Mërgim Bekteshi: Lindur së prapthi, për të prishur magjitë e shoqërisë

kam me ardhë si deka mërgim
Mërgim Bekteshi

Nga Mërgim Bekteshi

Në kohën e shembjes së diktaturave, turren me vrap i madh dhe i vogël për të rrëfyer tmerret dhe ngjarjet që kanë përjetuar, në këtë mes, me një dozë të lartë të kritikës, shpeshherë të çoroditur, janë shkrimtarët të cilët përpiqen me mish e me shpirt të paraqesin edhe njeriun e revoltuar, siç do ta quante Kamy në eseistikën e tij.

Ndoshta kjo është praktikë e mungesës së guximit të popujve të vegjël, por nganjëherë edhe të të mëdhenjve që ndrydhin lirinë e individit e të një shoqërie të tërë për shkak të tekeve herë-herë kanunore e grupore, duke mos reflektuar qenien shoqërore që mban vetëdije për veprimet e veta.

Në një vend si Shqipëria që jo shumë kohë më parë doli nga zgjedha e kësaj ndrydhjeje të lirisë individuale e shoqërore duke krijuar më pastaj thyerje të normave shoqërore, prapë janë shkrimtarët të cilët do ta tmerrojnë lexuesin për gjendjen që kishte kaluar një popull i vogël brenda një karantine ideologjike, duke reflektuar mizori e gjithçka tjetër që mund të gjejmë në fjalorin e shqipes.

Rita Petro, të cilën më shumë e kam çmuar për vargjet poetike të guximshme, që rrahin me kamxhik pasivitetin shoqëror e shpeshherë pervers, por që kur iu shpalosen maskarallëqet, dinë të nxjerrin sy për lartësinë e moralit shoqëror, në vitin 2022, me shtëpinë e mirënjohur botuese Onufri nxori në letër romanin e saj Lindur së prapthi, apo siç do ta quante gjyshja nga babai i saj Lindur anapodha.

Ajo tani provoi edhe një herë guximshëm sikur në poezi, të rrëfente për të vërteta që fshihen brenda shoqërisë e individit që mbahen për të moralshëm, por në veçanti mendja e tyre është aq fluturuese dhe e kobshme për të menduar me egon e mbushur me pisllëqe.

Tashmë në prozë, për lexuesin kemi për temë jetën e saj që nga lindja, pastaj fëmijëria, adoleshenca, që vështrohen dhe analizohen tani me mendjen e saj të pjekurisë.

Ajo tani nuk vrapon pas ëndrrës, siç do të thoshte Borges kur analizon makthin dhe poezinë latine kur një lepurush ndjek një lepur tjetër, por një dëshpërim tjetër, që shoqëria duhet ta mësojë: se nuk ishte vetëm diktatura qendra e vëmendjes, kishte edhe tema të tjera po aq bizare e të shëmtuara, që mbuloheshin, madje që mbaheshin për të virtytshme nga shoqëria.   

Por çfarë ishte ky virtyt shoqëror që shkrimtarja Petro do ta manifestojë hapur duke tkurrur ekuivalencën drejt ligjit të Njutonit për të vënë në spikamë se çfarë është më saktë njeriu kur në mendje ndrydh cytjet e tij?

Rita Petro ka personazh vetveten, lindjen dhe rriten e saj, të menduarit vjen me një soditje reale plot çiltërsi duke mos rrokullisur tema vetëm për shtetin brutal, por tema që rrokullisin individin dhe shoqërinë në një mjedis kur arsimtari me dije dhe veprim mendon të ketë seks me nxënësen e vet apo kur ajo shpalos se çfarë ndodh me jetën e vajzës së re kur shfaqet puberteti dhe dëshira e fortë që nuk ka frenim apo edhe alternativë.

Pra, vjen çasti, siç thotë Kamy te “Miti i Sizifit”: duhet të zgjedhësh mes soditjes dhe veprimit, Zotit apo kohës, kryqit apo shpatës. Petro gjen ngushëllim më ndryshe, e vetëdijshme se edhe mund të therorizohet, por nuk e mban mendjen te lavdia. Ajo është vetvetja, gjithmonë e gjithnjë.

Lexuesi i devotshëm, kur lexon Lindur së prapthi,diçka që ka kaluar vetë në ato labirinte, sidomos gjinia femërore, ngjarje herë të pështira e herë me dozë të kënaqësisë, nuk duhet të frikësohet nga ndjenjat e përziera, sepse kur ndeshemi me arte te bukura apo, po e citoj Borgesin: Ne  ndiejmë poezinë ashtu siç ndiejmë praninë e një femre, ose fqinjërinë e një mali, a të një gjiri,tani, e përsëris, kjo nuk duhet të na frikësojë, janë të tjerët që bazën e moralit shoqëror e degradojnë në emër të moralit dhe pastaj po ata i bien fyellit me një vrimë, siç thotë George Orwell.

Pra, zgjimi i gjumashit në emër të përparimit, krijon një dualizëm shpeshherë të çuditshëm që reflekton kritikë, kokëçarje e fyerje deri në palcë.

Ndoshta këto barriera shoqëria nuk është mësuar t’i shohë me syrin e kritikut apo edhe si pozitive, por gjithmonë duke linçuar diçka si të përdalë.

Ajo që nuk mund të stigmatizohet dhe gjykohet drejt pa një konkluzion të Hobbsit është e paprekshme kur reflekton te qenia homosapiens: që i forti nuk zgjedh mjete për t’ia  arritur qëllimit.

Në këtë pikë të diskutimit dhe distancimit kohor, Rita Petro lufton e vetme edhe si personazh në roman, po ashtu edhe si autore, shpesh ky guxim ka barrën e përgjegjësisë sikur barra e provës që kërkohet në gjykatë nga postulati romak Më jep provat të jap të drejtën,por kjo di të mos shkëlqejë, këtë autorja e reflekton me mjeshtëri, ta zëmë kur një poezi e saj e thurur me mjeshtëri nuk mund të kalojë filtrat pa ngacmimin pervers të redaktorit të poezisë.

Shikuar në rrafshin letrar, romani ka një strukturë të menduar thellë, kemi prologun, pastaj për çdo titull ka një si parathënie që ndërlidhet me një etapë kohore, por fillimisht atë që mendon i rrituri ndërkohë që kujtimet hapërojnë dhe kthehen në kohën e fëmijërisë e rinisë dhe kështu vazhdon deri kur ndeshemi me epilogun.

Kur flasim për gjuhën, Rita Petro i qëndron besnike standardit, edhe pse herë pas herë ka ndryshime të vogla dialektore që tregojnë njohuritë e saj gjuhësore.

Temat e rrëfimit të mbajnë të lidhur, sidomos kur paraqitjet janë të çiltëra dhe rrëfehen pa asnjë fije dyshimi e ngurrimi. Rita Petro ka dëshmuar se nuk është mjeshtre vetëm në poezi, por edhe në prozë, temat që shtjellon akoma rrëqethin shoqërinë, prishin magjitë mashtruese të saj.

ObserverKult


Lexo edhe:

MARIANGELA GUALTIERI: TANI NUK KAM FRIKË NGA ASGJË…

Poezi nga Mariangela Gualtieri

Kam qenë një vashëz në kopshtijen e trëndafilave, një nimfë.
Gati fantazmë që po davaritej.
Kam qenë një vashëz 16-vjeçare, hapësirë.
Përshkova shkretëtirën ngutshëm,
gati fluturimthi.
Një statujë e gurtë e Budës duke fjetur,
një Budë hiri isha.
Një grua lavjerë në hapësirë.
Kam qenë një burrë kryeneç dhe i fortë.
Një e shqëndruar me një peshk në gojë
dhe mandej
fëmijë perandori në kopshtin oriental.
Një pemë kam qenë, ndoshta.
Një mi. Një elefant. Një lepur.
Kam qenë fushëbetejë dhe një lutje.
Një lulëkuqe. Një planet i tërë.
Ndoshta një yll. Një lagunë.
Ujë kam qenë, këtë e di.
Ujë dhe erë kam qenë.
Një shi mbi diçka që më parë kisha qenë.
Një betim. Një pritje.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult