Meri File: Sekretet profesionale asnjëherë nuk thuhen… por janë të bukura dhe mbeten sublime!

meri file

Artistes vlonjate Meri File qysh në moshën e hershme të fëmijërisë i rrahu fort zemra për pikturën. Rrugëtimin e saj artistik nuk e ndalën asnjëherë sfidat e paraqitura gjatë jetës.

Për dashurinën e saj ndaj artit, nudot, mësimdhënien etj. ju ftojmë ta lexoni në vazhdim intervistën e piktores Meri File dhënë për ObserverKult

Intervistoi: Lindita Canolli-Fejzullahi

Zakonisht pasioni për artin zë fill qysh në fëmijëri. Atëherë shihen e vërehen ato shenjat e para të joshjes. A ndodhi kjo me ju? Si u ngjiz dashuria për pikturën?

Meri File: Rrugëtimi im i artit nisi që në moshë të hershme, ku risjell në vëmendje një fragment të historisë sime si fëmijë ku do të ishte pikënisja ime në fushën e artit pamor. Mes rrëmujës së përditshme gjeja strehën mes bllokut të vizatimit që e mbaja larg syve, ndërsa shpesh bëhej shoqëruese e imja shumë e mirë e fundjavës. Çdo brendi të shtëpisë, oborrit dhe natyrës që më rrethonte fillova t’i bëja skica. Duke mos u shkëputur prej orëve dhe netëve të gjata,  prindërit kuptuan që unë e dëshiroja edhe më tej artin. Nga pasion u kthye në  mësim shumë i rëndësishëm i imi pasi vijova dhe Liceun Artistik.

Sa mundët ta zhvilloni prirjen tuaj, pa u demotivuar e njëkohësisht sa u përkrahët nga familja, rrethi etj, sepse po supozoj që jeni ndeshur me të dy polet përgjatë jetës?

Meri File: Mendoj që Liceu Artistik ka dhënë frutet e veta me një staf shumë të mirë, të dedikuar dhe me përkushtim maksimal, pavarësisht vështirësive që mund të përballesha gjatë atij udhëtimi. Kur jemi te vështirësitë më duhet ta them një moment, ndoshta momenti më i vështirë, kundërshtimi i mamasë time që nuk pranonte të vijoja Akademinë e Arteve duke e refuzuar kështu deri në moshën time 30 vjeçare. Duhet të zgjidhja midis profesionit të doktoreshës dhe artit. Por, një ditë e ftoj për një bisedë të gjatë dhe i them: S’do t’i shërbej njerëzve në formën fizike por në formën shpirtërore!  Time më e kapi e qeshura!… Unë vijoja ta shikoja me qëndrim shumë serioz duke bërë planet e dosjes profesionale në Akademi. Por, sot gjërat kanë ndryshuar.
Pas  shumë vitesh ajo është e para që më telefonon duke më thënë ‘Ç’ke bërë ndonjë gjë të bukur’, ndërkohë unë ja lë befasi derisa sa ta sheh në ekspozim.
Në anën tjetër më duhet ta theksoj se ka qenë një vendim i tim eti për pikënisjen, mbështetjen dhe këmbënguljen për artin pasi e shihte përditë luftën e brendshme timen! Sot qan prej gëzimit tek mi sheh arritjet dhe më kritikon duke më thënë  ‘Ji e thjeshtë’ ( në fakt i kam ngjarë atij, pasi prekem për çdo gjë, rrjedhë si pasojë e njerëzve të pastër dhe me zemër të madhe).

Si vendosët të fokusoheshit te trupi i njeriut. Çfarë ju joshi, çfarë donit të shpërfaqnit përmes penelit tuaj, çfarë donit t’i thonit publikut me veprat tuaja?

Meri File: Një nga elementet më kyçe për të sfiduar njohuritë mbi termin njeri ishte dhe anatomia, e cila është lënda dhe themeli bazë për artistin. Anatomia mjekësore ishte kërkim i imi shumëvjeçar ku edhe do të vijoja më tej me kërkimet  somatike dhe psikike, Obsetrik – Gjinekologji etj. Mes skicave të panumërta të anatomisë së njeriut linja ishte ajo që mbarte më tepër peshën e një trupi delikat feminil ku do e ndante midis artit dhe mjekësisë.. .ndaj vendosa të bëj nudo.

A është terren i përshtatshëm kulturor Shqipëria në raport me nudon?

Meri File: Shoqëria shqiptare, ky konglomerat grupesh, rrymash dhe pikëpamjesh duke e mirëkuptuar si të atillë dhe padashur, me qëllim për të mos e ndryshuar mendimin e tyre, e kam pranuar…e kam mirëpritur kritikën.

Çfarë ka misterioze te lakuriqësia e njeriut, që mund të zbërthehet dhe të flas gjuhën e tij përmes ngjyrash?

Meri File: Ka një përpjekje të vazhdueshme ndër shekuj tek flitet për trupin njerëzor që në gjenezë. Një joshje e natyrshme e psikës. Në epokat e artit janë bërë manifestime për ta sjellë lakuriqësinë në kuptime të ndryshme ku gjithësecili gjen veten. Tek arti pamor vjen si idealizim dhe më pas si natyralizim në përfaqësimin e asaj që është e dukshme, besnike deri në detaje. Në krahasim me idealizimin ajo pa interpretimin e humbet vlerën që mbart. Këto tendenca natyraliste janë kundrapeshë ndaj klasicizmit akademik. Pra, krijohen polemika në aspektin kritik.

A keni patur ndonjë moment të sikletshëm gjatë punës suaj me nudo?

Meri File:  Modeli gjithmonë kërkon dhe ta imponon respektin, anonimitetin për t’i dhënë më tepër dinjitetin artistit, sidomos kur bëhet fjalë për model me kompozim nudo. Gjatë punës për ta shtendosur procesin bisedat janë tepër të bukura dhe të rastësishme. Aty qëndrojnë piktori dhe modeli, ku ky i fundit qëndron si një trup gjykues, i pafajshëm, besmitar në kërkim të rrefimit ndaj “dhomës së rrëfimit” me piktorin. Sekretet profesionale asnjëherë nuk thuhen… por janë të bukura dhe mbeten sublime pasi ky proces psikologjik që artisti merr nga modeli e dergjë mjeshtërinë artistike.

Sa ka interes për këtë tipologji arti në Shqipëri?

Meri File: Kjo tipologji merr një kuptim që quhet historia e nocionit estetik ku ndërthuret imagjinata në varësi të modelit dhe sintetizimit shpirtëror artistik, nëse do të flasim për një nudo me gjuhë utopike, jo thjesht figurë njerëzore.

Por jo vetëm nudoja është afinitet shpirtëror i juaji. Portretet , peisazhet…etj. Ku ju flen shpirti më shumë?

Meri File: E dua artin, e adhuroj forcën për tu ngritur në anën shpirtërore ndaj saj, nuk mund të them që jam egoiste por forma e saj e etikës ta manifeston duke e kthyer në një vlerë të shtuar njerëzore sikundër të pavdekshme…ku shpesh më flen shpirti tek psikologjia njerëzore dhe kur lodhem.. shkoj tek peisazhi ( çuditërisht).

A keni mundur t’i thoni të gjitha, me anë të artit tuaj? Çfarë ju ka mbetur pa thënë dhe çfarë mendoni se nuk do të arrini ta shprehni asnjëherë?

Meri File: Mendoj që do të më duhet ende kohë për të eksperimentuar dhe për të nxjerr në pah atë se çfarë dua në të vërtetë ose nuk besoj se një piktor është i lumtur deri në fund të jetës, ka pengje ( pengje arti), me të cilën nuk do të plotësohet kurrë. Ndodh si proces dhe janë etapa që e shoqërojnë gjatë gjithë jetës me boshëllëqe që hera -herës artistit i kërkohet t’i “flijohet”  forcës emocionale dhe krijimit artistik në lidhje me realitetin.

Jeni edhe profesoreshë arti, cila është pjesa e bukur e këtij profesioni, si bashkëvepron puna artistike me atë akademike?

Meri File: Krahas krijmtarisë është edhe pjesa akademike që më shoqëron, pra mësmidhënia. Si pedagoge arti gjithmonë jam bashkëpunuese dhe ndërveproj me studentët. Mes bisedave të gjata lindin ide të ndryshme ku iniciojnë më pas deri në projektimin dhe finalizimin e tyre.

A ka mjaftueshëm evente kulturore, a ka investime të mjaftueshme në kulturë, dhe çfarë duhet bërë më shumë Shqipëria?

Meri File: Kultura është pjesë e rëndësishme e një zhvillimi mendor në shoqëri. Tipar dhe model në sjellje dhe bashkëveprim si konstrukt njohës dhe kuptimplot në mjedis social. Sot qendrat kulturore luajnë rolin kryesor për të siguruar vazhdimësinë e kësaj tradite ku gjenerata jonë tashmë është  promotori i parë drejt njohjes së artit. Menaxhimi dhe administrimi i institucioneve kulturore artistike duhet të sjellin në vëmendje aktivitete dhe evente në interesin publik dhe artdashës

Sa është e vështirë të depërtoni si artiste shqiptare në arenën ndërkombëtare?

Meri File: Për mua s’ka pasur asnjëherë vështirësi për bashkëpunime jashtë Shqipërisë dhe madje jam shumë e lumtur që ekspozita ime personale së shpejti do të jetë në Pensilvani, USA. Është një produkt i gati 3 viteve të cilën e kam pritur për ta realizuar duke qenë tepër skeptike në kërkesat e mia.

Dhe nisur nga jeta dhe përvoja juaj, çfarë do të mund t’u thonit të rinjve që mëtojnë të merren me pikturë?

Meri File: Disiplinat e artit janë dhe funksionojë si reforma pozitive që ndikojnë në ndryshimin e një shoqërie për tu përvetësuar në një vetautonomi dhe liri sidomos tek adoleshentët, aq më tepër tek ‘gjenerata Z’ e cila rrëmbehet nga përdorimi i teknologjisë dixhitale që në moshë të vogël. Aktivizimi dhe angazhimi me sa më tepër art është një sistem shumë i mirë i potencialit ndaj imazhit te tyre.

ObserverKult


Lexo edhe:

LULJETA RAMA-MUÇAJ: NGJYRAT E ERRËTA NË VEPRAT E MIA MË BËJNË TË NDJEHEM E ÇILTËR DHE E FORTË