“Më janë bërë padrejtësi të mëdha”, rrëfehet aktorja e njohur shqiptare: E kam peng, ikjen e babait…

Krahas aktrimit, në ‘Pas Mesnatë’, aktorja e njohur, Rozi Kostani, rrëfeu edhe dashurinë e saj për regjinë e operas, për të cilën thotë se ka një mënyrë tjetër të të shpërfaqurit të veprimit.

“Regjia e operas gjithnjë ka qenë në planet e mia. Më grishte shumë, ka një mënyrë tjetër të të shpërfaqurit të veprimit, përmes këngës, të të kënduarit të batutës. Si është dinamika e aksionit dramatik më ka joshur gjithmonë. Vjen një propozim para dy vitesh nga prof. Isak Shehu dhe më thotë dua të bësh regjinë e operas. Jam befasuar me Mrikën, me aktin e parë. Ishte një mrekulli bashkëpunimi me zysh Zanën.

Sa bukur tingëllonte shqip Preng Jakova. Të gjithë ne kemi një të shkuar, kujtesa dhe kthimi i kokës pas të bën më të qartë për rrugën ku do shkosh për të ardhmen. Opera ‘Dido dhe Enea’ ka qenë vërtetë mbresëlënëse. Ka nevojë për një lloj regjie të tillë, që zbërthen marrëdhëniet, i bën personazhet më të vërteta-” u shpreh aktorja Kostani, ndërsa rrëfeu edhe vështirësitë krahas pasionit për aktrimin e regjinë.

“Sigurisht që ka momente të vështira, por jo profesionale. Kanë qenë probleme të tjera kur dikush thotë ‘nuk bëhet kjo gjë’ dhe unë e kam shumë problem kur dikush më thotë ‘nuk bëhet’.
Ky profesion të mbush dhe puna bëhet aq fondamentale sa nuk arrij dot ta ndaj, është natë e ditë me ty aty. Edhe familja ime tashmë është mësuar. Por fëmijët i kam mbajtur larg artit. Nuk e kam dashur për shumë arsye.

Ka qenë shumë e vështirë për mua, ka patur paragjykime të forta. Jam përballur me një realitet sa po ta hap ‘kutinë e Pandorës…’, kam hasur gjëra të çuditshme dhe më janë bërë padrejtësi shumë të mëdha. Fëmijët e mi, kurrë nuk do doja t’i shikoja të përballen me një realitet të çuditshëm, i tëri fiktiv, i pambështetur.

Ka patur njerëz që s’më kanë folur për 20 vite me gojë dhe unë thoja ‘pse’, kurrë nuk e kam kuptuar. I kam ushqyer me art, me instrumente, vepra të mëdha, por jo për t’u bërë aktorë apo regjisorë, sepse nuk dua të marrin mbi kurrizin e tyre edhe armiqtë e mi.” -u shpreh ndër të tjera ajo.

Si gjithëkush, edhe ajo e ka një peng në jetën e saj.

“Momenti më i vështitë në jetë, është humbja e prindërve. Nuk e harroj një pyetje të djalit kur ishte i vogël, ‘kam frikë mos vdisni ju’, dhe kjo pyetje m’u rikthye dhe thash ‘nuk dua ta mendoj’, sepse ti vetëm me prindërit mund të jesh fëmijë.” U shpreh Kostani, e përlotuar ajo rrëfeu se humbi të dy prindërit në një kohë të shkurtër, ndërsa kujton si peng të jetës së saj, telefonatat me të atin.

“Humbjen e babait nuk e pranova dot sepse tre ditë rrjesht kisha provimin e studentëve dhe nuk shkova ta takoj. S’i harroj telefonatat e tij, ‘po të pres për drekën,‘ po të për pres për një kafe’. Kur sa do shkoja, më erdhi telefonata, ‘babi u largua’, e kam peng ikjen e tij, sepse nuk e takova tre ditë dhe pse, për shkak të punës me studentët. Provimet e tyre I konsideroj shfaqje.” u shpreh ajo./abcnews.al


Lexo edhe:

SI E PËSOI, AKTORJA E NJOHUR, ZAMIRA KITA, PËR SHKAK TË BIOGRAFISË SË “KEQE”?

ObserverKult