Shqipëria është një nga të paktat vende që gjatë Luftës së Dytë Botërore ua hapi dyert hebrenjve që ndiqeshin nga nazistët.
Ndaj, në kujtim të jetëve të humbura në Evropën e atyre viteve të errëta dhe në nderim të shqiptarëve që hapën shtëpitë e tyre të varfra për t’i strehuar dhe mbrojtur, Tirana tashmë ka një memorial në Kodrat e Parkut të Madh të Liqenit Artificial. Është quajtur Memoriali i Holokaustit.
Në ceremoninë e përurimit të enjten kanë marrë pjesë kryeministri Edi Rama, ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, ambasadori i Izraelit, Noah Gal Gendler, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe pasardhës të familjeve që shpëtuan hebrenjtë.