Merita Paparisto: Ku të kam parë unë ty?

Merita Paparisto

Ku të kam parë?
Ku të kam parë unë ty?
Më parë, në një vend pa kohë, në një kohë pa vend. Diku në të shkuarën e largët.
Thonë që e shkuara nuk ka vlerë, thonë që e ardhmja është e pa njohur dhe pa llogaritshme, thonë që duhet jetuar vetëm e tashmja, çasti, çasti, çasti. Jo, nuk më pëlqen “carpe diem” është stresuese; shumë i shkurtër çasti. Ndërkohë që përpiqesh ta kapësh, mbash, jetosh, ka ikur tashmë. Në të shkuarën apo të ardhmen shkon për sa gjatë të duash.

Por pastaj, çfarë do ishte çasti pa këtë ndjesinë që vjen nga thellësia e së shkuarës ? Pa këtë dridhje, vibrim të ajrit, valë, ndjesi pa emër që vjen krejtësisht përtej çastit dhe zgjat shumë më tepër se një çast. Në një rrugë të shtruar me gurë kalldrëmi ngjyrë të çelur dhe të lëmuar nga hapat. Rrugë tepër e vjetër më plloça te bardha.
Ku të kam parë unë ty?

Përse të mos jetokemi në të shkuarën dhe të ardhmen? Unë ndjehem mirë kur shkoj në të shkuarën, larg shumë larg, përtej jetës timë të këtushme. Ndjehem mirë kur shkoj në të ardhmen gjithashtu, nuk ka rëndësi nëse në të ardhmen do kaloj në udhën e projektuar apo jo. Në këtë moment unë gjithesesi jam duke kaluar aty. Unë ndjehem mirë, unë mundem.
Ku të kam parë unë ty?

Në cilën rrugë të shtruar me kalldrëm? Në cilën portë antike qëndroja mbështetur anash qemerit kur ti kaloje? Të kam kërkuar gjatë, por nuk dua të të kërkoj më. Ti nuk je i këtushëm dhe i tanishëm. Nuk e sheh si ikën dhe vjen? Si afrohesh dhe largohesh? Se si mendja jote nuk pushon dhe nuk përqëndrohet as për një çast, por bredh diku mbi re? Nuk dua as të të flas as të të dëgjoj, as të të prek. Dua vetëm të të shoh dhe të ndjej dridhjen, vibrimin, të cilin e mbaj mënd aq mirë. Jo në kujtesën e trurit. Ajo shplahet në “Lethe”. Por ne kujtesën e zemres dhe në atë të fundbarkut. Ato nuk shlyhen asnjëherë, në të gjitha shtresëzimet e jetëve tona.
Ku të kam parë unë ty në një jetë tjetër, këtu në tokë?

ObserverKult


Lexo edhe:

ORHAN PAMUK: KAM RËNË KEQAS NË DASHURI!