Më vjen turp që jam djalë në Shqipëri!

Isa Myzyraj

Më vjen turp sepse 1 në 2 gra e vajza, janë të dhunuara në vendin tim e vendin tënd!
Më vjen turp, sepse djemtë në vendin tim vrasin të dashurat, nënat e fëmijëve të tyre…

Më vjen turp, sepse djemtë në Shqipëri martohen, bëjnë fëmijë dhe ikin në emigrim lënë gratë e tyre të vetme, dhe kur kjo e fundit shkon me dikë tjetër ata nuk ngurojnë t’i publikojnë edhe videon në media. Sigurisht që gruaja do të shkojë me dikë tjetër, kur ti e trajton si lodër dhe e lë 10-15 vjet duke të pritur. Kush je ti që dikush të të presë?

Më vjen turp, që shokët e mi në një bisedë 1 orëshe në kafe, 40 minuta flasin vetëm si e si të “kapin vajza” e i trajtojnë ato vetëm si objekte seksuale. Mos thoni që nuk është e vërtetë, e bëni të gjithë, këtë, në fjalinë e dytë të bisedës i thoni shokut: “Ke kapur ndonjë gjë?” për këtë më vjen turp.

Më vjen turp sepse nëse një djalë bën seks me 10 vajza i thonë “bravo” e nëse një vajzë bën po të njëjtën gjë, i bëjnë gjyqin dhe minimum e quajnë “kurvë” e maksimumi do e vrasin. Ka ndodhur, mos thoni jo, ndodh akoma!

Më vjen turp që akoma në periferitë e vendit tonë, por edhe në qytete, vajzat martohen me dëshirën e babait, apo nënës. Më vjen turp të shikoj këdo që e trajton gratë e vajzat në këtë vend si pronë, e që fatkeqësisht janë shumë.

Më vjen turp, kur shoh të lindin një vajzë sepse e di, e di mjaft mirë se çfarë do të heqë e gjora në këtë vend maskilist, burrash të dobët e përdhunuesish. Por ngushëllohem me faktin që dashtë zoti deri sa të rriten ato, ky vend të ndryshojë mendim, të ndryshoje qasjen ndaj gruas.

Më vjen turp që komshia ime punon 8 orë në fabrikë, por burrin e ka pijanec tek shtëpia, dhe një zot e di çfarë ndodh brenda atyre mureve. Përtej se më vjen keq, dhe ta themi shqip më këputet shpirti, më vjen turp që gratë e vajzat në vendin tim akoma vriten, akoma rrihen, akoma duhet të marrin leje tek burri për të bërë këtë e atë gjë.

Më vjen turp, se si trajtohet gruaja e vajza në vendin tim.
Të na vijë turp të gjithëve, djemve, burrave shqiptarë nëse ka ngelur ndonjë i tillë.

ObserverKult


Lexo edhe:

HISTORIA E NJË KOLOSI: VIKTOR GJOKA, AKTORI I MADH QË “E MBYTËN” NJERËZIT E VEGJËL!