
21 marsi është ngjarje që i kushtohet artit poetik, që është njëra nga format më të çmuara të njerëzimit, të shprehjes së identitetit kulturor dhe gjuhësor.
UNESCO e miratoi për herë të parë 21 Marsin si Ditën Botërore të Poezisë gjatë Konferencës së saj të Përgjithshme të 30-të në Paris më 1999, me synimin për të mbështetur diversitetin gjuhësor përmes shprehjes poetike moderne dhe tradicionale.
Edhe në Prishtinë kjo ditë u të festua. Biblioteka “Hivzi Sulejmani” e shënoi me ngjarje të shumta poetike.

“Për nder të 21 marsit – Ditës Botërore të Poezisë, gjatë gjithë javës pati aktivitete në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë. Kjo ngjarje e poezisë që festohet çdo vit më 21 mars për të promovuar leximin, shkrimin, botimin dhe mësimin e poezisë në mbarë botën, kulmoi sot në bibliotekë me lexime letrare dhe kujtesë për poetët e ndjerë”, pohoi drejtoresha e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, Naime Beqiraj.
Publiku i shumtë në sallë patën mundësi të shijonin lexime letrare nga krijues të shquar: Sali Bashota, Lulzim Tafa, Donika Dabishevci, Ahmet Selmani, Vehbi Miftari, Albana Beqiri dhe Prend Buzhala.
Krijime nga poetët e ndjerë Lindita Ahmeti dhe Ismail Kadare të cilët ndërruan jetë vitin e kaluar, deklamuan Arbnora Mjekiqi Rrahmani dhe Fikrije Halili Bejta.
Vargjet u përcollën me piano nga Vesa Veselaj, ndërkaq vargje nga “Kënga e këngëve” interpretoi ndjeshëm aktorja Arieta Ajeti si njëra nga perlat e vjetra botërore të poezisë, shkruar 3000 vjet më parë nga Mbreti Solomon.
ObserverKult
Lexo edhe:
SOT ËSHTË DITA BOTËRORE E POEZISË