Më 7 mars të vitit 1887 në Korçë u hap Mësonjëtorja e parë kombëtare shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri.
Edhe pse në kushte të vështira, Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj.
Kontributi i madh që këta veprimtarë të shquar dhanë për kombin, lidhet me vullnetin dhe dëshirën e përhapjes së dijes. Rilindasit dhe patriotët shqiptarë u bënë gjithashtu nismëtarë për hartimin e teksteve të para shkollore për nxënësit shqiptarë.
Nxënësit e Mësonjëtores, pasues të denjë të ideologjisë kombëtare
Me përkushtim punuan edhe për pajisjen e shkollës me mjetet e duhura didaktike.
Nxënësit që mësuan në këtë shkollë kombëtare u edukuan me frymën e patriotizmit. Ata u bënë pasuesit e denjë të ideologjisë kombëtare dhe luftëtarë të devotshëm në luftën për liri dhe pavarësi.
Kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar. Për shkak të sundimit osman, deri në këtë periudhë, mësimdhënia kryhej në mënyrë të fshehtë.
Që nga ajo ditë, 7 marsi njihet si dita e mësuesit dhe kremtohet nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.
Emblema e historisë së arsimit shqip, Mësonjëtorja e parë Shqipe, sot Muze Kombëtar i Arsimit në Korçë, tashmë e rikonstruktuar tërësisht në sajë të investimi të qeverisë shqiptare.
Mësonjëtorja e Parë Shqipe, monument i kategorisë së Parë i shpallur në vitin 1973 dhe simbol i dijes, u rikonstruktua me një fond prej 30 milionë lekësh. Investimi përfshiu ndërhyhet për rikonstruksionin e ndërtesës, por edhe për rikonceptimin e saj, duke e sjellë atë në standardet bashkëkohore të muzeve.
Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit shqip, e morisë së alfabeteve deri në alfabetin që kemi sot, vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908, si dhe historia e librit shqip prej abetares së parë të gjuhës shqipe (Evetari, 1744), hartuar nga Naum Panajot Bredhi.
ObserverKult
Lexo edhe:
PARASHQEVI QIRIAZI, ORIGJINA E PANJOHUR E ‘HIMNIT TË ALFABETIT’
ObserverKult