Menzel – maestroja që përdori humorin për temat e vështira

Jiří Menzel u bë sinonim për një nga mjeshtrit e kinematografisë evropiane të shekullit të 20-të që përdori humorin për temat e vështira

“Komedia e mirë duhet të jetë për gjëra serioze. Nëse fillon të flasësh seriozisht më tepër se ç’duhet mbi gjërat serioze, atëherë ju katandiseni në karagjozllëk”. Me një përqasje të tillë në formë maksime, Jiří Menzel u bë sinonim për një nga mjeshtrit e kinematografisë evropiane të shekullit të 20-të. Tok me Miloš Formanin (me filmin “One Flew Over the Cuckoo’s Nest”) dhe Vera Chytilova (“Daisies”), ai formonte treshen sqimatare të rrymës New Wave në kinemanë çeke.

Fitues i “Oscarit”, Jiří Menzel ka vdekur në moshën 82-vjeçare pas një përçapje të pasuksesshme me problemet shëndetësore, ka bërë me dije të dielën e shoqja e tij, Olga Menzelová.

“I dashuri ynë Jiří, më i guximshmi prej të guximshmëve. Trupi yt i la shëndenë kësaj bote mondane në krahët tanë mbrëmjen e kaluar”, shkroi ajo në “Facebook”.

Prejse ishte operuar në tru në vitin 2017, ai rrallë shihej në publik.

Menzel ka fituar “Academy Award” më 1968 për filmin më të mirë në gjuhë të huaj me dramën e tij me subjekt nga Lufta e Dytë Botërore, “Closely Watched Trains”.

Duke folur mbi këtë çmim, Menzel më 2006 kishte thënë se ai “kishte pasur më shumë fat se arsye”.

“Më shumë sesa krejt çmimet e medaljet që mora për këtë film, unë e çmoj miqësinë jetësore me Hrabalin”.

Ky debutim i tij u mbështet në romanin e Bohumil Hrabalit. Pas triumfit me “Oscar”, Menzel do të bashkëpunonte shpesh me shkrimtarin e njohur.

“Gjithnjë e kam admiruar te Hrabali aftësinë për t’i parë njerëzit ashtu siç janë, me një perspektivë vërtet të pakompromis, por ai,megjithatë, i donte njerëzit. Nuk ishte mizantrop”, do të thoshte Menzel.

Në të ai gjeti një burim të pashtershëm të frymëzimit, siç ishte rasti me filmin “Larks on a String” më 1969.

Filmi portretonte jetën e njerëzve të anashnxjerrë nga regjimi komunist në të dikurshmen Çekosllovaki.

Filmi u xhirua në prag të trazirës së madhe politike të njohur si Pranvera e Pragës, një brydhje e ndikimit komunist që u shtyp me përdhunë nga ushtritë sovjetike në gushtin e 1968-s. Filmi u ndalua nga autoritetet dhe u rikthye në ekran vetëm pasi u shemb komunizmi me Revolucionin e Kadifenjtë më 1968.

I lindur më 23 shkurt 1938, Menzel ka studiuar për regji filmi në Pragë, duke diplomuar më 1962. Qysh në vitet ’60, ai ishte imponuar si një nga prijatarët e rrymës New Wave në kinemanë çekosllovake.

Ai fitoi edhe çmimin “Ariu i Artë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin më 1990. Menzel ka qenë edhe regjisor prodhimtar teatri, sikundër edhe aktor dhe shkrimtar, dhe për këtë arsye ishte nderuar edhe me titullin francez “Kalorës i Arteve dhe Letrave”. Si aktor, ai pati 75 performanca filmike.

Filma të tjerë të Menzelit të mbështetur në librat e Hrabalit janë: “Shortcuts” (1981) dhe “The Snowdrop Festival” (1984). Kurse “Sweet Little Village” i vitit 1985 i solli atij një nominim për “Oscar”.

Pas Revolucionit të Kadifenjtë, Menzel xhiroi filmin “The Beggar’s Opera” (1991), duke përdorur një ekran nga dramaturgu disident çek që më vonë u bë president, Václav Havel.

Më 2006 ai xhiroi filmin e tij të fundmë të frymëzuar nga Hrabali, “I Served the King of England”.

Gjatë viteve ’90, Menzel u bë sërish aktiv si regjisor në teatro të ndryshme në Pragë dhe në skena gjithandej Evropës, përfshirë Comédie-Française.

Më 2018, Menzel u paraqit në filmin e Martin Sulikut, “The Interpreter”, që u shfaq në programin special të “Berlinales”, ku të njëjtin vit festivali i mirënjohur e nderoi atë me çmimin për arritje jetësore “Berlinale Camera”.

“The Guardian”, “Deutsche Welle”, “BBC”