“Mesjeta ime”, një meditim për jetën e vdekjen

Nga Eronita Kqiku           

Libellum nga latinishtja – libellus do të thotë libër i vogël, e ky është parateksti që mbanë vepra “Mesjeta ime” e shkrimtarit Ag Apolloni. Një libër i vogël, për Mesjetën e gjatë, të përsëritur në shek. XXI dhe për mesjetën personale, të ndarë në dymbëdhjetë pjesë, prolog, epilog dhe dhjetë kapituj. Me që titulli na kthen pas në kohë, edhe kapitujt duhet të ishin të tillë. Kështu dymbëdhjetë pjesët e librit janë titulluar me fjalë latine, gjuhën e organeve të larta të Mesjetës. Kuptimi i secilës prej këtyre është i lidhur direkt a indirekt me temën. Nëntitulli, ashtu si titullli, lë hapësirë për kuptime alternative, disa prej tyre i shpjegon vet Apolloni, kurse kuptimet e tjera ja lë në dorë lexuesit, nëse rrëfimet janë në formën e mëkateve, rrëfime reale a fiksionale.

Vepra fillon e mbaron me narratorin e vetës së parë – unë, e ky identifikohet me autorin përmes të dhënave autobiografike. Me të drejtë, studiues të ndryshëm i kanë quajtur ese autobiografike. Si ese, shkrimtari shfaq qëndrimin e tij ndaj një teme filozofike, ndaj një ngjarjeje a një fenomeni shoqëror, i cili kryesohet gjithmonë nga një ngjarje personale. Të tilla janë prejardhja e familjes së tij, rrjedhimisht edhe e Apollonit, historia e emrit, tiparet e karakterit të trashëguara nga familjarët, besimet dhe bestytnitë, e folura e vendlindjes, shkollimi, sfidat e ndryshme, frymëzimi, e sic i dallon shkrimtari, udhëtimet gjeografike. Qysh në prolog, ai na vë në dijeni për udhëtimin e tij, si individ në mes të jetës, të përcaktuar sipas kodit biblik. Ky udhëtim zgjati 35 vjet, por shkrimi i ideve dhe bindjeve të tij deri në atë moshë vjen përmes një vepre.

Kjo vepër shquhet me llojllojshmëri temash dhe gërshetim mes temës indivudale dhe asaj kolektive në rrafsh interesash të përbashkëta. Shkrimtari e nisë me temën personale, e cila bëhet përfaqësuese e temës shoqërore, që do të pasohet nga problemet politike  dhe idetë filozofike të Apollonit. Problemet politike janë ballafaqime individuale dhe kolektive, pra ngjarje personale dhe përfundime nga ato kolektive, si gjendja para dhe pas luftës në Kosovë. Tema politike e shoqërore bëhet pjesë e cdo kapitulli, në këtë kuptim ajo nuk e lejon shkrimtarin, e në një kuptim më të gjerë – artistin të marrë “frymë”. Institucionet kulturore dhe arsimore, janë disa nga shtyllat që sulmohen nga Apolloni, duke vënë në pikëpyetje punën e tyre. Kur kemi shqyrtime dhe ngjarje rreth politikës a politikanëve, gjuha që përdoret është satirike, e shpesh edhe sarkastike, këtu ai jo vetëm të gjallët, por as të vdekurit nuk i lë të qetë.

Jeta, koha dhe vdekja, është trinomi që gjen jetë në kapitullin “Memento”. Jeta kufizohet nga koha. Ekzistenca e kohës gjatë jetës na con në të paevitueshmen – vdekjën. Tema e kohës artikulohet në formë dëshire për të jetuar dhe për ta bërë të vlerëshme ekzistencën. “Një shpirt i maskuar në formën e një trupi[1] apo të themi filozofia e maskës, që në vepër del si persona. Filozofia e saj zhvillohet në kuadër të binomit shpirt – trup, sëcilit tentohet t’i jepet një shpjegim, pak a shumë artistik dhe një lloj kërkimi i vetvetës. Jo më kot Apolloni shprehet: “Të paraqesësh vetvetën në vepër, do të thotë edhe t’i bësh analizë vetvetës”[2]. E vetveten e gjen në vendin e vet, andaj nëpër vepër vërehet ajo që e quajmë genius loci, madje bëhet pjesë e kapitullit. Me që në interes të veprës janë shtetasi kosovar dhe Kosova, nuk mund të mungojë fryma lokale e Kacanikut dhe kryeqytetit, e cila vihet në pah përmes shenjave autobiografike dhe ngjarjeve nëpër vende të ndryshme.

            Natyra eseistike e tekstit jep hapësirë për të krijuar debate e pikëpyetje. Vazhdimisht krijohen pyetje, të cilave tentohet t’u jepet përgjigje, e në raste të shumta jepen alternativa, duke e lënë të lirë lexuesin në zgjedhje. Pyetje të tilla vijnë si pasojë e njohurive të marra dhe studimeve mbi to.  A po e rijetojmë Mesjetën dhe si? – sipas Apollonit, Mesjetën që po e jetojmë sot është Mesjetë e ekstremizmave, sidomos atyre fetar. Këtë lloj ekstremizmi shkrimtari e shfaq përsëri përmes një figure – Lavdim Muhaxherit. Nëse Mesjeta është periudhë e errësirës, e jona është periudhë e botës virtuale. Kjo botë, hap debatin në vepër, se a po e mbyt shpirtin njerëzor bota e stimuluar apo jo. Në anën tjetër a po sulmohet arti nga virtualiteti. Debatit të cilit shkrimtari ia jep jë lloj rrumbullaksimi është rreth personas, cka është maska, a jemi ne të tillë dhe pse vëmë maska. Ekzistenca apo inekzistenca e krijesës absolute, një debat që e mundon njerëzimin, në këtë vepër merr tjetër drejtim. Tashmë nuk është me rëndësi Zoti, po kush e krijoi atë, andaj lindë pyetja për nënën e tij.

            Natyra e tillë e kthen edhe shkrimtarin në mësimdhënës. Conffesione – t e mësojnë lexuesin, sepse shkrimtari vendos t’i jap informacione të shumta. Këto informacione, përvec që lidhen me jetën e tij, shpesh janë njohuri të tij rreth shkrimtarve të mëdhenjë botëror e shqiptar, artistë si këngëtar e piktor, fragmente të veprave të tyre a thënie kuptimplota. Përvec këtyre jep njohuri mbi letërsinë, gjuhën, mitologjinë e religjionet. Në kuptimin e informuesit është narratori, ai i ndihmon lexuesit në krijimin e alternativave, duke i propozuar referenca te Bibla, “Komedia hyjnore” dhe Kanuni i Lekë Dukagjnit.

            Ani pse prozë, në vepër dallohet dimensioni lirik. Lirizmi mbizotëron në epilog, të titulluar “Via” . Edhe pse më i shkurti sa i përketë volumit, gjuha në të cilën është shkruar i ofron lexuesit mundësi të shumta të të kuptuarit. Via nga latinishja do të thotë udhë, pra udhëtimi i shkrimtarit deri ne mesin e jetës së tij. Në këtë pjesë të veprës hyjmë në përfundimin simbolik të udhëtimit dhe vazhdimit të gjysmë jetës tjetër, që shprehet përmes gjuhës së figurshme. Lirzmi e drejton kah filozofia, filozofia e jetës së tij, që do të përfundojë me të paevitueshmen – vdekjen.

            Mund të themi se kjo vepër është gërshetim i letërsisë dhe filozofisë, si rezultat i ngjarjeve personale dhe njohurive të marra nëpër kohë. Shkrimtari në këtë  kuptim është mësuesi e pësuesi i ngjarjeve, kurse vepra në përgjithësi, një lloj kritike ndaj shoqërisë e politikave kosovare. Dhe në fund një meditim mbi jetën dhe vdekjen.


[1] Apolloni, A. Mesjeta ime, OM, Tiranë, 2019, fq. 82.
[2] Apolloni, A. Intervista: Ag Apolloni, intervistuar nga ObserverKult, 19 Shtator 2019, https://youtu.be/-ëOYdUFKXOo

ObserverKult