Mbrëmjen e së martës, ka vdekur fotografi i njohur nga Kosova, Meddy Huduti. Pas vdekjes së tij, kanë shprehur ngushëllime bashkëpunëtorët e miqtë e tij
Lajmin për vdekjen e fotografit e bëri të ditur nëna e tij, Igballe Huduti, e cila ka shkruar në Facebook se ai vdiq pas infektimit me Covid-19.
“Gëzimi i parë i nanes biri im Ahmedi sonte na la përgjithmonë. Ne të Zotit jemi dhe Atij do ti kthehemi, po sot babai i Noah Husejnit na la pa prit pas infektimit me covid dhe me shtrëngim gjoksi. Shkove bir Ahmed, më le me plagë zemrën time edhe për sa kam jetë. Por do të duroj se Zoti keshtu paska desht. Zoti vendosi të më sprovoj edhe me këtë dhimbje qe qenka kapak i të gjitha dhimbjeve që mund të egzistojnë në botë”, ka shkruar Huduti.
Për vdekjen e fotografit ka shkruar edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
“Meddy na la. Në moshë shumë të re, në kulmin e energjisë krijuese. Fotograf që ka dokumentuar parreshtur jetën kulturore në Kosovë. Artist i talentuar dhe ikonë e gjeneratës së re, por edhe personalitet modest, njeri shpirtbardhë. Ngushëllime familjes dhe miqve, gjithë komunitetit artistik. Ahmed (Meddy) Huduti do të rrojë përherë në fotografitë që na i bëri, ndër më të mirat që kemi”, ka shkruar Çeku.
Edhe disenjatorja Yllka Brada ka kujtuar bashkëpunimin me fotografin. E ftuar në emisionin #Gjesi në T7, Brada nuk ka mundur të flasë shumë për këtë rast, pasi e ka prekur vdekja e bashkëpunëtorit dhe mikut të saj.
“Më fal, nuk mundem të flas”, tha Brada mes lotësh.
Këngëtarja Vesa Luma e ka kujtuar fotografin përmes një fotografie që ia kishte bërë pikërisht ai.
Ajo e ka publikuar foton në Facebook.
“Një djalë i mirë, një artist i mirë i Prishtinës na paska lënë sot. Meddy ( kjo fotografia e jotja për qejf të cilën e ke realizuar tu pi kafe, është një prej ma të mirave që kam) Pusho ne paqe djalosh”, ka shkruar ajo krahas fotos.
Për vdekjen e fotografit ka shkruar edhe këngëtari Dren Abazi, ai ka postuar një foto me të në Facebook.
“Lamtumirë Meddy Huduti! Disa prej fotove ma t’bukura këto dhjetë vjet e fundit n’skenë janë dhuratë prej teje”, ka shkruar Abazi, transmeton ‘gazetaexpress’.
Ndryshe për vdekjen e fotografit Meddy Huduti, policia ka nisur hetimet.
“Hetim mbi vdekjen-Rr. Agim Çavdërbasha, Prishtinë 05.10.2021-19:10. Është raportuar se në shtëpinë e tij është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Njësit relevante dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku dhe është konstatuar vdekja e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, është bërë e ditur në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
LEXO EDHE: Ndërron jetë në moshë të re fotografi kosovar, Meddy Huduti