Nga Meira Delmar
PËR DASHURINË
Kanë kaluar mijëra vjet, qysh kur njeriu u armatos me të folurit dhe e bëri gjuhën alter-egon e tij, duke ekspozuar në mënyrën më të mirë qenien, mendimin dhe ndjenjën e tij intime. Qysh atëherë, dëgjohet këtu dhe atje, kudo, e njëjta pyetje: Çfarë është dashuria? Ku mbështetet dhe nga burojnë rrënjët e saj? Është e çastit apo e përjetshme? Cilat janë shenjat e saj dhe treguesit e pranisë së saj? A qëndron me njeriun përkohësisht, apo përgjithmonë?
Dhe përgjigje ka pasur. Dhe jo nga çdo buzë, por nga ato të prekura nga magjia – drita dhe hija – e njohjes së thellë, e mençurisë pa mangësi.
Lope de Vega, në kryqëzimin e dy shekujve të ndritshëm, ishte i pari që e tha, me fjalën e tij të pasur me ngjyra dhe shije, në të cilën gjendeshin të gjitha nuancat e imagjinueshme. Më vonë Gabriela Mistral, e plagosur keqas nga e pamundura, ajo u dha alarmin atyre që besonin te dredhitë dhe mashtrimet e sulmuesit, ajo që ishte e caktuar për dafinën e fitores. Ndonjëherë besojmë se si ai edhe ajo na kanë zbuluar të fshehtën dhe na kanë deshifruar enigmën. Pra, ajo që tregojnë ata, është dashuria, të cilën ne e shprehim me një vështrim gëzimi, për t’ia arritur asaj.
Por tjetri që na gjallon, ai që na shikon nga brenda, papritmas zbulon se jo, se gjithçka nuk është përfunduar, se ende mungon diçka, se na ka ikur një tipar, një veçori, një… nuk e di se çfarë mungon në pamje… Pa dyshim, ajo çka i përket misterit.
Dhe ne mbetemi përsëri statikë, gjysmë të humbur në një pyll mjegullash, dhe përsëri, në zemrat tona, tingëllon pyetja pa përgjigje. E njëjta gjë që vazhdon të çohet në njëmijë e një zëra, përmes rrugëtimit njerëzor në këtë tokë.
Dashuria. Kush mund ta mohojë ekzistencën e saj? Kush nuk është romantik? Ruben Dario ka thënë: Kush është ai që nuk ka vuajtur apo nuk është lumturuar – gëzim dhe hidhërim – nga dashuria?
Dhe përherë pyesim: Po, po. Por çfarë është dashuria?
(2000)
Meira Delmar është pseudonimi i Olga Isabel Chams Eljach (Kolumbi, 1922 – 2009) – poete kolumbiane me origjinë libaneze.
Përktheu nga origjinali spanjisht Bajram Karabolli
Lexo edhe: