mund të bjerë kudo
Nuk u ktheva

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult