Merret vendimi: Busti i Skënderbeut do të vendoset në Ulqin e Tuz

Në Ulqin dhe Tuz të Malit të Zi, së shpejti pritet që të vendoset busti i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu.

Vendimi është marrë nga këshillat komunalë, ndërsa drita jeshile është dhënë edhe nga Ministria e Kulturës e Malit të Zi.

Politikanët shqiptarë atje, shprehen të lumtur që më në fund një ëndërr disavjeçare po bëhet realitet.

Pas dritës jeshile të dhënë nga Ministria e Kulturës, busti i heroit Kombëtar, Skënderbeut do të vendoset në dy qytetet shqiptare të këtij shteti, Ulqin dhe Tuz.

Këshillat komunalë e kanë marrë vendimin dhe megjithëse procesi i vendosjes do të duhej të ishte kryer, vonesat kanë qenë të pashmangshme.

Politikani shqiptar në komunën e Tuzit, Nikoll Camaj, beson që e gjitha kjo procedurë do të finalizohet brenda këtij viti.

“Kanë bërë parapërgatitje për dokumentacionin që të vënë bustin e Skënderbeut. Procedura shkon në Kuvendet lokale për të caktuar vendin, dimensionet”, tha ai.

Lajmi është pritur me gëzim nga shqiptarët e dy komunave. Për financimin e projekteve pritet që një kontribut të çmuar të jep diaspora shqiptare.

“Kjo është vlerësuar nga qytetarët, është pritur mirë nga Diaspora. Kjo e fundit ka treguar gatishmëri që ta financojë”, tha Camaj.

Në Ulqin monumenti pritet të jetë prej bronzi, një metra e gjysmë i lartë, në një bazament prej tre metra e gjysmë.

Fronti në piedestalin e monumentit do të shkruhet në gjuhën shqipe dhe gjuhën malazeze.

Më shumë se 2 vite nga miratimi i dhënë prej Ministrisë së Kulturës malazeze, projektet nuk janë finalizuar pasi ndikim dha pandemia Covid dhe situatat e krijuara në shtetin fqinj, ku stabiliteti politik ka qenë i brishtë./oranews.tv

ObserverKult


Lexo edhe:

MUZEU KOMBËTAR ME EKSPOZITË PËR SKËNDERBEUN, DREJTORI TREGON PSE NUK U HAP MË 17 JANAR

Në kuadër të 555-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, Muzeu Historik Kombëtar ka çelur një ekspozitë me riprodhime gravurash, flamujsh të principatave të Arbrit dhe fragmente të jetës e veprës së heroit.

Ekspozita vjen rreth 3 javë pas 17 janarit e njohur si data e ndarjes nga jeta të Skënderbeut. Drejtuesi në detyrë i institucionit, Dorian Koçi shpjegon vonesën dhe risitë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult