Vite apo Vjet? nga Mehmet Elezi
Shumësi i emrit “vit” del në dy trajta: “vite” dhe “vjet”. Media po e kryqëzon trajtën “vjet”. Shkruajnë:
-ka njëzet vite në punë;
-u takuan pas katër vitesh.
Duhet:
-ka njëzet vjet në punë;
-u takuan pas katër vjetësh.
Pse?
Shumësi “vjet” përdoret kur shoqërohet me numër ose me ndajfolje sasie.
-100 vjet pavarësi (jo 100 vite);
-kanë bashkëjetuar disa vjet (jo disa vite).
Kur nuk shoqërohet me numër ose me ndajfolje sasie përdoret “vite”:
-vitet e rinisë (jo vjetët e rinisë);
-vitet që ishte në UÇK (jo vjetët që ishte në UÇK).
I njëjti rregull në fjalët e përbëra:
-miliona vjet-dritë (jo miliona vite-drite).
ObserverKult
—————————
Lexo edhe:
MEHMET ELEZI: “DYZET”, PSE JO EDHE KATËRDHJETË?”
Dritëhije në fjalorët e akademisë
Numrori “katërdhjetë (katërdhetë)”, madje edhe një emër i formuar me të, “katërdhetëkambësh”, ka qenë pasqyruar në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, 1954.
Përdoret gjerësisht në të folurën e përditshme, del në vepra madhore letrare dhe folklorike: “Ishin katër, po sa për katërdhetë” (Kanuni i Dibrës). “…mezi ka vetëm katërdhjetë vetë…” (Gj. Fishta, Vepra letrare, 9). “Kusha tash katërdhetë vjet e mâ asht te na” (E. Koliqi, Tregtar flamujsh, tregime).
Në fjalë të urta: “Deri në katërdhetë vjeç mjeshtrat ndërtojnë; mas katërdhetës nisin me çartë” (metaforë për shëndetin e njeriut); “E keqja ec me katërdhetë kamë”; “I get (ngjan) miki mikit katërdhetë vjet përpara” (krahaso “Krushqia ngjan, pa bëhet”); “I zoti i shpisë duhet me i hangër katërdhetë ka(f)shatë ma shumë se miki”; “Ujët si kalon katërdhetë gurë, mund të pihet”.
Në paragjykime: “Llahusa nuk duhet me dalë prej odës (qylerit) për katërdhetë ditë”; “Katërdhetë ditë llohusa e ka vorrin çelë”.
Në barnatime (mjekime) popullore: “Për me u shndoshë prej majasilit (ekzemës) duhet me e hangër çdo ditë ka ni hudër në testull (esëll) katërdhetë ditë rresht”.
Tekstin e plotë mund ta gjeni KËTU
ObserverKult