Merret vendimi: Qeveria mbyll Akademinë e Studimeve Albanologjike

Skënder Gjinushi dhe Edi Rama

Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Evis Kushi, njoftoi vendimin e qeverisë për mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe kalimin e saj nën varësinë e Akademisë së Shkencave, duke hedhur një dyzinë akuzash për paligjshmëri.

“Ne sot me vendim të qeverisë po e riorganizojmë këtë Akademi duke i vendosur institutet e saj si institucione autonome pranë Akademisë së Shkencave”, u shpreh Kushi pas mbledhjes së qeverisë.

Ajo e referoi vendimin në një kontroll të ministrisë në janar të këtij viti, që sipas saj, kishte konstatuar parregullsi dhe shkelje të rënda ligjore në organizimin e strukturës dhe nga ana e funksionimit administrativ dhe financiar.

“Edhe pse u mbështet nga ministria, ajo nuk arriti asnjëherë të riorganizohej për të qenë në respekt të ligjit”- tha Kushi.

Sipas ministres shkeljet thelbësore kanë të bëjnë me mungesën e një fakulteti të ASA-s.

“Nuk ka mësimdhënie në njësitë përbërëse të saj, është e paakredituar në programet e studimit”- tha ajo. Tutje ajo shtoi se lëshimi i diplomave pa akreditim është shkelje e rëndë ligjore, transmeton BIRN.

Nga ana tjetër ajo pretendoi se ASA nuk regjistron asnjë student prej 8 vitesh. E kjo sipas saj e bën të pamundur ekzistencën si institucion i arsimit të lartë.

Kushi pretendoi se me shkrirjen e ASA-s si pjesë të Akademisë së Shkencave, e cila drejtohet nga Skënder Gjinushi, një ish-politikan komunist, albanologjia do të ngrihet në një nivel më të lartë.

Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike u shpreh kundër këtij vendimi duke e cilësuar atë një vendim si ndërhyrje të institucioneve politike mbi veprimtarinë kërkimore.

Nëpërmjet një deklarate publike ASA thotë se “është plotësisht kundër këtij vendimi të Këshillit të Ministrave”.

“Është një vendim politik që godet shkencën e albanologjisë në Shqipëri. Është hartuar pa konsultime dhe pa transparencë”- thuhet në reagim. Ata lajmëruan një betejë ligjore për të mbrojtur “lirinë akademike”.

Akademia e Studimeve Albanologjike është institucioni ku bëjnë pjesë Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA), Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Instituti i Historisë dhe Qendra e Enciklopedisë Shqiptare./BIRN

ObserverKult


Lexo edhe:

BARDHOSHI DHE SHAMKU I PËRGJIGJEN GJINUSHIT: LOJË POLITIKE… I DUKET VETJA ENDE MINISTËR I RAMIZIT

Vendimi për shkrirjen e Akademisë së Albanologjisë ka sjellë kundërshtinë e senatit të këtij institucioni.

Ledi Shamku Shkreli, kërkuese shkencore IGJL-së dhe Nebi Bardhoshi, drejtor i IAKSA-s, pohuan se Akademia e Albanologjisë nuk ishte vënë në dijeni për këtë shkrirje. Ata theksuan se gjithçka është një lojë politike.

Duke komentuar deklaratat e kreut të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushit, kërkuesit shkencor thanë se fjalimet e tij janë dritë dhe vite larg si në konferencat e 1989-ës. Shamku tha se këto teza ia ka dëgjuar vetëm Leninit.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult