Shumë kanë shkruar për veten…, po s’ ka gjë, unë kam veten time, që është krejtësisht imja dhe, mbetet krejtësisht e veçantë, jo, më mirë, personale (ndoshta këtu qendron sekreti i të qenit “ndryshe”).
Nga Jorgjeta Babliku
Me veten u takova në rrethana, krejt “ndryshe”, rrethuar nga njerëz që ishin “ndryshe” dhe që, natyrisht, secili prej tyre kishte një mendim “ndryshe” për veten time.
Nuk më kujtohen fare arsyet që e bënin veten time të qante (qante shpesh, më kanë thënë)…
As si iu kthyen të qarat në fjalë, nuk ia kujtoj (madje, për këtë jam më e painformuar se për gjithçka tjetër)…
Diçka ia shkaktonte të qeshurat, por unë edhe këtë nuk ia kujtoj dot…
Nuk më kujtohet dita kur e ngrita veten në këmbë…(natyrisht, as shtysa që e bëri të ecte)…
Se ç’ ditë ishte ajo kur vetja filloi të shoqërohej me mendjen, nuk e mësova dot kurrë (dhe as kam për ta mësuar ndonjëherë)…veç, dëgjova, që në një nga takimet e tyre, vetja pyeti se i kujt ishte mendimi për ta sjellë në jetë…
Të them që filloi një udhëtim të gjatë, vetja ime…?!…edhe e them, ajo që nuk mundem është t’ ju tregoj gjithçka di rreth këtij udhëtimi…
…sepse edhe unë jam mjaftuar të di që e nisi ngadalë rrugën, shpejtoi hapat, vrapoi dhe here- herë u ndal të çlodhej…
Kur çlodhej, ndodhte të bisedonim bashkë (nuk është se ndodhte shpesh)…
Ato ishin nga të paktat çaste që unë mund ta njihja më mirë veten (jo gjithmonë vetja hapej sinqerisht me mua)…
Por dhe unë, veç, jo gjithmonë isha e sinqertë me të(!)…
Gjithsesi, nuk është keq të jesh me veten. Kur është e gëzuar njëra, mund të qeshemi të dyja… dhe kur tjetra është e mërzitur, vetja fillon e jep këshilla si askush tjetër… kur supet e njërës fillojnë të thyhen, tjetra bëhet mbështetje e kur njëra gati rrëzohet, tjetra zgjat dorën dhe e kujton se ky është momenti kur duhet të ngrihet…
Nuk them që s’ jemi grindur…, ka ndodhur të mos më dëgjojë…
Si për t’ u hakmarrë, unë kam ikur prej saj (ndonjëherë)…, pastaj jemi bërë prapë bashkë…
Kur kam dashur të fle, vetja ka bërë rojen besnike mbi kryet e mia (por edhe ç’ i ka dashur qejfi ka bërë)…
Po edhe unë kam përfituar e rebeluar (rrallë) nga përgjumja e saj…
Kur kthejmë kokën pas dhe shohim rrugën që kemi bërë, kuptojmë që jemi lodhur se kemi ecur…jo pak…
…po padyshim që na ka shkuar në mendje edhe të kthehemi pas (veçanërisht), kur kemi parë se rruga para nesh nuk na e lehtëson aspak udhëtimin…
Po…na ka shkuar në mendje edhe që të mos përballemi me dallgët e të kapim fluturimin (!!!), por jo…
Vetja (marr mësime prej saj) më thotë që, tashmë, jemi të rritura sa të mos marrim domosdoshmërisht qiellin dhe mjaftueshëm të prirura, të ecim me këmbët në tokë…
Kur jemi ashtu duke ecur, ndodh të pyesim njëra-tjetrën se i kujt ishte mendimi që ne duhet të largohemi (dikur…kohë më pas) nga ky udhëtim…
Joooo…!!! E paskemi kuptuar gabim…!!! Askush nuk ka ndërmend të na largojë…ne do të mbetemi këtu, përherë, dy mike, dy bashkudhëtare…ndoshta në rrethana “ndryshe”, mes njerëzish që na shohin “ndryshe”, secili me një mendim “ndryshe”, por që është mësuar të na shohë krah njëra- tjetrës…vetja ime dhe unë…!/ ObserverKult