“Mental furniture” dhe shqiptarët

“mental furniture”

Në botën shqiptare dija shkencore nuk bën pjesë në atë që anglezet e quajnë “mental furniture”, madje as te këta që kanë grada akademike. Termi “mental furniture” mund të kuptohet si korpusi i njohurive, dijeve dhe diturisë në përgjithësi që njeriu i fiton përgjatë viteve.

Nga Fadil Sahiti


Sot (ndoshta) ne lexojmë shumë më shumë sesa kemi lexuar më parë. Kemi shumë më tepër burra dhe gra inteligjente që lexojnë romane dhe ndonjëherë shohin edhe shfaqje. Lexojmë shumë më tepër gazeta (elektronike, sepse të shtypura nuk kemi më).
Po ashtu lexojmë revista politike mbi të cilat formojmë dhe pikëpamjet tona politike. Pastaj lexojmë edhe artikuj me përmbajtje ekonomike. Kur kësaj i shtojmë edhe pak përvojë pune, krijojmë ‘teori ekonomike origjinale’ të cilën e quajmë ‘shkencë’. Veçanërisht, sot lexojmë shumë më tepër libra historikë dhe biografi dhe këtë e nivelizojmë me ‘dije historike shkencore’, edhe pse historinë tonë vazhdojnë ta shkruajnë të huajt.

Shkurt e shqip, ne lexojmë shumë më tepër sesa kemi lexuar dikur, por ajo që quhet dija shkencore për neve vazhdon të mbetet një ‘libër i mbyllur’. Nuk them se nuk kemi njerëz që përpiqen të prodhojnë dije. Ka disa, por ka pak. Dhe ata që janë injorohen rëndë.


Teksa një ditë po kthehesha nga puna, po dëgjoja një debat në Radio Kosova mes një djali të ri që përpiqet të merret me shkencë – dhe lakejve të qeverisë. Po diskutohej rritja e çmimit të energjisë elektrike. Ky djali i ri përpiqej të shpjegonte problemin bazuar në teori shkencore dhe në fakte empirike. Ata që i shërbenin padronit të tyre (qeverisë) bënin rolin e zhurmuesit, nuk lejonin artikulimin shkencor të problemit; e stigmatizonin, e quanin dashakeqës, qëllimkeq djalin e ri…
Fatkeqësia më e madhe është se zhurmëbërës nuk ka vetëm në qeveri. Zhurmëbërësit më të mëdhenj janë ata që kanë pushtuar amfiteatrot dhe klasat e universiteteve tona, ‘profesorët universitarë’; ata që kanë pushtuar akademitë e shkencave e që luajnë rolin e strucit.
Edhe po të doja nuk mund t’u bëj diagnozën se kush janë në të vërtëtë këta njerëz. Por, me aq pak sa kam arritur t’i njoh, nëse tezat e tyre mbi të cilat kanë marrë gradat shkencore do t’u nënshtroheshin kritereve të mirëfillta akademike, pak prej tyre do të quheshin akademikë.
E di që disa lexues këtë deklaratë do ta quajnë pretencioze. Kanë të drejtë, sepse ne shqiptarët pretenciozitetin e kemi në kulturë. Ndërkaq edhe unë jam shqiptar. Ne (edhe unë) vuajmë nga dëshira për t’u dukur, për të qenë një ‘alfa personality’.
Dhe për t’u dukur, ne hedhim baltë mbi të tjerët. A nuk jemi ne ata që baltosim edhe figura emblematike shqiptare si Gjergj Kastrioti apo Nënë Tereza?

ObserverKult

Lexo edhe:

EDUARDO GALEANO: DUHET TË KEMI GUXIMIN PËR TË QENË EDHE VETËM…