reklamë

Mehmet Elezi: Kthehu në shtator!

Mehmet Elezi

                                   

Tregim nga Mehmet Elezi

Qeshë njohur me Dashin gjatë shërbimit të parë si gazetar, në një rrethanë fort të çuditshme. Nuk di si ndodhi që më ngjiti e i ngjita, na ra gjaku ndërveti, siç thonë, dhe nuk ma përsëriti kurrë më shprehjen pak ironike të ditës së parë, ohu, ku ti,  intelektual kryeqyteti, e ku unë, proletar. Do të kthehemi pesë minuta nga shtëpia, ke një plan pesëvjeçar pa ardhur, nguli këmbë. Rina pruri një pulë të pjekur, që nxirrte avull. Dash, nuk e ve në gojë, i thashë, pa m’u betuar se nuk është e vjedhur. Të betohem për këta sy, e vjedhur është, tha.  Iu bënë qukat në faqe si me qenë vajzë e re dhe i xixëlluan sytë, korb të zinj. Hijeshia iu rrenua kur në pjesën e poshtme të gojës iu shfaqën dy frengji të errëta. Me dy dhëmbë të rënë, dukej sikur tallej.

Pse nuk më pyet për rakinë, tha. Rakinë ua besoj vetëm këtyre duarve, s’e kam të vjedhur. Rakia e gruaja duhet të jenë të kulluara, pa hile. I hapi shuplakat, u erdhi era benzinë. Punonte me një kamion të vockël ZUK të ndërmarrjes së tregtisë, merrte e çonte gjithfarë prodhimesh ushqimore në qytetet e afërta. Me këtë rrangallën time të ndryshkur kaloj mbi gremina, ku s’puth as traktori.

Nuk ndodhte kurrë me ngelë në rrugë me ZUK-un e tij. Më mirë dy pëllëmbë Dash se dy metra balash, ia rrihte shpatullat drejtori i ndërmarrjes. Vetëm dhelprës s‘i shpëtonte dot Dashi.  Ndodhte që dhelpra ia priste rrugën në pyll, kërcente hopthi në karroceri, hapte një arkë me kujdes që të mos e hetonte ai në kabinë, vidhte një pulë të therur dhe zhdukej prapë në çufrrajë.  Paçim Dash, ia shkelte syrin dhelpra. Ç’të bëjmë, kohë talloni. Vetëm një të mora, kujdes për të tjerat. Ç’të bëjmë, kohë talloni, ia shkelte syrin edhe Dashi dhelprës.

Rina qeshte butë. Kur Dashi këpuste ndonjë të fortë, asaj i bëhej një hartë e kuqe, që fillonte pas veshit dhe zbriste nëpër lëkurën e qafës dritë të bardhë.

Qenë njohur në gjimnaz, në moshën kur prindët thonë janë ende kalamaj, qenë përfshirë në një vorbull dashurie aq të çmendur, sa të dy e lanë shkollën dhe u martuan fill.  Të kishit duruar se të merrnit maturën, more djalë. Do ta marrim, sa të hyjë vjeshta, i vezullonin sytë Dashit. Dhe fishkëllonte melodinë Kthehu në shtator, që e përcillte shpesh Radio-Tirana në programin sipas kërkesave të dëgjuesve.  Pastaj erdhi ajo që Dashi e quante qitje me breshëri. Tre fëmijë njëri pas tjetrit, në më pak se tre vjet.

Bëmë baba të të ngjaj, vajza e madhe le shkollën e ia mbath me një djalë në Greqi. Saora ia beh një foshnjë. Ah, mama, sikur. Çerdhe s’paguajmë dot, punën s’e lë dot, duhet të hamë. Mama, sikur.  Çfarë mama sikur? Besoj nuk do të zgjatë shumë.  Do të gjejmë punë të ligjshme, me letra. Jemi të dy në të zezë (më vonë u muar vesh, i shoqi as në të zezë, as në të bardhë). Sikur, mami, ashtu. Sikur të vije me na e mbajtë fëmijën do kohë. E bija qante në telefon. Do t’i humbim të gjitha.

Rina u nis me kryet varur. Dashi u nxi krejt. Duke u ndarë u puthën aq fort, sa asaj iu muar fryma. Si atë mot, kur lanë shkollën. Kthehem shpejt, i tha ajo. Mos më thuaj në shtator, tha ai. Si ne të dy për maturën. Ajo u bë bulëz ajri dhe u tret.

Të dielën e parë pa mamin, vajza e vogël e Dashit e shtroi drekën me shumë përkujdesje, e emocionuar për provën që do të jepte si amvisë para babit. Se ditëve të tjera të javës Dashin e kapte dreka rrugëve, këpuste ndonjë pjatë groshë në këmbë ku t’i dilte përpara ose i bënte drekë e darkë bashkë, në shtëpi. Vajza e vogël shkonte në klasë të tetë. Babi nuk po ha. Ai rrinte ndërdyzash, duke e këqyrur pjatën. Ajo e pyeti mos do ndonjë send tjetër, ta sjell shishen e rakisë?  Ai nuk bëzani. Zgrapsa diçka kur dola për kafe, shqiptoi pas një grimëhere, përhumbshëm. Të lumshin duart. U çua dhe shkoi në dhomë të gjumit. E bija ngriti tryezën. Ai mori një fotografi të Rinës dhe e vuri përpara. Atje, në fjetë të gjumit. Foto bardhezi. Rina buzeqeshte në fotografi, veshur me përparësen e shkollës. E kqyrte Dashin në kokërr të syrit, syri i saj vezullimë. Tashti po, tha ai dhe u shtri. Gjithnjë duke kundruar Rinën. Përkundrejt, në fotografi. Veshur me përparësen e shkollës.

Të djelën tjetër u ul në tryezë me Rinën përballë. Rina veshur me përparëse shkolle e këqyrte gjithnjë në kokërr të syrit, nga katranza. I tha diçka Rinës dhe filloi me hangër.  E bija s’e kuptoi. Duhet një kornizë e re, më e bukur, tha ai. E bija më në fund e mori vesh. Prandaj e paska marrë këtu fotografinë e mamit. Do të dalë me i ba kornizë të re. Pas një jave, të diel në të diel, Rina i buzëqeshte përballë, në dritare. Korniza e re dukej si dritare e mbytur me diell.

Disa të diela kështu. Çdo të dielë kështu. Hante me Rinën. Fliste me Rinën që kish dalë në dritare. I pëshpëriste duke ngritur kokën, nga oborri me shegë e me lule që po mekeshin. Të lumshin duart, i thoshte vajzës. Do t’ia kalosh mamit, ke dorë për kuzhinë. Rina larg, ndërronte foshnjën e së bijës. Vajza në klasë të tetë i kallëzoi asaj çka bënte babi, si sillej babi. Rina iku nga telefoni. Mami, mami!, thirri e bija. Rina doli prapë në telefon. Kurrgjë, shpirti i mamit, kisha vënë diçka në zjarr, thashë mos po digjet.

Prapë i del në telefon së bijës, prapë ajo i kallëzon për babin. Asaj larg i vështirësohet frymëmarrja.

Një të diel ai mbeti pa ngrënë.  Pikla e kishte rrëzuar fotografinë e Rinës, nga tryeza e bukës. Pikla qe macja e shtëpisë. Krejt e bardhë, me një pikë të zezë në lule të ballit. Pikla kishte rrëzuar edhe kanën me ujë, skaj fotografisë. Kana thyer, uji derdhur. Edhe xhami i katranzës, copë e spirrë. Fotoja lagur krejt, një litër ujë mbi të, një fuçi ujë mbi të. Pastaj macja kishte luajtur me foton. Thonjtë e saj të mprehtë, letra e fotos zbutur, bërë qull.  A thua Piklës i dukej se po luante me Rinën? Apo Pikla po shfrynte idhnimin që Rina i la vetëm, iku larg?

Pse kështu, i tha Dashi Piklës. Zëri i tij i lagur, plot njomështi. Thua kana e ujit qe derdhur edhe mbi zërin e tij. Pse na e vrave Rinën, Pikla, edhe ti prej mallit? Dashi nuk la qoshe pa çupuritur, përmbysi krejt fotot e albumit familjar, nuk gjeti një tjetër të hajrit. Një që t’ia mbushte shpirtin. As në fotot e ndara në qese plastmase nuk gjeti. Kurrnjëra s’i hyri në sy. Vajza ia kallëzoi së ëmës gjithë skenën në telefon. E ëma prapë u largua. Mami, mami! Qau mbesa e vogël, tha Rina. Këqyra mos po i bie mbulesa në fytyrë e ia zë frymën.

Vajza e ndjeu që s’qe punë mbese aty. Dikush tjetër po qante mbytazi. Atje larg.

Në nesret i ati po vonohej. Kështu e kishte punën, herë-herë harrohej edhe me ndonjë shok. Jo, me shokë nuk vonohej kurrë, pa njoftuar. Nuk e linte kurrë të bijën vetëm. Siç nuk e ishte lënë as Rinën vetëm. Të dielave.

Ai u vonua shumë. Ku je, babi? Nuk erdhi as për darkë. Vajzën e zuri gjumi në divan, duke e pritur. Televizori ndezur.

Nëpër ag cingërroi telefoni i shtëpisë. Vajza çeli sytë, e trembur. S’e kuptoi pse ndodhej në divan. Në telefon zëri i motrës, nga Greqia. Mbërrini more? Kush?, i tha vajza, ende përgjumësh. Mbërrini mami? Është nisur me autobusin e natës. Nuk. Mami!, motra e vogël nisi me e mbledhë veten. Jo, s’ka ardhur, pse nuk na njoftove kur u nis? Prit, po troket dera. Sa ta çel derën, mos është ajo. A thua prandaj qenka vonuar babi?, i fektoi ndër mend vajzës. Do ta ketë njoftuar mami se është nisur me autobusin e natës, ai ka dashtë me e pritë. Mami?, thirri duke ulur dorezën e derës. Në derë u shfaq nënë Cikoja. E bardhë në fytyrë. Ishin fqinj derë në derë.  Ku është babi, moj? Zëri i gruas me një kumbim të largët, sikur dilte prej nëndheut.  Ku është Dashi moj çupë, ka ardhur a s’ka ardhur në shtëpi? Zëri i nënë Cikos u ça dyzash.

Gjysmë ore më përpara policia kish nxjerrë një makinë të vjetër ZUK nga shpellat e lumit. Në pjesën e poshtme të gojës grahësit i mungonin tre dhëmbë. Nëpër frengjinë ku qe dorëzuar dhëmbi i tretë, kishte rrjedhur pak gjak, që s’e kishte larë dot lumi. Kësaj ç’emër t’i vesh, kish thënë shefi i policisë, dukur hurbur kafen, i përhumbur në mendime. Pse dreqin me tërë atë shpejtësi, ai nuk qe i ri.

ObserverKult


Lexo edhe:

Mehmet Elezi: Tej një “legjende urbane” për Krasniqen