reklamë

Ag Apolloni: Është e turpshme mënyra se si është trajtuar Rexhep Qosja!

aguu

Në 90-vjetorin e lindjes së akademikut Rexhep Qosja në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, u mbajt një ligjëratë përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së tij.

Akademik Rexhep Qosja u rikujtua jo vetëm si studiues e shkrimtar, por si një intelektual publik që e konceptonte kulturën si themel të ekzistencës kombëtare dhe angazhimin intelektual si përgjegjësi morale ndaj shoqërisë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij e cilësoi Rexhep Qosjen si një prej shtyllave të panteonit kulturor shqiptar të shekujve XX dhe XXI, duke vënë në pah ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në formimin e brezave të studiuesve, profesorëve dhe intelektualëve shqiptarë.

Ai rikujtoi se, nga botimi i veprës së parë më 1967 e deri në fund të jetës, Qosja punoi pandërprerë për afro gjashtëdhjetë vjet, duke lënë pas një opus të jashtëzakonshëm në kritikën letrare, historinë e letërsisë, romanin, dramaturgjinë, publicistikën dhe mendimin politik.

Kurti tha se për ta kuptuar peshën reale të figurës së tij, mjafton të imagjinohet kultura shqiptare pa praninë e Rexhep Qosjes.

“Letërsia, politika, publicistika dhe mendimi kulturor shqiptar do të ishin dukshëm më të varfra. Kultura shqiptare në Kosovë do të mbetej pa njërën prej shtyllave të saj më të rëndësishme dhe pa njërin prej zërave më të guximshëm e më të thellë të mendimit shqiptar”, u shpreh ai.

Sipas Kurtit, ndikimi i Qosjes nuk matet vetëm me veprat që shkroi, por edhe me brezat e tërë studiuesish, profesorësh, shkrimtarësh e studentësh që u formësuan nën ndikimin e ideve të tij.

Në fjalën e tij ai rikujtoi një nga bindjet themelore të akademikut, se identiteti i një kombi nuk mbështetet vetëm mbi shtetin apo politikën, por mbi gjuhën, letërsinë, kulturën dhe kujtesën historike.

“Kultura, sipas Rexhep Qosjes, nuk ishte dekor i jetës kombëtare, por kusht i ekzistencës së saj”, theksoi Kurti, duke shtuar se vetë jeta dhe krijimtaria e akademikut dëshmuan në mënyrën më të plotë këtë filozofi.

Një nga momentet më prekëse të ceremonisë ishte leximi i testamentit të akademikut Rexhep Qosjes nga aktori Avni Dalipi.

Në amanetin që akademiku ia la nipit, ai shprehte dëshirën që ceremonia e varrimit të ishte krejtësisht e thjeshtë: pa ritual fetar, pa përfaqësues institucionalë, pa fjalime, pa media dhe pa lule, vetëm në praninë e familjes, pranë varrit të bashkëshortes së tij, Shpresës.

Pjesa qendrore e manifestimit ishte ligjërata e shkrimtarit dhe studiuesit Ag Apolloni, i cili, përtej analizës së veprës së akademikut, e përqendroi kumtesën te jeta e Rexhep Qosjes, sfidat që e shoqëruan përgjatë rrugëtimit të tij intelektual dhe mënyra se si, sipas tij, figura e tij është trajtuar nga institucionet dhe individë të ndryshëm ndër vite.

Ai rikujtoi fillimisht premtimin e dhënë nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri Hajrulla Çeku për muzealizimin e zyrës së Rexhep Qosjes në Institutin Albanologjik, duke shprehur shpresën që ky premtim të mos mbetet vetëm deklarativ.

“Para pak javësh e pashë lajmin që kryeministri Kurti dhe ministri Hajrulla Çeku e kishin vizituar institutin dhe kishin premtuar muzealizimin e zyrës së profesor Qosjes. Uroj të mos jetë vetëm deklaratë… Nga ajo zyrë kanë dalë mijëra faqe që ia zbardhin fytyrën shteteve tona dhe kombit tonë”, tha ai.

Më pas, Apolloni u ndal gjatë te mënyra se si, sipas tij, është vlerësuar, ose shpesh është nënvlerësuar puna e Rexhep Qosjes. Në këtë kontekst, ai përmendi me emra institucione, organizata dhe individë, të cilët, sipas tij, kanë kontribuar në zbehjen e figurës së Rexhep Qosjes ose kanë ushqyer debate që e largonin vëmendjen nga rëndësia e veprës së tij.

Përmes një rrëfimi kronologjik, Apolloni rikujtoi një sërë episodesh që, sipas tij, dëshmojnë për pengesat dhe padrejtësitë me të cilat është përballur Rexhep Qosja gjatë jetës së tij.

Sipas Apollonit, këto përballje shkuan deri te përpjekjet për t’ia ndërprerë pagën në Akademi të Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, te largimi nga zyra e tij në Institutin Albanologjik dhe hedhja e librave e materialeve të punës në mbeturina e po ashtu situata me të cilat profesor Qosja është ballafaquar në Fakultetin Filologjik.

Ai po ashtu përmendi edhe persona të cilët, sipas tij, kanë përfituar institucionalisht ose profesionalisht në dëm të Rexhep Qosjes, duke e paraqitur këtë si pjesë të një historie të gjatë përplasjesh që ka shoqëruar jetën e akademikut.

Në përmbyllje, ai e cilësoi Rexhep Qosjen si intelektualin më të madh të Kosovës dhe një ndër studiuesit e shkrimtarët më të rëndësishëm të Evropës Juglindore, duke theksuar se historia do ta vendosë figurën e tij në vendin që meriton, pavarësisht polemikave që e kanë shoqëruar gjatë jetës.

ObserverKult