Mentor Haziri: Këndoni Live!

Këngëtari ferizajas Mentor Haziri i cili përmes zërit të tij të veçantë ka krijuar ndër vite këngë të bukura e bashkëpunime që edhe sot dëgjohen me të njëjtnë ëndje, thotë se nuk e ka ndërmend të ndalet. Kjo sidomos, kur sipas tij, edhe pas shumë vitesh në skenë këndon këngët së bashku me publikun dhe dëgjon e sheh komente tepër frymëzuese nga ata.

Intervistoi Lindita Canolli Fejzullahi/ObserverKult

Kur ka dalë në pah talenti juaj për muzikën ?

Mentor Haziri: Talenti im ka dalë në pah që fëmijë kur isha në korin e shkollës. Pastaj në programe të ndryshme në RTP atë kohë por ja që kur bëra këngën unë u mbyll ky televizion. Pastaj me miq nga Ferizaji bënim muzikë nëpër garazhe e shtëpi private.

Keni përfunduar shkollën e mesme për mjekësi, por a mund të na tregoni kur e morët ‘vulën’ se do të merreni me muzikë?

Mentor Haziri: Unë realisht gjithmonë me muzikë kam dashur të merrem. Në kohën kur doja të studioja në Prishtinë filloi lufta dhe kishte postblloqe nëpër rrugë të ushtrisë serbe.  Prindërit e mi nuk më lejuan që të udhëtoj në Prishtinë çdo ditë sepse ishte rrezik prandaj dhe bëra shkollën për mjekësi në Ferizaj.

A ju kujtohen emocionet që keni pasur në shfaqjen e parë para publikut?

Mentor Haziri: Po, shumë mirë më kujtohen. Dalja e parë në publik ka qenë atëherë në një shkollë të improvizuar gjatë ’90-ve, pra një godinë me një sallë të madhe kur pata kënduar dhe normalisht kam pasur emocione interesante e të brishta. Këngë kreshnike këndonim në atë kohë për ta mbajtur gjallë idealin kombëtar. Kurse provat ditëve tjera me bendin tim i bënim nëpër garazha, këndonim këngë të Nirvana-s, Pearl Jam e të tjera…

Keni marrë çmime e vlerësime, sa është e vështirë ditët e sotit me qenë një këngëtar i mirëfilltë?

Mentor Haziri: Sot është një katrahurë e madhe sa i përket asaj se sa është e vështirë për të qenë këngëtar tamam. Pra, goxha e vështirë pasi që platformat mediale sot përkrahin e lansojnë muzikë që gjuhë ka seksizmin, dhunën e mizogjininë dhe pa asnjë turp lansojnë këngë me tituj ‘kokaina’, ‘kokaina’… Kurse një këngëtar që synon t’i këndoj dashurisë e paqes problem me u bë pjesë në televizionet tona sot, fatkeqësisht.

Keni kënduar me grupin ‘Kthjellu’ për disa vite me radhë, por ka disa vite që nuk jeni në atë grup. Pse?

Mentor Haziri:  Unë e kam formuar atë grup dhe i dhash fund pasi që isha vetëm, kurse miku im që ishim bashkë Andosi nuk ishte për disa vite në Kosovë prandaj dhe ishte e vështirë që të mbahet një grup në atë mënyrë.

Sido që të jetë solo karriera ka rezultuar shumë produktive dhe e bukur, gjithashtu edhe Andosi nga ish grupi ‘Kthjellu’ po bën albumin tani.Pse jo…

Një këngë e juaja është lansuar në MTV . Në tërë botën, flitet për ‘Tonight is your night’ , një kampanjë kundër trafikimit të qenieve njerëzore bashkë me Angelina Jolie, Radiohead, Placebo, Muse etj. Çka mund të na thoni për të?

Mentor Haziri: Kënga ‘Tonight is your night’ është kënga e parë në historinë e muzikës shqiptare që është lansuar në MTV networks nëpër të gjithë botën si pjesë e kampanjës kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Nëpër botë njerëzit më shkruanin dhe më thonin ‘je në MTV on top Spot’.

Kënaqësi ka qenë por edhe prodhova një këngë që i dha dritë kësaj kampanje dhe u pëlqye jashtëzakonisht nga drejtori i MTV në atë kohë.

Kjo këngë u nominua po ashtu për ‘Best Adria Act’ në MTV EMA 2010 në Madrid të Spanjës.

Sapo keni mbajtur një koncert recital në promovimin e albumit ZANI. Na thuani diçka ma shumë për albumin, nga erdhi inspirimi dhe me kënd e realizuat ?

Mentor Haziri: Albumi ZANI është një rikthim tek rrënjët, një tribut për Malësinë si krahinë identitare e rrënjëve tona ilire, aty jam inspiruar nga ‘Gjama e Burrave’ në Theth nga Vajza e Vuthajve, në fshatin Vuthaj etj. Të gjitha këto legjenda janë po ato që na bëjnë shqiptarë dhe vijnë të realizuara bashkë me muzikantët më të mirë që ka Irlanda. Është regjistruar në Dublin të Irlandës me producent dhe mik timin, Dave Mccune ku bashkë i kemi shkruar e kompozuar këngët.

Këngët e juaja janë me tema të ndryshme, kundër drogës, dashurinë e humbur etj. A synoni që gjithmonë të transmetoni një mesazh përmes këngëve apo thjesht ju pëlqen një tekst dhe vendosni menjëherë për atë?

Mentor Haziri: Po, besoj që përmes këngës mundësia për të përçuar një mesazh është shumë e madhe prandaj unë i këndoj dashurisë, paqes e lumturisë. Por ja që fatkeqësisht shumica e këngëtarëve zgjedhin t’i këndojnë dhunës e robërisë pa asnjë arsye.

Bashkëpunimet e juaja ende kujtohen dhe dëgjohen edhe pas sa vitesh me të njëjtën ëndje. Cili është sekreti i ‘jetëgjatësisë’. Shembull kënga me Alban Skenderaj ‘Diçka’, pastaj edhe me Flori Mumajesin.

Mentor Haziri: Po janë këngë që kanë vënë vulë në vitet që kanë shkuar dhe këndohen sa herë që i performoj nga publiku.

Si është raporti juaj me festivalet në Shqipëri. Sa mendoni se u jepet hapësirë artistëve nga Kosova atje. Kjo pas një reagimi të juajin më herët, ku edhe keni pasur replika nga artistët nga Shqipëria?

Mentor Haziri: Festivalet i ndërrojnë ekipet që zgjedhin këngët dhe prodhojnë festivalin. Unë pata reaguar sepse kënga nuk mu pat pranua fare dhe ishte qëllimshëm ashtu kundër meje.

Po tani besoj që ekipet kanë ndërruar dhe do të ketë hapësirë edhe për artistët nga Kosova.

Keni marrë pjesë shpesh në festivale, a mendoni se e kanë të njëjtën vlerë , rëndësinë, peshën siç e kanë pasur dikur?

Mentor Haziri: Mendoj që e kanë humbur diversitetin pasi që këngët janë të njëjta me të njëjtin ritëm repetitiv që në muzikë nuk bënë të jetë ashtu. Në të kaluarën në Top Fest për shembull ka pasur Pop Rock, Hip Hop shumë zhanre, shumë diversitete muzikore dhe lulëzonte muzika. Por, sot nuk është kështu.

Muzika e mirëfilltë  a mendoni se do të mbijetoj nga komercializmi që thuajse e ka përfshirë tregun muzikor?

Mentor Haziri: Nuk e di, mbetet të shihet por mendoj se duhet bërë një filtër nëpër TV tona mos të transmetojnë gjithçka vetëm e vetëm për të bërë klikime .

Cili është çmimi, apo vlerësimi më i veçantë që keni marrë përgjatë rrugëtimit tuaj në muzikë dhe pse?

Mentor Haziri: Vlerësimi është dashuria nga publiku që e marrë gjithmonë e saherë që këndoj ku ata m’i këndojnë të gjitha këngët e mia.

Përndryshe janë dhe çmimet e para që i kam marrë nëpër shumë festivale dhe po fakti që jam artisti i parë në histori që jam lansuar nëpër botë përmes MTV me 2010.

Live apo playback?

Mentor Haziri: LIVE gjithmonë

Ju shohim se lëvizni sa në Kosovë, Shqipëri, Irlandë. Madje në Irlandë, keni punuar edhe për projektet më të reja  . Pse e zgjodhët pikërisht këtë vend me bashkëpunu me muzikantët atje?

Mentor Haziri: Diversiteti muzikor, profesionalizmi i muzikantëve atje, dashuria dhe trajtimi i tingujve me dashuri e rëndësi të veçantë. Dhe jo si këtu një ‘Beat’ dhe hopa u bë kënga. Në Irlandë unë punoj në studio me një orkestër shumë të madhe për të prodhuar tinguj e melodi që të mbesin në mendje për kohë të gjatë.

Nëse ja lëshojmë një sy videove të këngëve tuaja në rrjetet sociale, na bien në sy shumë komente… pa fund komente pozitive si’ Këngët e juaja dëgjohen edhe sot”. Kur ju keni kënduar ka qenë tamam muzikë”, “bëni më shumë këngë”. Si i komentoni..?

Mentor Haziri: Ato komente janë një vulë tjetër që këngët që i kam bërë kanë qenë të duhura sepse i rezistojnë kohës dhe është një shtytje tjetër që të vazhdoj të krijoj hite të tilla.  

Porosia juaj për këngëtarët e rinj sot?

Mentor Haziri: Këndoni LIVE. /ObserverKult


Lexo edhe:

LEONARD COHEN: LUTUNI PËR NE!

Kush është më i pastër
E më i thjeshtë se ti?

Priftërinjtë luajnë poker me hajdutët

Policët i lënë krimet
bashkë me të mbathurat e tyre
në zyrë.

Ndërsa poetët tanë punojnë në banka
dalin në pension me këtë gradë vetëm për t’i kënaqur gratë!

Dhe ja kulmi i arritjeve tuaja shkëlqen, qarkullon në gjak si një farë argjendi
E unë, jam i prirur për t’u bërë copë
me përgjumjen e gazetave
duke i shmangur trupat e dorës së dytë
të cilët vdesin për famë.

Shpesh ëndërroj sikur kam të drejta hyjnore,
sikur jam kryeministër,
dhe braktis planet për gjakderdhje në Kanada.

Nën dritat e forta,
me instrumente të mjekëve
ti në punë ndryshon ligjin.

Kam prirje të shpërqendrohem
nga bombat e frikshme të hidrogjenit,
sikurse edhe nga mosmiratimi i xhaxhait tim
kur tradhtoj veshjet e burrave.

E gjej veten
Duke i besuar orëve publike
Akrepat gjuajnë konstant si busullë
E ju buzëqeshni si Navajo

Kur zbuloi naftën amerikane
në shkretëtirën e tij,
ku ka nga një surprizë çdo gjysmë ore.

Kam frikë se ndonjëherë e harroj
Paketën e bukuroshes time bionde
Që është një bombë me kohë amatore
E vendosur në moshën time të mesme, e cila mund të plasë në çdo çast,

Kam frikë se,
harroj akullnajat, se kam mendjen te bizelet,
kam mendjen te grumbujt e dhëmbëve të shtrenjtë.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult