“Me veprën tënde i ke shërbyer regjimit!”/ At Zef Pllumi përkujtohet në 100-vjetorin e lindjes, kujtohet takimi i tij i parë me Ismail Kadarenë

Figura e At Zef Pllumit u përkujtua në 100-vjetorin e lindjes përmes kujtimeve të miqve dhe veprës së tij. Dom Gjergj Meta, solli në vëmendje një episod kur At Zef Pllumi ia kishte thënë në sy Kadaresë se me veprat e tij i kishte shërbyer regjimit.

Përmes fragmenteve nga vepra e tij është përkujtuar në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) pranë Kryeministrisë së Shqipërisë, figura e At Zef Pllumit, në mbrëmjen kushtuar 100-vjetorit të lindjes së tij, me titull “Po atëherë ku mbetej e vërteta?”. At Pllumi pati fatin t’u mbijetojë torturave dhe burgimeve dhe la pas vepra monumentale, të botuara nga shtëpia Provinca Françeskane e Shqipërisë dhe të cilat u komentuan nga të pranishmit.

“Përveç shtyllë e rilindjes së Kishës Katolike dhe Urdhrit Françeskan pas shtypjes enveriste, ky vëlla yni ka qenë një figurë e shquar në kuadrin civil e kulturor të kombit shqiptar.”, – shprehet  At Flavio Cavallini, Përfaqësues i Provincës Françeskane të Shqipërisë.

Të pranishëm në panel ishin edhe imzot Gjergj Meta, president i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, prof. Aljula Jubani, drejtoreshë e Institutit të Studimeve Evropiane në Universitetin e Tiranës dhe prof. Nevila Nika, historiane dhe studiuese e njohur.

Imzot Gjergj Meta, president i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë u ndal në disa kujtime personale me Padër Zefin. Ai vërejti se e ka njohur, së pari, në atë çfarë Padër Zefi ka shkruar në 1998, kur ai ishte student dhe lexoi veprën “Rrno për me tregue”.  Ndërsa në vitin 2002-2006 e ka njohur nga afër në Katedralen e Tiranës.

Imzot Meta kujton specifikisht në njohjen e Padër Zefit me Ismail Kadarenë gjatë Panairit të Librit në vitin 2004. Ai solli një pjesë nga dialogu mes këtyre dy figurave të njohura, të cilat u takuan te shtëpia e Kadaresë.

“Diku nga viti 2004 Botimet Katolike u bënë pjesë e Panairit të Librit dhe isha unë, që bashkë me një grup të rinjsh, student të Tiranës e bëmë Kishën Katolike pjesë të këtij vventi kulturore dhe poatëm edhe librate  Padër Zefit, Rrno për me tregue dhe ishin suskes I vertëtë, u shtinë shumë. Aty lindi dhe një njohje dhe ishte njohja me Ismail Kadarenë. Për herë të parë Padër Zefi dhe Ismail Kadareja u takuan në atë panair libri, jo drejtpërdrejt, por aty lindi ideja dhe bashkë me një mikun tim dhe botuesin Bujar Hudhri realizuam takimin e parë në shtëpinë e Kadaresë. Padër Zefi kishte një zakon. I drejtohej gjithkujt me fjalën padër. Dhe I thotë Kadaresë: 
-Padër, ti je një mjeshtër i fjalës. Unë t’i kam lexuar veprat kur kam qenë në burg. Por ti, me veprën tënde i ke shërbyer regjimit.
Kadareja stepet pak, sigurisht. 
Padër Zefi i thotë:
-Ti ke dy kryevepra: ‘Kronikë në gur’ dhe ‘Çështje të marrëzisë’. Në pjesën tjetër, ke qenë shkrimtar që i ke shërbyer regjimit

Por sipas imzot Metës, Padër Zefi kishte një mënyrë të thëni të gjërave, aq të butë dhe aq të qartë, sa që nuk arrije t’ia merrje për të keq. Kështu që nga kjo bisedë mes Kadaresë dhe At Zef Pllumit, më pas lindi një bashkëpunim.

Padër Zefi mori pjesë në promovimin “Dantja i pashmangshëm” të Kadaresë dhe Kadareja i bëri parathënien e një botimi të “Rrno për me tregue”.

 Edhe studiuesja Nevila Nika rrëfen njohjen e vet personale me At Zef Pllumin.

“Me një kolegen time të punës vendosëm të shkonim te Kisha për të pyetur për disa terma fetarë. Jo se nuk kishim ku t’i gjenim. Unë punoja asokohe në Arkivin e Shtetit. Por kishim dëshirë t’i dëgjonim nga goja e një kleriku. U afruam te Kisha. Po mbante meshë. U futëm brenda.  Ai po na shikonte që rrinim në fund dhe nuk po bënim asnjë gjest. Nuk dinim të bënim as kryqin.

Na u afrua dhe me buzëqeshje tha: -Varza si keni ardh’!

Që nga ajo ditë, do të ketë qenë viti 1991, për gati 10 vjet kam qenë pothuaj javë për javë, frekuentoja qelën. Dhe At Zefi bënte shaka me mua: -Je e vetmja femër që ke hyrë në qelën e një ati franceskan.”

Prof. Aljula Jubani vëren se Padër Zefi me letrat, ditarët dhe veprën e tij të fundit na shtyn të njohim të vërtetën e atyre 10 viteve demokraci dhe se çfarë pasojash pati kjo demokraci nga ajo diktaturë e panjohur.

“Padër Zefi kalon nëpër mend falë kujtesës së tij se çfarë ka ndodhur në këtë vend me institucionet shtetërore dhe fetare, me politikën dhe kulturën. Në fund të fundit çfarë i ndodhi shqiptarit gjatë diktaturës dhe pas rënies së saj. Fatkeqësisht ende sistemi ynë eduktaiv nuk po arrin t’ui shtyjë nxënësit të mendojnë, të jenë kritikë.”  

Padër Zefi dëshmon edhe se si u bënë meshat e para dhe sipas tij ky ishte një kërkim i njerëzve për liri.

“Ai kujton se si motër Gjeorgjina kishte ruajtur kishte ruajtur të shenjtnueshmin sacrament, ashtu siç e kishte shuguruar shumë vite më parë At Marian Prelaj. Shpresonin se lutjet e njerëzve besimplotë mund ta davarisnin absurdin ateist që kishte zënë për gryke vendin. Ai përshkrur një tjetër meshë të rëndësishme: 13 qershorin e vitit 1990 kur shqiptarët hipën nëpër trena për të shkuar në shenjtoren e Laçit. Dhe ky ishte një revolucion shkruan Padër Zefi.”, – vijon Jubani ndërsa citon veprën e At Zef Pllumit.

Ndërkohë, në veprën e tij, ai sjell edhe emocionet e meshës së parë të Krishtlindjeve në Tiranë.

“Fuqia e Zotit po zbriste dhe njëherë në këtë tokë. E ku? Në Tiranë e tiranëve. Në Komitetin Qendror të shejtanit.”

Por gjërat lëviznin ngadalë e rritej terrori i sigurimit të shtetit. Padër Zefi ishte rrugëve të Shkodrës, gjithë kohën nën survejim dhe i zhgënjyer, pasi sipas tij populli sillej kot, gje që vazhdon edhe sot. Ndërsa analizon demokracinë që po vinte, Padër Zefi vëren se pothuaj gjithë krerët e asaj që quhej demokraci, filluan herë pas herë të dukeshin në kishën e Etërve në Tiranë dhe ai i njohu të gjithë.

“Pak kanë mbet prej tyre. Pothuajse të gjithë janë shpërndarë nëpër botë. Gjithë bij të e Partisë së Punës, patën për detyrë me e çu vendin deri në prag të demokracisë, pa derdh gjak dhe me shemb gjithë idhujt e kohës së kalume. Dhe i shembën, për të naltue mbi ta idhuj të tjerë. Idhuj mbi idhuj. Kështu rrokulliste historia njerëzore pa gjet kurrë paqe.”, – citon Jubani.

Vepra e At Zef Pllumit është thirrje e drejtpërdrejtë për ndërgjegjen e munguar kolektive dhe për përballje me të vërtetën. Sipas tij, këtu qëndron edhe problemi i madh i Kishës Qendrore Katolike dhe popullit shqiptar: ndërrimi i mentalitetit.

Sipas At Pllumit, nuk janë vëtëm të mirat materialet që e çojnë para njeriun, por kryesisht janë virtytet e larta të fesë dhe dashurisë dhe para gjithë llojeve të korrupsionit, më i rrezikshmi është korrupsioni moral./shqiptarja.com

ObserverKult


Lexo edhe:

AT ZEF PLLUMI: E KEQJA NEVE NA VJEN PREJ VETVEDIT, PREJ NJANI – TJETRIT, PREJ SHQIPTARËVE…