Mevlan Shanaj: Ja kush ishte Kadri Roshi

Nga Mevlan Shanaj

Me Kadriun unë isha njohur që kur isha student në teatër. Mund ta kishim parë më shumë se 20 herë Ezopin.

Një aktor i jashtëzakonshëm, nuk ka aktor më të fuqishëm në skenë se Kadri Roshi. Për mua, rival ai ka pasur vetëm Naim Frashërin, të gjithë të tjerët janë distancë me kilometra dhe jo me metra.

Ai mbizotëronte dhe kontrollonte në mënyrë të jashtëzakonshme marrëdhënien me partnerin e me publikun. Dinte të shikonte edhe se kush po kollitej në sallë, ka qenë aktiv në veprim, aktor i zgjuar.

Po xhironim te filmi “Malet me blerim mbuluar”, ku një pasdite ishim në Libohovë. Ditë dimri kur ja, del një rreze dielli të mirë tek kalaja ku ne po pinim raki, papritmas Kadriu ia merr këngës. Ai këndonte bukur dhe recitoi në mënyrë të përsosur, në këtë bisedë tha se “unë jam nga Mallakastra”. Edhe unë i them nga ai vend jam. “Ik more “cjap”, më thoshte mua.

A e dini se çfarë do të thotë për mallakastriotët, ta thotë Kadri Roshi në Libohovë këtë gjë?!  Në filmin “Malet me blerim mbuluar” ne kishim një moment kur Kadriu duhet të më qëllonte me pëllëmbë. Regjisori i tha “qëlloje vetëm me një pëllëmbë”, por ai më qëlloi dy herë dhe fort.

Madje, ai në çdo dubël më fuste nga dy të forta dhe pas tyre më thoshte “a të dhemb?” dhe më përqafonte. Kemi pasur marrëdhënie konfidente, miqësore, profesionale, pastaj si regjisor, unë e mora në një rol shumë të bukur tek filmi “Fletë të bardha”. Në atë film kemi punuar në mënyrë të shkëlqyer.

Një herë tjetër, ne po xhironim në Divjakë dhe Kadriu ka pasur pasion peshkun. Në Divjakë, çdo natë ne ia shtronim për të pirë dhe për të ngrënë peshk dhe njeriu që hante më pak peshk ishte Kadriu, i cili i zinte.

Kur isha i ri kam xhiruar Mentor Xhemalin, Naim Frashërin, Piro Manin, Prokop Mimën, Hysen Pelinkun, në Lezhë dhe në vitet 1971-1972 kam një episod fantastik sesi ata zënë peshk, besoj se diçka nga këto materiale duhet të ketë Stefan Gajo, një ndër bashkëpunëtoret e mi shumë të afërt në ato vite.

ObserverKult


Lexo edhe:

MEVLAN SHANAJ “RINGJALL” RIKARD LJARJAN: JU ÇMALLENI ME TË NË SHTËPITË TUAJA, EDHE PSE AI S’JETON MË

Regjisori i njohur, Mevlan Shanaj, ka përgatitur një dokumentar për të madhin Rikard Ljarja.

Dokumentari do të transmetohet për herë të parë më 1 prill, kur Ljarja do të mbushte 80 vjeç. Shanaj fton këdo që ka dëshirë, të marrë pjesë, pasi hyrja do të jetë falas.

“Ky portret u shfaq më 1967 në ekranin shqiptar! Erdhi si një risi në kinemanë moderne!

Dlirësia, ëmbëlsia, ngrohtësia e këtij artisti ka jetuar për mbi 50 vjet në çdo shtëpi shqiptari!

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult