Ju ftojmë të dëgjoni poezinë e njohur poetit të famshëm rus Konstantin Simonov, “Më prit”, lexuar nga aktori Simon Shkreli.
MË PRIT- Konstantin Simonov
Më prit, unë sigurisht do vij
por më prit gjatë.
Më prit edhe kur shirat e verdhë
me trishtim i mbushin netët.
Më prit edhe kur vapa përvlon,
dhe stuhia pastron.
Më prit edhe kur të tjerët nuk
i pret kush.
Më prit edhe kur letrat të pushojnë
së ardhuri nga larg,
kur pritja t’i mërzitet çdokujt që pret.
Më prit, unë sigurisht do vij.
Mos i dëgjo kur të të thonë
se koha është të harrosh, se shpresat të rrejnë.
Le të besojnë edhe nëna e djali
se më nuk ekzistoj,
le të lodhen nga pritja
edhe shokët e mi,
e verën e idhët
ta pinë në votër për
shpirtin tim.
Mos rri me ta,
mos pyet asgjë.
Më prit, unë sigurisht do vij,
vdekjet nuk do më vrasin.
Le të thotë, kush nuk më priti:
Ai ishte me fat!
Kush nuk di të pres, nuk do e kuptoj
as të tjerët nuk do e dinë
se me pritjen tënde të gjatë
je e vetmja që më shpëtove.
Vetëm ne të dy e dimë se si
zjarrit të mallkuar i shpëtova,
sepse ti, dite të prisje
si askush në botë.
Përshtatur në shqip nga Simon Shkreli
ObserverKult
Kliko edhe:
“EDHE ËNDRRAT LODHEN NGA KAOSI…”, SIMON SHKRELI LEXON VISAR ZHITIN (VIDEO)
Ju ftojmë të ndiqni poezinë “Ëndrrat” të Visar Zhitit, shkruajtur në burgun famëkeq të Spaçit në dimrin e vitit 1982, interpretuar nga gazetari dhe aktori shkodran Simon Shkreli.
Visar Zhiti: Ëndrrat
Ti mbyll sytë, i dërrmuar
nga puna e tmerrshme këtu nën tokë.
Patjetër je duke ëndërruar,
se ëndrrave pranga s’u vënë dot.
Dhe le ta bëjnë ferr galerinë,
ti vuan që të mbetesh ëngjëll.
Mbi supe si flatra ke mirësinë
dhe fluturon nëpër ëndërr.
Ku vete kështu? Ah, unë e di
dhe ëndrrat lodhen prej kaosit,
dhe kanë ftohtë ashtu si ti
veç me kapotën e të burgosurit,
Dhe s’po të them që i vrasin ëndrrat
që kam shëtitur ndër varret e tyre.
Ndodh që të na vrasin më parë ëndrrat
dhe qajnë ato mbi ne si vejushe.
Befas u zgjove. Buzëqesh i trembur,
sapo u ktheve nga ai vend i lumtur.
Balli i mbushur plot me ëndërr
e di që bëhet më i bukur.
ObserverKult
Kliko edhe: