
Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është shkrimtari, Mehmet Elezi.
Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?
– Pa emocionet e takimit të parë në dashuri (qesh). Vëllezërit e mi më të mëdhenj lexonin, sillnin libra nga biblioteka, blinin kur u binte një lek në dorë. Kur u botua “Iliada”, shqipëruar mjeshtërisht prej Gjon Shllakut, në një gegnishte letrare, Nana i mblodhi një nga një lekët e m’i dha me e ble. Të njëjtën gjë do të kishte bërë im atë, që kishte ikur i ri. Edhe sot di për mendësh vargje të tëra prej “Iliadës” së Shllakut. Nana e mbante mend krejt Eposin e Kreshnikëve, përralla pa fund, legjenda, rite, fjalë të urta. Prej saj i kam dëgjuar qysh fëmijë këngët epike për Luftën e Kosovës (1389) e për Millosh Kopiliqin. Letërsinë e kam thithur pak nga pak me ajrin e shtëpisë.
Kur ratë në “grackën” e saj?
– Në klasë të dytë fillore më thërret mësuesja, zojushë Sofa. Do të na shkruash një vjershë për festat e Nëntorit? Ta vemë në gazetën e murit! Kujtova se kërkonte me kopjue me bukurshkrim, ndonjë poezi nga libri i këndimit a nga gazetat. Jo, me e thurë ti vetë, thotë. Në klasë kishim mësuar “Ja na erdhi Viti i Ri/ Plot me shpresë e lumturi”. E përshtata afërsisht “Ja tash festat po na vijnë/plot me shpresë e lumturi”, mbase më ndihmoi dikush i shtëpisë. M’u duk vetja i rëndësishëm kur më thanë do të bëhesh si Sokol Arifi, rapsodi i qytetit, që ngjitej nëpër podiume e recitonte, veshur me tirq, jelek e kapuç të bardhë. Kështu fillova me u ndie “poet”.
Dy vjet më pas, një këngë e moçme me çifteli, kënduar në një dasmë, ma dau frymën. Kënga fliste për dy palë krushq që vriten me shoqi-shoqin në një shteg të ngushtë (s’e kujtoj shkakun), dasma bëhet vdekje, nuset bëhen korba. Vendosa me shkrue një “dramë”, diçka si “Halili dhe Hajria” e Kolë Jakovës. E titulloj “Dy dhandrrat”, shkruaj “aktin e parë”. Pres me padurim mos vjen nga Tirana ndonjë gazetar a inspektor i ministrisë për shkollën, me ia tregue “veprën” time, që mbeti gjithnjë te “akti i parë”.
Shkruaja poezi sipas modeleve që lexoja, ia dërgoja gazetës “Pionieri”. Më shumë nuk botoheshin, se botoheshin. Kur nuk botoheshin, më kthenin përgjigje me shkrim. Kur botoheshin, më çonin një honorar të vogël. Turresha në librari me ble ndonjë libër.
Ciklin e parë me poezi ma ka botuar shkrimtari Vath Koreshi në faqjen letrare të “Zërit të Rinisë”. Një ose dy muaj pasi kisha ardhur në fakultet, në vit të parë.
Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?
– Më ndodhte me u ndalë gjatë leximit të një libri. Jo, këtë duhej ta kishte shkruar kështu, i thoshja vetes për ndonjë ndodhizë a imtësi. Më vinte keq që s’e kishte shkruar siç mendoja unë. Ishin fillimet e shtalbnisë (adoleshencës).
A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?
– Thjesht nuk mund të rri pa shkruar. Në shtëpi e kuptojnë menjëherë kur s’kam ndonjë punë në dorë. Ndihem thatë (bosh), lëvizjet i kam disi nervoze.
Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?
– Ndoshta mund të thonë diçka të tjerët. Ardian Marashi, ish-drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike (tashti në Paris, punonjës shkencor në Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale), shkroi parathënien e romanit “ADN-ja e korbave” (2009). E fillon kështu:
“I matur, por me siguri dhe me profesionalizëm, Mehmet Elezi po afirmohet si romancier i ADN-së shqiptare. Mbas romanit “Ujdhesa e askujt”, ku lexuesit i propozohet një parabolë origjinale e zanafillës së jetës sociale mbi tokë, me gjithë konfliktet, paradokset dhe përafërsinë që presupozon një fiksion i tillë, Mehmet Elezi risjell, në një formë më të arrirë, një tip rrëfimi jo fort të eksploruar në letrat shqipe…”.
Ngjashëm janë shprehur në shkrimet e tyre Hamit Aliaj, Lazër Stani, Arbër Ahmetaj… Ashtu siç ka të tjerë që mund të mendojnë ndryshe. Hamiti pat shkruar “M. Elezi punon në vetmi murgu”. Nuk kam promovuar kurrë një libër, nuk i them kujt me shkrue për librat e mi, nuk telefonoj nëpër televizione që të më ftojnë, nuk marr pjesë nëpër konkurse letrare. Kjo nuk i ndihmon librat me e ça tregun. Tregu i librit është i rrokopujshëm, nën trysni paragjykimesh e bërrylash. “Qëkur jam bërë shkrimtar, kam zbuluar se jam i njëanshëm, thotë Umberto Eko. Ose mendoj se një roman i ri është më i keq se i imi dhe nuk më pëlqen, ose dyshoj se është më i mirë se romanet e mia dhe nuk më pëlqen”. Të njëjtën gjë thotë Hemingueji, personazh në filmin “Mesnatë në Paris” të Udi Allenit (Woody Allen). Kur ndodh kështu në Perëndim, po te ne?
Çka keni thënë me shkrimet tuaja?
– Shpesh lexuesi zbulon në libër tjetër gjë nga ç’mendon autori.
Çfarë ju ka mbetur ende pa thënë?
– Më dhembin njëzet vjet divorc i padëshiruar me letërsinë, i diktuar prej rrethanave. Çova për botim përmbledhjen me poezi “Zhurmojnë ujvarat”, kur isha student (1969), mbeti ndonja një vit në shtëpinë botuese. Një emër i njohur i letrave të kohës kishte shkruar se aty nuk përmenden partia, socializmi, udhëheqësi. Pas kësaj recense kush guxonte me e nënshkrue për botim?! Dikush propozon me ia çue Kadaresë. Falë vlerësimit me shkrim të Ismailit, libri hyri menjëherë në shtyp. Revista e Lidhjes së Shkrimtarëve “Nëntori” (maj, 1971, S. Mato), shkroi se ”për nga niveli artistik”, përmbledhja ”Zhurmojnë ujvarat” “qëndron në dy-tre librat më të mirë poetikë që kanë dalë nga shtypi kohët e fundit”.
Më pas njëmbëdhjetë vjet në të përditshmen “Zëri i Popullit” nuk qenë miqësorë me shkrimtarin brenda meje. Markezi ka shkruar se punën në gazetë e shihte “më shumë si letërsi dhe jo gazetari” dhe mbërrin në përfundimin se “romani dhe reportazhi janë bij të një nëne”. Kjo e vërtetë e bukur është vlerë e shtuar e shtypit të lirë. Krejt ndryshe është një gazetari e mbikëqyrur me lupë aspak dashamirëse, një gazetari përherë në tension, ku ndihesh në teh të briskut. Letërsia është zonjë e rëndë, nuk pranon dashuri skutash. O jeto me të e kushtoju plotësisht asaj, o t’i le pendlat në dorë. Të jetosh me letërsinë në ngrehinën e një gazetarie, ku edhe një gabim shtypi mund të të çojë prapa diellit me farë e me fis, është luks, thjesht mision i pamundur. Brenda meje shkrimtari u turit, u trus. A thua kaq e pati? Mpirja vazhdoi edhe si inerci. Shkrimtari brenda meje më mbante huj, nuk më falte: pse më braktise?
Pas vitit 1990 u ktheva te dashuria e parë, letërsia. Shumë vite të moshës më të bukur, plot frymëzim e vlagë, ishin bjerrë. S’kishte qenë zgjedhje e imja. Kështu më kishte ardhur jeta.
I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?
– I përmbahem bindjes se asnjë vepër e madhe nuk kryhet pa frymëzim. Jo vetëm në art. Një frymëzim i thellë çliron energji të frikshme. Te një talent i madh frymëzimi çon në “çmenduri” krijuese. Një roman si “100 vjet vetmi” ose si “Zorba” i Kazanzaqisit mund të hidhet në letër vetëm duke jetuar në një botë paralele.
Sa jeni sistematik në të shkruar?
– Nuk i duroj kafenetë. Nuk ua fal minutat e mia ekraneve që prostituojnë. Nuk e vras kohën. Për mua ka më shume grat (rendiment) puna paradite, por shpesh punoj edhe mbasdite deri vonë. Kur kam ndonjë llampë të fortë ndezur, më del gjumi natën, një batanije krahëve dhe turrem te kompjutri.
Sikur të fillonit nga e para, do të bëheshit sërish shkrimtar apo jo?
– Kurrkund nuk e gjej veten më të plotësuar.
ObserverKult

Libra të botuar nga Mehmet Elezi
Prozë
– Dashnori, tregime, 2024
– Shtatëmbëdhjetë tregime me ujq, tregime, 2023
– Kalendari i Noes, roman, botim i dytë i rishikuar, 2022; botimi i parë, 2000
– Studio përballë zanave, tregime, 2022
– Vjedhja e nudove të ferrit, tregime, 2021
– Dita e tetë e javës ose shtatë-tetë përralla në një të vërtetë, roman, botim i dytë i ripunuar, 2020; botimi i parë, 1998
– Vajza pa numër telefoni, tregime, 2020
– Gruaja me dy zile, roman, 2019
– Një amerikan në Hotel Dajti, 31 tregime, 2018
– Piloti i qytetit nën borë, roman, 2017
– Dikush mungon në ballon e fundit, roman, 2016
– Violinë gruaje, roman, 2014
– Ftesë përmes reve, roman, 2012
– Romeo as Zhuljeta, roman, 2011
– Ngjarje në Hotel M., roman, 2010
– ADN-ja e korbave, roman, 2009
– Ujdhesa e askujt, roman, 2007
– Varri i Fatit, roman, Tiranë 1998; Paris 2002 (“Le tombeau du destin”).
Sprova (ese), shënime letrare dhe publicistikë
– Al-gomonia, 2021, publicistikë
– Heshtje varri për një djep të shenjtë, 2020, publicistikë
– Hebrenjtë dhe Republika e Kanunit, sprovë, botim i dytë i plotësuar, 2019; botim i parë 2013
– Shkrimtar pa leje, shkrime për letërsinë, artin dhe kulturën, 2019
– Nuk isha student i dhjetorit, sprovë, botim i dytë i plotësuar, 2015; botim i parë 2011
– Kosova midis politikës e realpolitikës, 1999, publicistikë
– Gjeostrategjia tjetër, 1996, publicistikë
– Shansi i tretë, 1993, publicistikë
– Ajo që më ndjek pas, 1990, publicistikë
Gjuhësi
– Gjuha e medias dhe “lemëza”, 2024
– Kongresi i Drejtshkrimit, një fëmijë i plakur, sprovë, 2023
– Fjalor i Gjuhës Shqipe – rreth 41 000 fjalë që nuk gjinden në FGJSSH, me shtjellime etimologjike, botim i 5-të, ALSAR, 2023; botimi i parë, Gj. Fishta, 2006
– Karakteri shqiptar dhe etimologjia e emrit “gegë”, sprovë, 2021
– Drejtshkrimi i gegnishtes ose gegnishtja e standardizueme – përgatitja për botim, parathania dhe shënimet nga Mehmet Elezi, 2021
– Dritëhije në Fjalorët e Akademisë – gjuha shqipe apo gjuha e “fshatit tim”? – sprovë, 2018
– Kush i nemi “Bjeshkët e Nemuna” – çështje të toponimeve e të kulturës popullore – 2017
– Fjalor me emra njerëzish – 31.000 emra iliro-shqiptarë – 2015
– Gjuha shqipe dhe ëndrra e një nate vere, sprovë, 2012
– Gjuha shqipe me një mushkëri, shkrime dhe intervista, 2009
– Gjuha shqipe në bunker?!, sprovë, 2005
Poezi
– Ulurimë ujku, 2010
– Nën një flok të përlotur bore, 2005
– Kurrë s’jam ndalur, 1996
– Zhurmojnë ujvarat, 1970
Lexo edhe: