
Lament për teatrin e dramës
(Ose: Si e zhdukëm teatrin e dramës pa asnjë gjurmë)
Nga Mehmet Kraja
Në një postim që e kisha bërë para një viti dhe që ma solli në kujtesë Facebook-u, kisha shkruar “Lament për teatrin e dramës në Kosovë dhe në Shqipëri”. Lament i bie me qenë vajtim, nëse dikush nuk ia di kuptimin kësaj fjale. Këtë “vajtim”, me zë dhe pa zë, u përpoqa ta them në një konferencë shkencore që u mbajt në Akademi për dramën shqipe të shekullit XXI, në të cilën realisht nuk u trajtua asnjë problem, vetëm se (vetëm se, vetëm se!) u ngritën ca “përmendore prej kashte” për disa autorë që thjeshtë kurrë nuk kanë ditur kurrë dhe akoma nuk dinë ta shkruajnë dramën, por statusi i tyre prej “oligarkësh të letërsisë” ua jep mundësinë të jenë të apostrofuar.
Por ky nuk është shqetësimi im. Thjeshtë dua ta shfrytëzoj këtë “memorie” të Facebooku-t për të bërë të ditur një marrëzi tonën të pashembullt, të jashtëzakonshme, të thuash kombëtare: e zhdukëm teatrin e dramës pa asnjë gjurmë! Nuk ka më “Ervehe”, nuk ka më “Shtëpia në Bulevard”, nuk ka “Në pritje të Godosë”, nuk ka “Arturo Ui” dhe dhjeta drama të tjera që shënuan epokën në skenat shqiptare. Nuk ka më as Eskil, Shekspir, Molier, Shiler, Gëte e Gogol; nuk ka as Pirandello, Sartër, Kamy, Breht e Beket! Madje nuk gjenden gjëkund as Çajupi, Floqi, Paçrami, Agolli, Anton Pashku, Teki Dervishi, Ymer Shkreli, Musa Ramadani, Beqir Musliu etj. Në vend të tyre kemi ca “çuna dhe goca” dhe ca shfaqje të pjerdhta (faqe me nder!), ca performanca teatrore, të cilat të bëjnë të kujtosh me pietet madje edhe “Kryet e hudrës”, “Makaronat e shejtanit” ose “Nuk martohem me pare”!
Zot, çfarë degradimi!
Nuk besoj që gjendet as një vend tjetër dhe as një komb tjetër, përfshirë edhe këtë Ballkanin e rrjeptë, që me kaq zell zhduk pa gjurmë teatrin e dramës, siç kemi vepruar ne!
ObserverKult

Lexo edhe:
MEHMET KRAJA: PËR SHTJEFËN GJEÇOVIN NË 150-VJETORIN E LINDJES






