Mevlan Shanaj: Kujtimet e mia me më të madhin, Kadri Roshi

U befasova kur shikoja Naim Frashërin, Kadri Roshin, Prokop Mimën, Piro Manin, Mentor Xhemalin që nxirrnin krimba për peshkim.

-Si u vendos në skenë  “Dhelpra dhe rrushtë” të Ezopit me regji të Mihal Luarasit dhe intepretim brilant të Kadri Roshit.
-E pabesueshme si  e çuan për riedukim Kadriun me formulat e asaj kohe.
– Kadri Roshi erdhi në kulmin e tij aktoresk me Arturo Ui (Bertolt Brecht ).
– Tek filmi “Malet me blerim mbuluar” pasi më godiste fort më përkëdhelte flokët pas çdo dubli dhe më thoshte: ‘Më fal, sqap!’.
-Tek filmi “Fletë të bardha” ku unë e mora si aktor, profesori im më thoshte: ‘Me leje regjisor?!’.
– Kadriu në role na ka dhënë shqiptarin siç e dimë, siç e duam, siç do ta kërkojmë.

Nga: Mevlan Shanaj

Na ishte bërë lajtmotiv  ritheksimi  i shprehjes goditëse te “ Dhelpra dhe rrushtë” të Ezopit të shkrimtarit brazilian Guilherme Figueiredo, vënë në skenë nga Mihal Luarasi në mesin e viteve 1960  në Teatrin Popullor.  Akcentimi i përkryer nga Kadri Roshi ende më tingëllon sikur po e dëgjoj atë zë,  gati- gati si një refren i një melodie që të shoqëron shpirtin në një meditim pa fund, emocioni ndjellës.

Ishim studentë në të njejtin mjedis të teatrit dhe këtë shfaqje madhështore,  mund ta kemi parë mbi 50 herë.  Në atë kohë Kadri Roshi që vinte në kulmin e tij aktoresk pak më vonë edhe me Arturo Ui (Bertolt Brecht ) e vendosën në majat e krijimit aktorial në Shqipëri duke pasur  Hamletin (Shakespeare ), apo Ferdinantin “Intrigë e dashuri”( Friedrich Schiller ), të Naim Frashërit. Vite më vonë Kadri Roshi përmes ekranit u shumëzua në Shqipëri tashmë si një “Mesia” i aktrimit.

Bëmat e tij po vinin edhe si legjendë. E kishin dënuar për “ Riedukim”  me formula të asaj kohe (mendo: dënohej Kadri Roshi për riedukim!). Formulat e kohës kishin lëvizjet amatore. Ndërrmarja “ Rruga- ura” ku po ‘riedukohej’ Kadri Roshi , do jepte shfaqje, “Komandanti Rrapo”, dramatizim i Dritëro Agollit. Interesimi i jashtëzakonshëm për të parë Kadri Roshin në skenë, i cili u fut në teatër gati si ilegal në atë periudhë. Lotët ishin të përligjura! Mua më erdhi rasti të jem në “I teti në bronx”:  ‘Zamet e ke o Sali Protopapa, më puth njëherë, ta kem kujtim në botën tjetër!’ (kujtoni se në çdo dalje të tij para publikut është një thënie që nuk harrohet, sepse ishte ai që dinte ta përcillte,  “Gërrmo o Tare, gërrmo, se qenin e ngordhur do gjesh” apo te “Përballimi”, “Hani ju, hani”, “Lulëkuqet mbi mur”.  

Më vonë po rrinim nën një diell dhjetori rrëzë kalasë në Libohovë dhe po pinim nga e njëjta faqore raki, kur Kadriu  nisi të recitonte “ Këngë Pleqërishte” një magji e kënduar sipas shpirtit kur ke hedhur pak raki dhe më thotë: ‘Ky diell kërthi dhe kjo raki e bëri kaq bukur këtë çast!’ Unë i thashë këtë kërthi e përdorim edhe ne në Mallakastër! U çudit që isha nga vendi i tij. Unë nuk e dija nga ishte. Ai aty më tha se e quante veten mallakastriot. Ishim në filmin “ Malet me blerim mbuluar” më pas te çasti që më qëllon me shpullë sa i hante krahu, më përkëdhelte flokët pas çdo dubli dhe më thoshte: -Më fal, sqap! Kaluan vite dhe e mora në filmin “ Fletë të bardha”.

Për specialistët apo kritikët e ndershëm, aty Kadri Roshi ka një krijim të një qytetari bashkëkohor shqiptar në përsosmëri. Nga gjithë bashkëpunimet e mia me të gjithë emrat e mëdhenj të artit shqiptar, mbaj mend sjelljen prej nxënësi të fillores të Kadri Roshit, gjatë përgatitjes së xhirimit ku ngrinte dy gishtat dhe thoshte: Me leje regjjsor?! Eh, ç’mund të thuhet më tej, pasi këto dy ditë e kisha në ekran te “ Fletë të bardha” pas 30 vjetësh , nxënësin më të madh që kam njohur në jetë?!  E konsideroj veten me fat që kam punuar me këtë  magjistar të interpretimit.

U kujtova për pasionin e Kadri Roshit, peshkimin.

Nga fillimi i pjesës së parë të viteve 1970 kisha filluar të merresha me dokumentarë në TVSH dhe me kamerën e Stefan Gajos, u nisëm me një grup artistësh për peshkim në Lezhë, kuptohet që natën. Arritëm atje në mugëtirën e mëngjesit dhe sa ndaluam, artistët peshkatarë u zhytën në llucë për të kapur krimba për karemat e peshkut.

U befasova kur shikoja Naim Frashërin, Kadri Roshin, Prokop Mimën, Piro Manin, Mentor Xhemalin, Hysen Pelinkun në baltovina me llërët përveshur në nxjerrjen e krimbave. Më pas u bë rituali i mëngjesit me kafe dhe ndonjë gotë raki. Prit e prit peshkimin. Unë u mërzita me pritje dhe e shpreha. Kadri Roshi më tha: ‘Duket që nuk vuan nga nervat, se po të kishe probleme do shkarkoheshe me peshkimin’. Vite më vonë kur xhironim “Fletë të bardha” i kisha premtuar se do jemi në lagunat e Divjakës.

Ishte dhjetori 1989, Kadriu me Gjergj Lucën çoheshin natën, ende pa u zbardhur dhe në ngricën e dhjetorit shkonin për peshkim. Çdo mbrëmje kënaqej kur shikonte grupin e xhirimit që pinte dhe hante nga gjuetia e tij. Njeriu që merrte një peshk të vogël para gotës me raki ishte ai Kadri Roshi. Na shikonte i përmalluar ! Nuk mundesha ta mbaja për vete këtë ndodhi kaq fisnike të njeriut që na ka dhënë shqiptarin siç e dimë, siç e duam, siç do ta kërkojmë.


Lexo edhe:

MEVLAN SHANAJ: NUK MË PËLQEN ZHURMA POR NUK PAJTOHEM AS ME HESHTJEN…