Mevlan Shanaj rrëfen mes dhimbjesh bisedën e fundit me Rikard Ljarjen

Arti shqiptar është në zi pas ndarjes nga jeta të një prej ikonave të kinematografisë, aktorit Rikard Ljarja. Me rolet brilante përgjatë gjithë karrierës së tij, ai la gjurmë që do të ruhen si një thesar i vyer i kinematografisë shqiptare.

Në një lidhje në Skype për Tv Klan ishte regjisori dhe aktori Mevlan Shanaj, i cili u shpreh se shikonte tek Rikardi njeriun model për ta imituar. Miqesia e tyre është 50-vjeçare dhe sipas tij, ajo çfarë e karakterizonte aktorin e madh ishte dashuria që i buronte nga shpirti.

Mevlan Shanaj: Që nga fillimi, unë shikoja tek Rikardi njeriun model për ta imituar, e di artistët gjithmonë gjejnë një model. Po imitimin nuk do ta bëja në talentin e tij, por do ta bëja në shpirtin e tij. Kini parasysh, e di kush është Rikardi tek filmi Deda është një episod shumë i thjeshtë, është një etyd, Rikardi me Elida Cangonjin rreth sobës, po thekin bukë. Nuk ka etyd më madhështor të marrëdhënieve, le të jesh i pasuri, le të jesh çudi e botës, atë ndjesi, atë marrëdhënie të ngrohtë që ta jep shpirti i syve të Rikardit, në atë marrëdhënie, ajo është dashuria më e madhe. Pra dashuria tek Rikardi buronte prej shpirtit, nuk ishte mjeshtëri e interpretuar dhe kjo ishte ajo që unë gjithmonë e kam pasur lakmi, zili, e kisha mik dhe e kam dashur deri në fund të jetës. Më pak se 24 orët e fundit, në të cilat ishte i rënduar dhe nuk pati dëshirë ta shihja në WhatsApp, ta shikoj si figurë. Kuptohet kam dhimbje të jashtëzakonshme për këtë njeri./ ObserverKult