“Më erdhi Nëna”, poezinë e lexon Riza Braholli


Poezi nga Riza Braholli

Që kur e ndjera nënë shkoi në pun’ të saj,
s’e ndaja dot prej vetes, gjer në çmendje,
se ikur i kish shpirti qiellit të paskaj
e s’mund në gji ta rrokja e ta mbaj;
ç’meritej kush më shihte n’atë gjendje…!

E shtyja portën yshtur e pa mendje
pas engjëllit që zgjonte zëri i saj
një zë që zbret një mall e tis prej ëndrre
e nëpër mua flatrat hapnin dhëmbjet!
dëgjoja veç: o bir, Rizaj, Rizaj…
dhe shpirtin më nuk dija si ta mbaj

E hyja brenda e derdhesha: o nënë…!
Por heshtja kish ca sy si maja heshte
çdo send, çdo gjë që dorë e saj kish zënë
dhe froni i saj i drunjtë e pak i ngrënë
më dukej hidhërisht me mua qeshte.

I drunjëzuar mbetesha n’oborr
i mbushur lot e klithje, hidhërime
por ç’ish kjo loj’, ky reng kaq djallëzor,
kjo çoroditje dreqi, ankth e fat mizor
që zëra m’i dërgonte çartjes sime?

Porse një ditë aty në fron e gjeta;
e ulur si çdo mbrëmje po më priste
s’më foli e më pa me sy të prera
i dridhej si përherë qerpiku, mjekra
dhe lotët brenda vetes i gëlltiste
e mjera mbase frikej, mos më vri ste.

S’e prisja e kurmi, zemra m’u mërdhi.
Si ta preç një q’ikur kishte kësaj bote,
veç pak muaj më parë, një natë me shi…:
ende dorën time ma shtrëngon në gji
mes kujeve të motrës përmes lotëve!

Por ja ajo ish: nëna… vetë nëna!
Më dha një buzagaz të mallëngjyer
dhe sytë e lëngështuar thikëvëna
i çeli me ca hire porsi Hëna
e derdhur si një vazo sapothyer
me dritë e yllësi të parrëfyer.

U derdha ta rrëmbej e ta qafoj.
Po ç’t’ju rrëfej; qafohet vallë era?
Më shum’ se kaq nuk mundem t’ju tregoj
përveç se bota s’është më njëlloj
e unë s’jam ai që qeshë përhera;
më duhet për të tjerët tash të rroj.

E dini? Unë hyj, ajo, sërish te dera…

ObserverKult


Lexo edhe:

RIZA BRAHOLLI: PANO AH, PANUA I MIRË…