Nga Michel Foucault*
Ja cilat ishin, sipas një rregulloreje të fundit të shekullit XVII, masat që duheshin marrë në një qytet kur deklarohej murtaja.
Fillimisht, një kudratim i rreptë hapësinor: rrethim i plotë, natyrisht, i qytetit dhe «rrethinave», ndalim absolut i daljes, e kërcënuar me vdekje, asgjësim i të gjitha kafshëve endacake; ndarje e qytetit në lagje të veçanta, në krye të të cilave vendoset një oficer i plotëfuqishëm. Çdo rrugë vendoset nën autoritetin e një mëkëmbësi, përfaqësues i banorëve, i cili ka në ngarkim mbikëqyrjen e vazhdueshme të saj; largimi nga posti dënohet me vdekje. Në ditën e caktuar, gjithsecili urdhërohet të mbyllet në shtëpi: ndalohet dalja dhe kundravajtësit dënohen me vdekje. Vetë mëkëmbësi vjen e mbyll nga jashtë portën e çdo shtëpie; çelësin e merr me vete dhe ia dorëzon të plotfuqishmit të lagjes, i cili e mban deri në fund të karantinës. Secila familje duhet të ketë siguruar ndërkohë rezervat ushqimore; për bukën dhe verën, ndërtohen kanale druri që lejojnë kalimin e racioneve nga rruga nëpër shtëpi, duke shmangur kështu çdo lloj kontakti mes furnizuesve dhe banorëve; për mishin, peshkun dhe erëzat përdoren shporta dhe çikrikë. Nëse dalja nga shtëpia është e domosdoshme, atëherë sekush duhet të dalë me radhë, dhe duke shmagur çdo takim. Të vetmit që lejohen të qarkullojnë janë të plotfuqishmit, mëkëmbësit, ushtarët e rojës dhe, mes shtëpive të infektuara, «korbat», të cilët mund t’i ekspozohen vdekjes pa problem, ngaqë bëhet fjalë për “njerëz llumi, që bartin të sëmurët, varrosin të vdekurit, pastrojnë dhe bëjnë shumë punëra të tjera të ulëta e të ndyra”. Hapësirë e prerë, kuadratike, e ngrirë. Secili ngujohet në vendin e vet. Po lëvizi, e paguan me jetë: o kontaminim, o ndëshkim!
Inspektimi është i pareshtur. Shikimi është përherë i mprehur: “Një trup i konsiderueshëm milicash, i komanduar nga oficerë të zotë dhe njerëz të sojmë”, truproja në çdo portë të qytetit, si dhe në çdo lagje, për ta bërë bindjen sa më të sigurtë dhe autoritetin e magjistratëve sa më absolut, “si dhe për mbikqyrjen e çdo çrregullsie, hajdutërie apo grabitjeje”.Poste mbikqyrëse të rregullta ndanë portave; në hyrje të çdo rruge, nga një roje ushtarake. I plotëfuqishmi, çdo ditë, viziton lagjen që ka në ngarkim, kontrollon nëse mëkëmbësit i përmbushin detyrat dhe nëse banorët kanë ndonjë ankesë.
Çdo ditë po ashtu, mëkëmbësi kontrollon rrugën që ka në përgjegjësi, ndalon para çdo shtëpie dhe i thërret të gjithë banorët në dritare (atyre që banojnë nga ana e oborrit të brendshëm u caktohet një dritare mbi rrugë ku vetëm ata kanë të drejtë të shfaqen); pasi e thërret secilin me emër, informohet për gjendjen e secilit, një e nga një -“me ç’rast banorët kanë detyrimin të përgjigjen me vërtetësi, përndryshe rrezikohen me jetë”; nëse dikush nuk del në dritare, mëkëmbësi duhet të kërkojë arsyen: “Do të zbulojë kështu nëse ka që fshehin të sëmurë apo të vdekur.” Secili i mbyllur në kafazin përkatës, secili në dritaren që i takon, secili përgjigjet kur dëgjon t’i thërrasin emrin dhe shfaqet kur e kërkojnë: është parada e madhe e të gjallëve dhe te vdekurve.
Një mbikëqyrje e tillë mbështetet në një sistem të përhershëm regjistrimi: raporte të mëkëmbësve te i plotfuqishmi, të këtij të fundit te prefekti ose kryetari i bashkisë. Në fillim të «shtetrrethimit» përcaktohet roli i të gjithë banorëve të pranishëm në qytet, një nga një; «shënohet emri, mosha, seksi, pa dallim statusi»: një ekzemplar për të plotfuqishmin e lagjes, një i dytë për zyren qendrore të bashkisë, një tjetër për mëkëmbësin, që të bëjë apelin e përditshëm.
Gjithçka që vërehet gjatë vizitave -vdekje, sëmundje, ankesa, parregullsi – mbahet shënim dhe u përcillet të plotfuqishmëve dhe magjistratëve. Prerogativa e përkujdesjeve mjekësore u takon ekskluzivisht këtyre të fundit, të cilët emërojnë një mjek përgjegjës; asnjë praktikant tjetër nuk lejohet të mjekojë, asnjë farmacist (spicer) nuk lejohet të përgatisë ilaçe, asnjë priftë nuk lejohet të vizitojë të sëmurët, pa marrë paraprakisht autorizim me shkrim prej tij, “me qëllim që të parandalohet fshehja dhe mbajtja e të sëmurëve ngjitës në padijeninë e magjistratëve”. Regjistrimi i patologjisë duhet të jetë konstant dhe i centralizuar. Raporti i secilit me sëmundjen dhe vdekjen e vet kalon nga instancat e pushtetit, nga regjistrimi që ato kryejnë, nga vendimet që marrin.
Pesë ose gjashtë ditë pas fillimit të karantinës, nis dezinfektimi i shtëpive, një nga një. Fillimisht, të gjithë banorët nxirren jashtë; në çdo dhomë, “mobiljet dhe mallrat e tjera” ngrihen dhe varen në lartësi; shpërndahet pastaj parfumi, i cili vihet të digjet, pasi është bërë kujdes të mbyllen mirë të gjitha dritaret, dyert, deri te vrimat e çelësave që bllokohen me dyll. Në fund mbyllet e tërë shtëpia, ndërkohë që parfumi vazhdon të digjet; ashtu si në hyrje, parfumuesit “kontrollohen sërish edhe në dalje, në prani të banorëve, për të parë mos kanë ndonjë gjë që nuk e kishin në hyrje”.
Disa orë më vonë, banorët lejohen të hyjnë në shtëpi. Një hapësirë e tillë e mbyllur, e mbikqyrur në çdo pikë, ku individët ngujohen në vende fikse, ku edhe lëvizja më e vogël kontrollohet, ku të gjitha ngjarjet shënohen e regjistrohen, ku një punë e pandalur shkrimi lidh përherë qendrën me periferinë, ku pushteti ushtrohet i plotë dhe absolut, sipas një figure hierarkike të vijuar, dhe ku çdo individ vazhdimisht gjurmohet, ekzaminohet dhe klasifikohet mes të gjallëve, të sëmurëve dhe të vdekurve- e tërë kjo pra, përbën një model kompakt të dispozitivit disiplinor.
Rënies së murtajës i përgjigjet acarimi i rendit; funksioni i tij është të zhbëjë çdo lëmsh a përzierje: atë të sëmundjes që përcillet kur puqen trupat; atë të së keqes që përhapet kur frika dhe vdekja i fshijnë të gjitha ndalimet. Rendi i imponon secilit vendin e vet, secilit trupin e vet, secilit sëmundjen dhe vdekjen e vet, nëpërmjet një pushteti të gjithëpranishëm e të gjithëditur, i cili prodhon vetvetiu nën-ndarje të rregullta dhe pa ndërprerje, deri te përcaktimi fundor i individit, me gjithë karakteristikat e tij, përkatësitë e tij, zotërimet apo ngjarjet e tij.
Përkundër murtajës, që vjen nga përzierja, disiplina ushtron pushtetin e vet, që punon me analizë.
Murtaja pati pjellë një fiksion të tërë letrar, të përshkuar nga përfytyrimi i festës: ligje që pezullohen, ndalime që shfuqizohen, tabu që bien, frenezi e kohës që ikën, trupat që përqafen pa cipë e pa gajle, individë që shpërfytyrohen, teksa braktisin maskën e identitetit statutor dhe figurën familjare të deriatëhershme, për të shpalosur një të vërtetë krejt tjetër. Por filloi gjithashtu edhe një ëndërr politike të murtajës: pikë për pikë e kundërta e sa më lart: jo festa kolektive, porse veçime të rrepta; jo ligje të shkelura, por depërtim i rregulloreve deri në detajet më të imta të ekzistencës, me ndërmjetësinë e një hierarkie absolute që siguron funksionimin kapilar të pushtetit; jo maskat që vihen dhe bien, por imponimi i përgjithshëm i emrit «të vërtetë», i vendit «të vërtetë», i trupit dhe sëmundjes «së vërtetë» të secilit. Murtaja, si formë njëherazi reale dhe imagjinare e trazirës dhe rregullsisë, ka si korrelativ mjekësor dhe politik disiplinën. Në sfond të diipozitivave disiplinore shquhet obsesioni i «kontaminimeve», murtajës, revoltave,krimeve, vagabondazhit, dezertimeve, i njerëzve që shfaqen e zhduken, që jetojnë dhe vdesin në mënyrë të çrregullt.
Nëse lebra nxiti ritualet e dëbimit dhe përjashtimit, që shërbyen si model dhe formë e përgjithshme e Ndryrjes së madhe në fillimet e epokës klasike, murtaja, nga ana e vet, u bë nxitje për skemat disiplinore. Në vend të ndarjes veçuese, masive, dhe binare, ajo kërkon shpërndarje të shumëfishta, ngulitje individualizuese, organizim të mbikëqyrjeve dhe kontrolleve në thellësi, intensifikim dhe degëzim të pushtetit.
Lebrozi i nënshtrohet një praktike dëbuese, një praktike të mërgim-rrethimi, ku braktiset si në gjirin e errët të një mase që nuk ia vlen të diferencohet; ndërkohë që të prekurit nga murtaja i nënshtrohen një kuadratimi taktik të hollësishëm, ku diferencimet individuale janë efekte shtrënguese të një pushteti të shumëfishtë, të artikuluar e të kapilarizuar. Nga njëra anë, ndryrja e madhe; në tjetrën, ngulitja e përgjithshme. Lebra me veçimet e saj; murtaja me kuadratimet e veta. Njëra e damkosur; tjetra analizohet dhe shpërndahet. Mërgimi i lebrozit dhe kontrolli i murtajës nuk bartin të njëjtën ëndërr politike. E para është ëndërr e një komuniteti të kulluar, tjetra ajo e një shoqërie të disiplinuar. Dy mënyra të ushtrimit të pushtetit mbi njerëzit, të kontrollit të raporteve mes tyre, të zgjidhjes së rreziqeve të përziera. Qyteti i murtajës. Qyteti i tëri nën hierarki, mbikëqyrje, vështrim, shkrimësi, qytet i ngrirë nën funksionimin e një pushteti të shtrirë dhe që ushtrohet dallueshëm mbi secilin trup individual- utopi e qeverisjes së përsosur. Murtaja (të paktën për sa mbetej ende e parashikueshme) është përvoja, ekstreme që lejon përkufizimin ideal të ushtrimit të pushtetit disiplinor. Për të gjetur funksionimin e pastër teorik të ligjeve dhe së drejtës, juristët e përfytyronin veten në gjendjen e natyrës; për të parë funksionin e disiplinës absolute, qeverisësit ëndërronin, gjendjen e murtajës. Në sfond të skemave disiplinore, imazh i murtajës vlen për të gjitha trazimet, mishëron të gjitha çrregullësitë; ashtu si imazhi i lebrës, i kontaktit që duhet prerë, gjallon në themel të çdo skeme përjashtuese.
Skema të ndryshme, por jo të papajtueshme. Pak e nga pak, do t’i shohim si ato afrohen; dhe veçoria e shekullit XIX ishte se teknikat specifike të kuadratimit dhe pushtetit disiplinor ia zbatoi hapësirës së përjashtimit të banuar simbolikisht nga Iebrozi (dhe të populluar realisht nga lypësarët; vagabondët ,të çmendurit, të dhunshmit).Trajtimi i “lebrozëve” si të ishin-“të prekur nga murtaja”, projektim i ndarjeve të holla të disiplinës mbi hapesirën konfuze të ndarjes, përpunimi i saj me metodat e shpërndarjes analitike të pushtetit, individualizim i të përjashtuarve, gjithë duke përdorur procedura, individualizimi për të shenjuar përjashtueshmëri të reja- të tilla ishin operacionet konstante te pushtetit disiplinar qysh nga fillimi i shekullit XIX: azili psikiatrik, burgu, shtëpia e korrektimit, institucionet e riedukimit të mbikëqyrur, spitalet në një pjesë të mirë dhe në përgjithësi çdo instancë ekontrollit individual funksionojnë në mënyrë të dyfishtë: sipas etiketimit dhe ndarjes binare (i çmendur –jo i çmendur, i rrezikshëm –i pa rrezikshëm, normal-anormal); dhe sipas ngulitjes shtrënguese, shpërndarjes diferencuese, (kush është? ku duhet të jetë? çfarë e karakterizon? si dallohet? si të ushtrohet mbi të një mbikëqyrje e vazhdueshme individuale, etj.).
Nga njëra anë “lebra” konvertohet në «murtajë»; dhe të dëbuarve u imponohet taktika e disiplinave individualizuese. Kurse, nga ana tjetër, universaliteti i kontrolleve disiplinore bën të mundur të etiketohen individët «lebrozë» dhe të ushtrohen kundrejt tyre mekanizmat dualiste të përjashtimit.
Ndarja e vazhdueshme e normales dhe anormales, së cilës i nënshtrohet çdo individ, përcjell deri në kohën tonë (gjithë duke ia zbatuar një lloji tjetër objektesh) damkën arbitrare dhe mërgatën e lebrozit; ekzistenca e krejt një grupi teknikash dhe institucionesh, që kanë për detyrë matjen, kontrollin dhe korrigjimin e anormalëve, vë në funksionim po ato dispozitiva disiplinore që nxitesh nga frika e murtajës. Të gjithë ata dispozita pushteti që, edhe sot e kësaj dite, ushtrohen rreth figurës së anormalit, qoftë për ta shenjuar, qoftë për ta ndryshuar, janë gërshëtime të këtyre dy formave me prejardhje të largët.
*
Panoptikoni i Benathamit është figura akitekturore e këtij gërshetimi. Parimi është i njohur: në periferi, një ndërtesë në formë unaze; në qendër, një kullë, me dritare të gjëra, që bien mbi anën e brendshme të unazës; ndërtesa perfierike është e ndarë në qeli, që shtrihen nga njëra anë e saj në tjetrën; qelitë kanë secila nga dy dritare; njëra nga brenda, përkundruall dritareve të kullës; tjetra nga jashtë, që le të hyjë drita, e cila depërton qelinë cep më cep.
Mjafton atëherë të vendoset një mbikqyrës në kullën qendrore, dhe në çdo qeli të mbyllet nga një i çmendur, i sëmurë, i dënuar, punëtorë apo nxënës. Drita e jashtme bën që silueta e të mbyllurit në qelinë periferike të jetë gjithmonë dhe saktësisht e dukshme nga kulla qendrore. Varg kafazesh, varg teatrosh të vegjël, ku çdo aktor është i vetëm, tërësisht i individualizuar dhe vazhdimisht i dukshëm.
Dispozitivi panoptik organizon njësi hapësinore që lejojnë dukshmëri të pandalur dhe dallueshmëri të menjëhershme. Përmbysja pra, e parimit të birucës së errët; ose më saktë, nga tre funksionet e saj – ndryrje, errësim, fshehje-ruhet vetëm ai i pari dhe hiqen dy të tjerët. Drita e diellit dhe syri i mbikqyrësit mbërthejnë më mirë se hija, që vlente fundja si mburojë. Drita është kurthi.
E gjithë kjo bën pikësëpari të mundur – si efekt negativ-shmangien e atyre masave kompakte, të zymta, të trazuara që gjallonin në vendet ne ndryrjes, si ato që pikturonte Goya apo që përshkruante Howardi.
Tani, secili është i mbyllur në qeli të vet, i dukshëm dhe ballë për ballë me mbikëqyrësin; ndërkohë që muret anësore e pengojnë të hyjë në kontakt me shokët e tjerë. Është i dukshëm, por ai vetë nuk shikon; objekt i përhershëm informimi, kurrë subjekt komunikimi. Orientimi i dhomës, me dritaren e kthyer nga kulla qendrore, e detyron të veprojë brenda një dukshmërie përgjatë bushtit; por ndarja e unazës në qeli të veçuara njëra pas tjetrës nënkupton gjithashtu padukshmërinë anësore. E cila garanton kështu rendin. Nëse të mbyllurit janë dënuar penalë, s’ka rrezik komploti, tentativë arratisjeje, projekte krimesh të reja në të ardhmen, ndikime të këqija të ndërsjella; po të jenë fëmijë, shmangen kopjet, zhurma, llafet, tërheqja e vëmendjes.
Po të jenë punëtorë,s’ka sherre, s’ka vjedhje, as bashkime, as nga ato zbavitjet që vonojnë punën, i prishin përsosmërinë dhe provokojnë aksidentet. Turma, masë kompakte, vend i shkëmbimeve të shumta, i pëzierjes dhe shkrirjes së individualiteteve, i efekteve kolektive, tani shpërbëhet në emër të një koleksioni individualitetesh të veçuara. Nga pikëpamja e gardianit, vendin e turmës e zë shumësia e numërueshme dhe e kontrollueshme; nga pikëpamja e të mbyllurve, ekspozimi në pengun e vetmisë.
Këtu qëndron edhe efekti kryesor i Panoptikut: nxitja e vetëdijes së përhershme të të burgosurit mbi dukshmërinë e vet, e cila siguroi kështu funksionimin automatik të pushtetit. Mbikëqyrja bëhet e përhershme në efektet e veta, edhe nëse veprimi i saj është i ndërprerë; përsosmëria e mekanizmit të pushtetit e bën gjithnjë e më të panevojshme ushtrimin aktual të tij. Aparati arkitekturor duhet të jetë makinë që krijon dhe ushqen një raport pushteti të atillë që të jetë veprues pavarësisht atij që e ushtron. Të mbyllurit duhet të zhyten pra në një situtatë pushteti ku bartës dhe përçues të jetë ata vetë. Në këtë pikëpamje, vëzhgimi i pareshtur i të burgosurit nga ana e mbikëqyrësit është njëherazi edhe i tepërt edhe i pamjaftueshëm: i pamjaftueshëm, ngaqë rëndësia qëndron te vetëdija e të qenit i vëzhguar; i tepërt, ngaqë nuk është nevoja,të jetë realisht nën vëzhgim. Për këtë arsye, Benthami vendosi parimin se pushteti duhet të jetë i dukshëm dhe i paverifikueshëm. I dukshëm: silueta e rëndë e kullës qendrore, vendi nga buron vëzhgimi, do të ngrihet pareshtur para syve të të burgosurit. I paverifikueshëm: i burgosuri kurrë nuk duhet ta dijë nëse është aktualisht nën vëzhgim ose jo; ·vetëm se duhet të jetë i bindur se gjëja është e mundur në çdo moment. Për ta bërë të pasigurtë praninë apo mungesën e gardianit, dhe që, nga qelitë, të burgosurit të mos arrinin të kapnin as lëvizjen e një hijeje, apo ndryshimin e dritës, përveç grilave në dritaret e sallës qëndrore të mbikëqyrjes, ai kishte parashikuar, në brendësi të saj, edhe ndarje me mure ndërmjetëse në kënd të drejtë dhe për kalimin nga një sallë te tjetra, jo porta por korridore të dhëmbëzuar sepse edhe lëvizja më e vogël, edhe drita më e zbehtë, edhe zhurma më e lehtë e një dere mund të tradhëtojë praninë e gardianit. Panoptiku është makinë për shpërbërjen sistematike të unitetit mes shikimit dhe të qenit i dukshëm: në unazën periferike njeriu është përherë dhe krejtësisht i dukshëm, pa arritur vetë të shohë; në kullën qendrore, gardiani sheh gjithçka, por nuk duket vetë asnjëherë.
Dispozitiv i rëndësishëm, ngase e automatizon dhe çindividualizon pushtetin, i cili buron tanimë jo aq nga personi, sesa nga një shpërndarje e caktuar dhe e renditur e trupave, nga sistemi i sipërfaqeve, ndriçimit, vështrimeve; nga një aparat që prodhon, me mekanizmat e tij të brendshëm, raportet ku gjenden të përfshirë individët. Ceremonitë, ritualet, shenjat që shpalosnin mbi-pushtetin e sovranit janë të tepërta. Një makineri e caktuar siguron tashmë asimetrinë, çekuilibrin, diferencën. Për pasojë, pak rëndesi ka kush e ushtron pushtetin. Edhe një individ çfarëdo, i marrë rastësisht, mjafton për ta vënë makinën në punë: në mungesë të drejtorit, familja e tij, fqinjët, miqtë, të afërmit, vizitorët, madje edhe shërbëtorët.
Po aq pak rëndësi ka motivi që i shtyn: kureshtia për dikë, etja për dije e filozofit që don të sodisë këtë muzeum të natyrës njerëzore, apo ligësia e atyre që kënaqen duke përgjuar e ndëshkuar. Sa më të shumtë të jenë vëzhguesit anonimë e kalimtarë, aq më shumë i burgosuri rrezikon të kapet gafil et aq më shumë i rritet vetëdija e të qenit i vëzhguar. Panoptiku është makinë e mrekullueshme, pothuaj përrallore, që nisur nga dëshirat më të ndryshme fabrikon gjithmonë efekte homogjene pushteti.
Një nënshtrim real, i lindur falë një marrëdhenieje fiktive.
Kështu që nuk është nevoja të përdoren mjetet e forcës për ta detyruar të dënuarin të sillet mirë, të çmendurin të qetësohet, punëtorin të punojë, nxënësin të mësojë apo të sëmurin që t’u bindet rekomandimeve mjekësore. Benthami ngazëllehej kur vërente se sa të lehta ishin institucioriet panoptike: s’ka më nevojë për hekura, vargonj, brava dhe çelësa të zhurmshëm; mjaft që ndarjet të jenë të plota dhe dritaret të rreshtuara siç duhet. «Shtëpitë e sigurimit», me arkitekturën e tyre hijerëndë prej fortese, mund të zëvëndësohen tani me gjeometrinë e thjeshtë dhe ekonomike të «shtëpive të sigurisë». Efikasiteti i pushtetit, forca detyruese e tij kalon tani në njëfarë mënyre, në anën tjetër-në anën e sipërfaqes së zbatimit.
Ai që gjendet i ngulitur në një fushë dukshmërie konstante, dhe që është i vetëdijshëm për këtë, priret t’i mveshë detyrimet e pushtetit dhe i vë në veprim vetvetiu, para se gjithash ndaj vetes; i bart në njëfarë mënyre brenda vetes raportet e pushtetit, në të cilat luan njëkohësisht të dyja rolet, duke u bërë kështu burimi i nënshtrimit që pëson. Për të njëjtën arsye, pushteti i jashtëm mund të lehtësohet kështu dhe të heqë dorë nga rëndesat fizike; priret gjithnjë e më shumë drejt jotrupores; dhe sa më shumë i afrohet këtij kufiri, aq më konstante, aq më të thella janë efektet e tij, aq më përfundimtare dhe vazhdimisht të riprodhueshme: ngadhnjim i përhershëm duke shmangur çdo përleshje fizike; betejë gjithmonë e fituar a priori.
Lidhur me projektin e tij, Benthami nuk e thotë nëse kishte qenë frymëzuar nga kopshti i kafshëve që dikur ndërtoi vetë në Le Vaux, Versajë: i pari kopsht ku kafshët nuk ishin të shpërndara në park, siç e donte tradita në qendër të një pavjoni tetëkëndësh, kati i parë i të cilit përbëhej nga një hapësirë e vetme e pandarë, qëndronte salloni i mbretit; nga të gjitha anët kishte dritare të mëdha, të cilat binin mbi shtatë kafaze (ana e tetë rezervohej për hyrjen), ku ishin mbyllur lloje të ndryshme kafshësh. Kopshti nuk ekzistonte më në kohën e Benthamit.
Por programi i Panoptikut dëshmon të njëjtin shqetësim dhe pritje për vëzhgim individualizues, për karakterizime dhe klasifikime, për organizim analitik të hapësirës. Panoptikoni është një lloj kopshti mbretëror, ku vendin e kafshës e ka zënë njeriu, atë të grupimit sipas llojeve shpërndarja individuale dhe vendin e mbretit makineria e një pushteti tinëzar.
Përtej këtyre dallimeve pra, edhe Panoptikoni mund të shihet fare mirë si shpikje natyralisti, si aparat që lejon përcaktimin e diferencave: te të sëmurët, vrojtimin e simptomave të secilit, duke shmangur fqinjësinë e shtretërve, qarkullimin e avujve dhe efektet ngjitëse që mund të turbullojnë tablonë klinike; te fëmijët, matjen e arritjeve dhe performancave (duke shmangur imitimet dhe kopjet), gjurmimin e aftësive, vlerësimin e karaktereve, klasifikimet e sakta si dhe, në raport me ecurinë normale, dallimin e “dembelizmit kokëfortë” nga “imbeçiliteti i pashërueshëm”; te punëtorët, vlerësimin e aftësive të secilit, krahasimin e kohës reale për kryerjen e një pune dhe llogaritjen e pagesave përkatëse, nëse paguhen me mëditje.
Kjo për sa i përket pamjes nga kopshti. Nga ana e Laboratorit, Panoptikoni mund të përdoret si makinë për kryerje eksperimentesh, për ndryshimin e sjelljeve, për stërvitjen apo riedukimin korrigjues të individëve. Eksperimetim ilaçesh dhe testim i efekteve të tyre.
Eksperimetim dënimesh të ndryshme mbi të burgosurit, sipas krimeve dhe karakterit të secilit, në kërkim të atyre që janë më efikasë. Mësim i njëkohshëm i disa teknikave të ndryshme për punëtorët për të gjetur se kush është më e mira. Përvoja pedagogjike që mund të tentohen me fëmijët- dhe në veçanti rimarrja e problemit të famshëm të edukimit në izolim, duke përdorur jetimë të braktisur; mund të shihej kështu se ç’ndodh kur takohen për herë të parë vajzat dhe djemtë aty nga mosha 16 ose 18 vjeç; mund të verifikohet hipoteza e Helvetiusit, sipas së cilës kushdo mund të mësojë gjithçka; mund të gjurmohej “çdo ide e vrojtueshme në tërë gjenealogjinë e saj”; mund të rriten fëmijë të ndryshëm me sisteme të ndryshme mendimi, duke i bërë për shembull disa të besojnë se dy dhe dy nuk bëjnë katër, apo se Hëna është rrotë djathi, dhe të bashkohen pastaj të gjithë nga mosha nëjzet e pesë vjeç; do të mund të asistonin kështu në diskutime shumë të vyera se fjalimet morale apo konferencat për të cilat shpenzohen aq shumë; do të kishim të paktën rastin të bënim ca zbulime të mëdha metafizike. Panoptikoni është vendi i priveligjuar që hap mundësinë e eksperimentimit me njerëzit, si dhe atë të analizës sa më të sigurtë të transformimeve të përfituara mbi ta. Panoptiku madje mund të funksionojë edhe si aparat kontrolli i mekanizmave të veta. Në kullën qendrore, drejtori mund të përgjojë tërë punonjësit që janë nën urdhërat e tij: infermierët, mjekët, kryepuntorët, mësuesit, edukatorët, gardianët; mund t’i gjykojë ata në vazhdimësi t’u ndryshojë sjelljet, t’u imponojë metodat që i duken më të mria; por edhe ai vetë mund të jetë i vëzhgueshëm po aq lehtë.
Një inspektor që hyn papritmas në qendër të Panoptikut i mjafton një vështrim i vetëm për të parë se si funksionon institucioni, pa i shpëtuar asgjë. Zaten, drejtori, i zhytur siç është edhe ai vetë një mes të një dispozitivi të tillë arkitekturor, a nuk është po aq pjesë përbërëse e tij? Mjeku i paaftë që le të përhapet një sëmundje ngjitëse, drejtori i burgut apo i punishtes që s’është në lartësinë e duhur janë viktimat e para të sëmundjes apo revoltës.
“Fatim im, thotë mjeshtri i Panoptikonit, është i pandarë nga fati i tyre (i të mbyllurve), falë tërë lidhjeve të shumanshme që kam arritur të shpik”. Panoptiku funksionon si një lloj laboratori pushteti. Falë mekanizmave vëzhgues, fiton efikasitet dhe aftësi depërtimi në sjelljet e njerëzve; dija rritet kështu përgjatë avancimeve të pushtetit dhe gjen objekte njohjeje në të gjitha sipërfaqet ku ushtrohet ai.
*
Mes qytetit të murtajës dhe institucionit panoptik, dallimet janë me rëndësi. Dëshmi e transformimeve që ka pësuar programi disiplinor gjatë një shekulli e gjysmë. Nga njëra anë, situatë e jashtëzakonshme: përballë rrezikut ekstrem, ngrihet pushteti i acaruar; bëhet i dukshëm dhe i pranishëm kudo, shpik mekanizma të rinj, mbyll, ngujon, veçon, kuadraton; ndërton kështu, për një kohë dhe në një vend të caktuar diçka që është njëherazi kudër-qytetza absolute dhe modeli i shoqërisë së përsosur; u imponon të gjithëve një funksionim ideal, por që, ashtu si e keqja kundër së cilës lufton, nuk shkon përtej dializmit jetë-a –vdekje: kush lëviz bart vdekjen, dhe pra kush lëviz do të vdesë.
Panoptikoni duhet kuptuar, përkundrazi, si model funksionimi i përgjithësueshëm; si një mënyrë e përcaktimit të raporteve të pushtetit me jetën e përditshme të nejrëzve. Natyrisht, Benthami e paraqet si institucion të veçantë, të mbyllur në vetvete. Dhe shpesh madje edhe është paraqitur si utopi e ndryrjes absolute. Përballë burgjeve të rrënuara të gravurave të Piraneses, zgavra të errëta ku gëlojnë trupat e munduar, Panoptikoni duket kafazi i mizorisë së rafinuar. Fakti që, deri në ditët tona, kafazi në fjalë i ka frymëzuar variacione të shumta projektesh apo realizimesh, tregon se sa i lartë ka qenë intensiteti imagjinar i tij. Megjithatë, Panoptikoni nuk duhet parë si ndërtesë onirike: ai është diagrama e një mekanizmi pushteti të përvijuar në formën e vet ideale; i zhveshur nga çdo pengesë, çdo qëndresë e çdo fërkim, funksionimi i tij mund të mendohet sigurisht si një sistem i kulluar optik dhe arkitekturor, në fakt, kemi të bëjmë me figurën e një teknologjie politike që jo vetëm mund ta veçojmë, por dhe duhet ta veçojmë nga çdo përdorim i veçantë.
Panoptiku është polivalent në zbatimet e veta; shërben kështu për ndreqjen e të burgosurve, por edhe për mjekimin e të sëmurëve, për arsimimin e fëmijëve, ruajtjen e të çmendurve, mbikqyrjen e punëtorëve, futjen në punë të lypsarëve dhe dembelëve. Është një lloj i caktuar i ngulitjes së trupave në hapësirë, i shpërndarjes së individëve në raport me njëri-tjetrin, i organizimit hierakik,i disponimit të qendrave dhe kanaleve përçues të pushtetit, i përcaktimit të instrumenteve dhe mënyrave të ndërhyrjes, që mund të përdoren në spitale, punishte, shkolla, burgje. Sa herë që do të kemi të bëjmë me një shumësi të dhënë njerëzore, së cilës i duhet imponuar një detyrë apo sjellje e caktuar, skema panoptike do të rezultojë e përdorshme. Me kushtin e disa modifikimeve të nevojshme sipas rastit, është skemë e “e përdorshme në çdo institucion, ku brenda një hapësire jo shumë të gjërë-duhen mbajtur nën mbikqyrje një numër i caktuar personash”.
Në të gjitha rastet kur zbatohet, Panoptiku ndihmon perfeksionimin e ushtrimit të pushtetit. Në shumë mënyra: ngaqë ul numrin e atyre që e ushtrojnë pushtetin, gjithë duke rritur numrin e atyre mbi të cilët ushtrohet ai. Ngaqë bën të mundur ndërhyrjen në çdo çast, dhe ngaqë trysnia e vazhdueshme vepron përpara se të kryhen gabimet, fajet apo krimet. Ngaqë, në kushte të tilla, forca e tij qëndron në faktin se nuk ndërhyn pikërisht asnjëherë, dhe ushtrohet në mënyrë të vetvetishme e pa zhurmë, duke ndërtuar kështu një mekanizëm, efektet e të cilit pasojnë sponatanisht njeri-tjetrin. Ngaqë arrin të veprojë mbi individët pa asnjë instrument tjetër fizik veç arkitekturës dhe gjeometrisë; model që “i jep shpirtit pushtet mbi shpirtin”. Skema e Panoptikut vepron si intensifikues për çdo lloj aparati: siguron ekonominë e tij (në njerëz, në kohë, në material); saje karakterit parandalues, i siguron efikasitetin funksionimit të vazhdueshëm dhe mekanizmave automatikë. Është mënyrë për të prodhuar pushtet “në një masë të paparë deri atëherë”, “një instrument i ri madhor qeverisjeje…; merita e veçantë e tij qëndron te fuqia e madhe që i mundëson çdo institucioni që do ta verë në zbatim.
Një lloj “veze e Kolombit” në rendin e politikës. Model që është i aftë t’i integrohet çdo lloj funksioni (edukativ, terapeutik, prodhues, ndëshkues); që rrit rendimentin e funksionit në fjalë duke u shkrirë pothuaj totalisht me të; që ndërton kështu një mekanizëm të përzier ku marrëdhëniet e pushtetit (dhe dijes) puthiten plotësisht, dhe deri në detaje, me proceset që duhen kontrolluar; që vendos një përpjestim të drejtë mes “rritjes së pushtetit” dhe “rritjes së prodhimit”. Me një fjalë, bën të mundur që ushtrimi i pushetit të mos mbivendoset nga jashtë funksioneve që mësyn, si barrë apo si detyrim i ngurtë, por të shkrihet dhe të veprojë brenda tyre në mënyrë të zhdërvjellët, duke shtuar kështu njëkohësisht efikasitetin e tyre dhe pikat e tij të ushtrimit. Dispozitivi panoptik nuk është thjeshtë sipërfaqe kontakti, pikë shkëmbimi mes një pushteti të caktuar dhe një funksioni të dhënë; por është mënyrë e funksionimit të marrëdhënieve të pushtetit brenda funksionit, dhe e vetë funksionit nëpërmjet këtyre marrëdhënieve të pushtetit. Panoptizmi është i aftë të “ndreqë moralin, të ruajë shëndetin, të forcojë industrinë, të lehtësojë barrën publike, t’i japë ekonomisë themele të forta si shkëmb, ta zgjidhë (në vend që ta presë) nyjen gordiane të ligjeve që mbyt të varfërit, dhe gjithë kjo falë një ideje të thjeshtë arkitekturore.”
Për më tepër që organizimii makinës është i tillë që nuk e përjashton praninë e huaj nga jashtë, madje në mënyrë të përhershme: e pamë se kusdo mund të vijë të ushtrojë funksionin e mbikqyrësit në kullën qendrore, dhe të kuptojë kësodore se di ushtrohet në realitet mbikëqyrja. Në fakt, çdo institucion, qoftë panoptik, qoftë dhe ai më i mbylluri, si shtëpitë ndëshkimore, mund të jetë fare lehtë objekt inspektimesh sa të shpeshta aq dhe rastësore: dhe jo vetëm nga ana e inspektorëve zyrtarë, por edhe nga ana e publikut; cilido anëtar i shoqërisë do të gëzojë të drejtën të vijë e të shohë me sytë e tij si funksionojnë shkollat, uzinat, burgjet.
Për pasojë, s’ka asnjë rrezik që rritja e pushtetit që sjell makina të degjenerojë në tirani; dispozitivi disiplinor do të kontrollohet në mënyrë demokratike, përderisa do të jetë i kontrollueshëm në çdo kohë nga “komiteti i madh i gjyqit të botës”. Aparati panoptik, i rregulluar kaq hollë për t’i lejuar mbikqyrësit që, me një shikim të vetëm, të vëzhgonte një shumësi individësh të ndryshëm, i lejon po ashtu kujtdo që të vijë e të mbikqyrë secilin nga mbikqyrësit. Makina e shikimit ishte një lloj dhome e errët për përgjimin e individëve; kurse tani bëhet një ndërtesë e tejdukshme, ku ushtrimi i pushtetit është i kontrollueshëm nga të gjithë.
Skema e panoptizmit, pa u dobësuar dhe pa humbur asnjë nga veçoritë e veta, priret të shpërndahet në tërë trupin shoqëror, duke u bërë një funksion i përgjithësuar. Qyteti i infektuar nga murtaja përbënte një model disiplinor të jashtëzakonshëm, përsosje absolute, por absolutisht i dhunshëm; kundër sëmundjes që sillte vdekjen, pushteti lëshonte kërcënimin e tij të përhershëm me vdekje; jeta reduktohej kështu në shprehjen e saj më të thjeshtë; kundër pushtetit të vdekjes, ushtrimi i patundur i të drejtës së shpatës. Në të kundërt, roli i Panoptikut është zgjerues; vërtetë jep formë pushtetit, e bën më ekonomik e më efikas, veçse jo në emër të vetë pushtetit; as për shpëtimin e një shoqërie të kërcënuar: objektivi i tij është rritja dhe përforcimi i forcave shoqërore-rritja e prodhimtarisë, zhvillimi i ekonomisë, përhapja e arsimit, ngritja e nivelit të moralit publik; të rrisë dhe të shumojë, si në Bibël.
Si të forcohet pushteti në mënyrë të atillë që jo vetëm të mos e pengojë progresin, jo vetëm të mos hedhë mbi të peshën e barrës dhe ekzigjencave të tij, por përkundrazi ta lehtësojë atë? Cili është ai intensifikues pushteti që mund të jetë njëkohësisht edhe rritës i prodhimit? Si mund të arrijë pushteti që forcat e veta t’i rrisë njëherësh me ato të shoqërisë, në vend që t’i shtypë apo t’i konfiskojë? Zgjidhja që Panoptiku i jep këtij problem është se rritja dhe optimalizmi prodhimtar i pushtetit sigurohen vetëm me kusht që, nga njëra anë, ai të mund të ushtrohet në mënyrë të vazhdueshme deri në themelet e shoqërisë, deri te grimcat e saj më të imta, dhe me kusht, që, nga ana tjetër, të funksionojë jashtë atyre formave të befta, të dhunshme dhe të ndërprera, që janë pjesë e ushtrimit të sovranitetit.
Trupi i mbretit, me praninë e tij të pazakontë materiale dhe mitike, me forcën që shpalos nga vetja apo ua delegon disave, është forma diametralisht e kundërt e kësaj fizike të re të pushtetit që përkufizon panoptizmi; fusha e këtij të fundit është, përkundrazi, tërë ajo zona e poshtme shoqërisë, vendi i trupave të çrregulltë, me lëvizjet e tyre të trazuara, forcat e tyre heterogjene, marrëdhëniet e ndërsjella hapësinore; kemi të bëjmë me mekanizma që analizojnë shpërndarje, shmangie, seri, kombinime, dhe që përdorin për këtë rast instrumente që bëjnë të dukshëm, instrumente regjistrues, diferencues dhe krahasues: fizikë e një pushteti të shumfishtë dhe relacional, intensiteti kulmor i të cilit nuk mishërohet te figura e mbretit, porse te trupat e individualizuar pikërisht sajë këtyre marrëdhënieve.
Në nivelin teorik, Benthami përkufizon një mënyrë të re të analizimit të trupit shoqëror dhe marrëdhënieve të pushtetit që e përshkojnë atë; në nivelin praktik, shpik një procedurë të re të nënrendimit të trupave dhe forcave, e cila rrit dobishmërinë e pushtetit duke anashkaluar instancën e Princit.
Panoptizmi është parimi i përgjithshëm i një e «anatomie politike» të re, e cila nuk ka më për objet e pikësynim raportin e sovranitetit, por marrëdhëniet e disiplinimit.
Kafazi i famshëm i Benthamit, me tejdukshmërinë e tij rrethore, me kullën e lartë qendrore, vend i njëhershëm i fuqisë dhe dijes, ishte menduar ndoshta të figuronte modelin e institucionit të përkryer disiplinor: por ai shërben po ashtu si model për «shkycjen» e disiplinave, për funksionimin e tyre të shpërhapur, të shumëfishuar dhe polivalent në tërësinë e trupit shoqëror. Ato disiplina që epoka klasike i pati sajuar fillimisht në vende të caktuara dhe relativisht të mbyllura-kazerma, kolegje, punishte të mëdha-dhe shtrirja globale e të cilave nuk e kapërceu nivelin dhe përkohësinë e kufizuar të një qyteti në gjendje murtaje, këtë trashëgimni disiplinore pra, Benthami ëndërron ta shndërrojë në një rrjet të tërë dispozitivash që depërtojnë në shoqëri, pa boshllëqe dhe pa ndalim, të shtrirë kudo dhe në vigjëlim të vazhdueshëm.
Aparati panoptik është formula e kësaj mësymjeje të përgthshme. Nisur nga një mekanizëm e thjeshtë dhe lehtësisht i transferueshëm, panoptizmi programon funksionimin themelor të një shoqërie të depërtuar e të përshkuar tejendanë nga mekanizmat disiplinorë.
Dy imazhe pra, të disiplinës. Në njërin skaj, disiplina-bllok, institucioni i mbyllur, i ngritur në margjinat e shoqërisë, dhe e tëra e orientuar drejt funksionesh negative: bllokon të keqen që kërcënon, pret komunikimet , pezullon kohën. Në skajin tjetër, me panoptizmin, kemi disiplinën-mekanizëm: dispozitiv funksional që duhet të përmisojë ushtrimin e pushtetit duke e bërë atë më të shpejtë, më të lehtë, më efikas, vizatim i trysjeve të holla për një shoqëri të ardhme. Dinamika që shkon nga njeri projekt te tjetri, nga displina e jashtëzakonshme te mbikqyrja e përgjithësuar është shenjë e një transformimi të thellë historik: shtrirja progresive e displinave përgjatë tërë shekujve XVII dhe XVIII, shumëfishimi i tyre në tërë trupin shoqëror dhe formimi i asaj që me të drejtë mund të quhet “shoqëria disiplinore”.
Gjatë epokës klasike ndodh një shtrirje e përgjithshme e procedurave disiplinore, dhe fizika bentamiane e pushtetit mund të vlejë si dëftesë e këtij procesi. E dëshmon, ndër të tjera, shtimi i pandalur i institucioneve disiplinore, me një rrjet që nis të mbulojë sipërfaqe gjithnjë e më të mëdha, dhe mbi të gjitha gjithnjë e më pakmargjinale: ajo që dikur ishte ishullore, vend i priveligjuar, masë rrethanore apo model i veçantë, bëhet tani formulë e përgjithshme; rregullat karakteristike të ushtrive protestante të Gulielm d’Oranzhit dhe Gustav Adolfit do të bëehn rregullore për të gjitha ushtritë e Europës; format e përgjithshme të disiplinës shkollore do t’i përvijojnë kolegjet model të Jezuitëve, apo shkollat e Batencourit dhe Demias, pas atyre të Sturmiy; rendi i vendosur në spitalet detare dhe ushtarake do të shërbejë si skemë organizimi për të gjithë sistemin spitalor të shekullit XVIII.
Ndërkohë, tërë kjo shtrirje e institucioneve disiplinore s’është veçse aspekti më i dukshëm i një sërë procesh më të thella.
1. Riorientimi funksional i disiplinave
Në filim, disiplinave u kërkohet kryesisht neutralizimi i rreziqeve, ngulitja e popullësive të papuna apo të irrituara, shmangia e problemeve që lindin nga grupime të mëdha njerëzish, etj: këtej e tutje (edhe ngaqë tanimë janë bërë të afta) do t’u kërkohet të luajnë rol pozitiv, të rrisin dobishmërinë e mundshme të individëve. Disiplina ushtarake nuk është më vetëm një mjet i thjeshtë për të parandaluar grabitjet, dezertimet apo mosbindjen e trupave; do të bëhet tani teknikë themelore e organizimit në ushtri, që ushtria të mos jetë më turmë e mbledhur njerëzish por të egzistojë si njësi me forca të shtuara pikërisht nga të qenit e tillë; disiplina rrit shkathtësinë e secilit bashkërendon shkathtësitë me njëra-tjetrën, përshpejton lëvizjet rrit fuqinë, shton aftësitë e qëndresës, etj. Disiplina në punishte, gjithë duke vijuar të vlejë si mënyrë e respektimit të rregullores dhe autoritetit, si masë të vlejë si mënyrë e respektimit të rregullores dhe autoritetit, si masë për pengimin e vjedhjeve dhe shpërdorimit, punon për rritjen e aftësive, shpejtësive, rendimentit, dhe pra rritjen e fitimit; vazhdon t’i moralizojë sjelljey, por gjithnjë e më tepër finalizon qëndrimet, synon gjestet, e bën trupin pjesë të një manikerie, kurse forcat elemente të një ekonomie. Në shekullin XVII, kur nisën të zhvillohen shkollat në provincë apo shkollat fillore fetare, justifikimet që i shoqëronin ishin më së shumti negative: duke qenë se të varfërit s’kanë mundësi t’i rrisin dhe edukojnë fëmijët, i lenë ata “padijen e detyrimeve të tyre eprore: të zënë në fyt nga mundi i mbijetesës, dhe duke qenë dhe vetë të rritur si mos më keq, s’kanë si t’u përcjellin fëmijëve një edukatë që s’e kanë marrë kurrë”; gjë që shkakton tre probleme të mëdha: mosnjohjen e Zotit, dembelizmin (me kortezhin pasues të alkoolit, fëlliqësive, veseve dhe kusarisë); si dhe formimin e atyre masave të mëdha rreckamanësh, përherë të gatshëm për trazira publike, “parazitë që dinë vetëm të zbrazin arkat e Hotel Dieu”.
Mirëpo, në fillim të Revolucionit, synimi që do t’i caktohet arsimit fillor të jetë –ndër të tjera-“forcimi”, “zhvillimi i trupit” të fëmijëve, gatitja e tyre “për ndonjë punë mekanike në të ardhmen”, pajisja me “sy të mprehtë, duar të shkathëta dhe gatishmëri në veprime”. Disiplinat funksionojnë përherë e më shumë si teknika për fabrikimin e individëve të dobishëm. Kjo i bën të lirohen nga pozita dikur margjinale në skaje të shoqërisë, të ndahen nga format e vrazhda të përjashtimit dhe pendesës, të ndërhyrjes dhe veçimit.
Kjo i bën t’i shkëputen dalëngadalë fqinjësisë së vjetër me rregullat murgjërore dhe universin e izolimit fetar. Kjo u lejon, po ashtu, të fillojnë të mësyjnë sektorët më të rëndësishëm, më qendrorë, më prodhimtarë të shoqërisë, duke u gërshëtuar me disa nga funksionet e saj madhore: prodhimin manifakturor, përcjelljen e njohurive, përhapjen e aftësive dhe mjeshtërive, aparatin luftarak, etj. Kjo kushtëzon, së fundmi, prirjen e dyfishtë që vërejmë të zhvillohet gjatë tërë shekullit XVIII: shtimin e numrit të institucioneve dispilinore, dhe disiplinimin në rritje të aparateve ekzistuese.
2. Përhapja grimcore e mekanizmave disiplinorë
Ndërkohë që, në njërën anë, institucionet e disiplinës shtohen në numër, në anën tjetër, mekanizmat disiplinorë priren drejt “çinstutcionalizmit”, daljes nga fortesat e mbyllura ku funksiononin më parë për të qarkulluar në gjendje “të lirë”; disiplinat masive dhe kompakte shpërbëhen në procedura të imëta kontrolli, që kësodore mund të transferohen dhe përshtaten lehtë. Në disa raste, aparatet e mbyllura pasurojnë funksionet e tyre të brendshme e specifike me një shtojcë mbikqyrjeje të jashtme, duke zhvilluar rreth tyre një kornizë të tërë kontrollesh anësore. Kështu për shembull, shkkolla fetare nuk ka për qëllim vetëm të formojë fëmijë të bindur e të shtruar, por duhet të lejojë edhe mbikëqyrjen e prindërve, të jetë në dijeni për mënyrën e tyre të jetësës, të ardhurat, gjendjen e besimit, zakonet dhe sjelljet.
Shkolla prodhon gjithnjë e më shumë observatorë të vegjel shoqërorë për të depërtuar deri te të rriturit duke ushtruar kontroll të rregulltë mbi ta: për Demian, sjellja e keqe e një fëmije, apo mungesat janë justifikime të mjaftueshme për t’u interesuar për familjen, për të shkuar e pyetur fqinjët, sidomos kur ka arsye të dyshohet se familja nuk do të thotë të vërtetën; pastaj duke pyetur edhe vetë prindërit, për të parë nëse i dinë lutjet dhe katekizmin, sa të vendosur janë ta shkulin vesin nga zemrat e fëmijëve, sa shtretër ka në shtëpi dhe kush e kush flen natën në to; vizita mbyllet eventualisht me një lëmoshë, dhurimin e një imazhi të shenjtë, ose ndërmjetësimin për krevate shtesë.
Në të njëjtën mënyrë, spitali konceptohet gjithnjë e më shumë si pikënisje dhe pikëmbështetje për mbikqyrjen mjekësore të popullësisë së jashtme; pas djegies së spitalit të Hôtel –Dieu më 1772, shumë vetë kërkojnë që spitalet e mëdha, të rënda dhe tepër të çorganizuara, të zëvendësohen me një varg spitalesh të vogla me përmasa të reduktuara; funksioni i tyre duhej të ishte mjekimi i të sëmurëve të lagjes, por edhe mbledhja e informacionit, vëzhgimi i fenomeneve endemike dhe epidemike, hapja e ambulancave dhe dispencerive, këshillimi i banorëve dhe mbajtja e vazhdueshme në dijeni e autoriteteve lidhur me gjendjen shëndetësore të rajonit.
Vërehet, po ashtu, një lloj tjetër i shpërhapjes së disiplinave, jo nisur nga institucione të mbyllura, por nisur nga vatra kontrolli të shpërndara në shoqëri. Për një kohë të gjatë, grupe të ndryshme fetare, shoqatat e bamirësisë, kanë funksionuar si kanale të priviligjuara të “vënies nën disiplinë” të popullsisë.
Qysh nga Kundër –Reforma dhe deri te filantropia e monarkisë së Korrikut, nisma të tilla kanë ardhur duke u shtuar; objektivat e tyre mund të ishin fetare (konvertimi dhe moralizmi), ekonomike (ndihma dhe nxitja për punë), ose politike (lufta kundër pakënaqësive dhe agjitacionit). Mjaft të citojmë si shembull rregulloret e shoqërive bamirësi-bërëse të famullive të Parisit. Territori që duhet mbuluar ndahet në lagje dhe kantone, që shpërndahen sipas anëtarëve të shoqërisë. Këta të fundit ngarkohen me vizita të rregullta. “Puna e tyre është pengimi dhe ndalimi i vendeve të vesit, duhanit, bixhozit, kumarit, skandaleve publike, blasfemive, dhe çdo trazire tjetër që mund të hasin.” Kanë detyrë, po ashtu t’u bëjnë vizita individuale të varfërve; pikat për t’u informuar saktësohen në rregullore: në ka apo s’ka strehë të rregullt, nëse i njeh lutjet, sa i frekuneton ritet e shenjta, di apo s’di ndonjë zanat, ç’moralitet ka (si dhe ” mos kanë rënë në varfëri për faj të tyre”); së fundi, “duhet të informohen me takt si sillen e si shkojnë punët në çift, a janë në paqe mes tyre dhe me fqinjët, a kudjesen për t’i rritur fëmijët me frikën e Zotit…, se mos i vënë fëmijët e rritur të sekteve të ndryshme të flenë bashkë, apo me prindërit, se mos kanë në familje zakone përkëdheljesh e libertinazhi, sidomos me vajzat e rritura.
Nëse dyshohet se janë vërtetë të martuar, t’u kërkohet çertifikata e martesës.
3.Shtetëzimi i mekanizmave të disiplinës
Në Angli, dhe kjo për një kohë të gjatë, ato që siguronin funksionet e disiplinës shoqërore ishin grupime private me frymëzim fetar; në Francë, nëse një pjesë e këtij roli mbeti në duart e shoqërive të patronazhit dhe atyre bamirësie, një pjesë tjetër – dhe pa dyshim ajo më e rëndësishme- u mor në ngarkim nga aparati i policisë.
Për një kohë të gjatë, dhe madje për vete bashkëkohësit, organizmi i një policie të centralizuar u pa si shprehja më e drejtëpërdrejtë e absolutizmit mbretërorë; sovrani kishte dashur të impononte një “magjistrat të tijin, të cilit të mund t’i besonte ekskluzivisht urdhrat, rekomandimet dhe qëllimet e veta, dhe që të kishte në ngarkim ekzekutimin e urdhrave dhe letrave me vulë”.
Dhe në fakt, gjithë duke ruajtur disa nga funksionet e mëparshme-kërkimin e kriminelëve, mbikëqyrjen urbane, kontrollin ekonomik dhe politik-prefekturat e policisë dhe prefektura e përgjithshme që i kurorëzonte në Paris, i riorganizonte tani ato në kuadrin e një makinerie administrative, të njësuar dhe rigoroze: “Të gjitha rrezet e forcës dhe hetimeve që nisin nga periferia vijnë e mblidhen te prefekti i përgjithshëm…Ai e komandon lëvizjen e gjithë atyre ingranazheve; të vëna së bashku, ato prodhojnë rendin dhe harmoninë. Efektet e administratës së tij s’kanë të krahasuar me asgjë tjetër, pos lëvizjes së trupave qiellorë.”
Mirëpo, policia si institucion vërtetë u organizua në formën e një aparati shtetëror, dhe madje e lidhur drejtpërdrejt me qendrën e sovranitetit politik, por ama lloji i pushtetit që ushtron ajo, mekanizmat që përdor dhe elementet mbi të cilat zbatohet janë tejet specifike. Kemi të bëjmë me një aparat që duhet të jetë i bashkështirë me tërësinë e trupit shoqëror, jo vetëm për nga kufijtë e skajshëm ku arrin, por edhe për nga hollësia e detajeve që merr në ngarkim.
Pushteti policor duhet të përqëndrohet “mbi gjithçka”: por nuk bëhet fjalë për tërësinë e shtetit, as për mbretërinë si bashkim i trupit të dukshëm dhe të padukshëm të monarkut; objekti i saj është pluhuri i mizërishëm i ngjarjeve, veprimeve, sjelljeve, opinioneve- gjithçka që ndodh; objekti i policisë janë “gjërat e çdo çast”, ato “çikërrimat: për të cilat fliste Katerina II te Udhëzimi i Madh. Me policinë, hyjmë kështu në epokën e një kontrolli të pafundëm, që synon tani të arrijë edhe grimcën më elementare, edhe dukuritë më kalimtare të trupit shoqëror; “Shërbimi i magjistratëve dhe oficerëve të policisë është nga më të rëndësishmit; objektet që synon ai janë në njëfarë mënyre të pafundme, dhe mund të shquhen vetëm pas një shqyrtimi shumë të hollë” thërmija fare grimcore të pushtetit politik.
Për t’u ushtruar, një pushtet i tillë duhet të pajiset me instrumentet e një mbikëkqyrjeje të përhershme, gjithëpërfshirëse, të gjithëpranishme, të aftë ta bëjë gjithçka të dukshme, por me kusht që vetë të mbetet e padukshme. Mbikqyrja duhet të jetë një lloj shikimi i askujt, që e kthen tërësinë e trupit shoqëror në fushë perceptimi: mijëra sy që përgjojnë kudo, mijëra vëmendje të lëvizshme dhe gjithmonë zgjuar, një rrjet i gjerë hierarkish, i cili sipas Le Maire, vetëm për Parisin ka 48 komisarë, 20 inspektorë, pa folur për “vëzhguesit” me rrogë, “fuksat” me pagesë ditore, pastaj denoncuesit, të ndarë sipas detyrave, deri më në fund te prostitutat.
Dhe një vëzhgim i tillë i pandalur duhet mbledhur njëkohësisht në raporte e regjistra; përgjatë tërë shekullit XVIII, një tekst i pamatë policor vërshon të mbulojë shoqërinë, falë një organizmi dokumentar kompleks. Dhe në dallim nga metodat e shkrimit gjyqësor ose administrativ, ato që regjistrohen këtu janë qëndrimet, virtualitetet, dyshimet, pandehmat -një kujdes dhe interes i pashuar-për sjelljen e individëve.
Mirëpo, duhet theksuar se gjithë ky kontroll policor, vërtet është i tëri «në duart e mbretit», por ama , nuk funksionon vetem me një kah. Në fakt, sistemi është me hyrje të dyfishtë: nga njëra anë, duke anashkaluar aparatin e drejtësisë, duhet t’i bindet vullnetit të drejtpërdrejtë të mbretit; por është i hapur edhe për kërkesat nga poshtë; pjesa më e madhe e atyre letrave te famshme,me vulë, që simbolizonin për një kohë të gjatë arbitraritetin e mbretit dhe që ndikuan aq shumë në zhvlerësimin e praktikës së burgimit,në fakt vinin si kërkesë e familjeve, kujdestarëve, mësuesve, borgjezëve lokalë, banorëve të lagjes apo dhjakut të famullisë; dhe funksioni i tyre ishte sanksionimi me burgim të thjeshtë i një infra-penaliteti të tërë, atij të çrregullsisë, agjitacionit, mosbindjeve, sjelljeve të këqija; gjithë atë zonë që Ledoux deshte ta dëbonte nga projekti i qytezës së përkryer arkitekturore, dhe që e quante «shkelje të mosbindjes». Me një fjalë, policia e shekullit XVIII, do t’i shtojë tani rolit si ndihmëse e drejtësisë në ndjekjen e kriminelëve, rolit si instrument për kontrollin politik të komploteve, fraksioneve apo revoltave, edhe një funskion të mirëfilltë disiplinor. Funksion kompleks, ngase duhet,të lidhë pushtetin absolut të monarkut me instancat më të vogla të pushtetit të shpërndarë në shoqëri; ngase duhet të shtrijë mes larmisë së institucioneve të mbyllura të disiplinës (punishte,ushtri,shkolla) një rrjet të ndërmjetëm, që vepron aty ku ato s’mund të ndërhyjnë, duke disiplinuar kështu hapësirat ende jo disiplinore; ngase duhet t’i mbulojë bashkarisht, të sigurojë lidhjen e tyre të ndërsjellë, t’u garantojë forcën, e vet të armatosur: disiplinë e ndërfutur dhe njëkohësisht meta-disiplinë. «Me një polici të mirë, sovrani e mëson popullin me zakonet e rendit dhe të bindjes.»
Organizimi i aparatit policor në shekullin XVIII sanksionon një përgjithësim masiv të disiplinave,që arrin deri në përmasat e shtetit.
Megjithëse e lidhur ngushtë me të gjitha elementet e pushtetit mbretëror që e kapërcenin ushtrimin e rregullt të drejtësisë, kuptohet qartë gjithsesi se përse policia arriti t’i mbijetojë riorganizimit të pushtetit gjyqësor duke pësuar modifikime fare të vogla; se si vijoi t’i impononte atij, në mënyrë të pareshtur dhe gjithnjë e më rëndë, deri edhe sot, prerogativat e veta; pa dyshim ngaqë policia është krahu shekullar i drejtësisë; por gjithashtu ngaqë policia, me shtrirjen dhe mekanizmat e veta, është shumë më homogjene me shoqërinë e tipit disiplinor sesa institucioni i drejtësisë. Megjithatë, do të ishte e pasaktë të mendohej se funksionet disiplinore u përthithën dhe u konfiskuan një herë e mirë nga aparati shtetëror.
«Disiplina» nuk mund të njësohet as me një aparat, as me një institucion të caktuar; ajo sendërton një tip pushteti, një modalitet të caktuar të ushtrimit të tij, të përbërë nga një tëresi instrumentesh, teknikash, procedurash, nivelesh zbatimi, shënjestrash dhe objektivash; është një «fizikë» ose një «anatomi» e caktuar e pushtetit, një teknologji e veçantë. Dhe, si e tillë mund të merret në ngarkim qoftë nga institucione të «specializuara» (si burgjet, apo shtëpitë e korrektimit,në shekullin XIX), qoftë nga institucione që e përdorin si instrument thelbësor për arritjen e një qëllimi të caktuar (si shtëpitë e riedukimit, spitalet), qoftë nga instanca të mëparshme, që gjejnë aty mjetin e përshtatshëm për përforcimin apo riorganizimin e mekanizmave të brendshëm të pushtetit vetjak (duhet treguar një ditë se si u «disiplinuan» marrëdhëniet familjare, kryesisht rreth qelizës prind-fëmijë, duke përthithur e duke u kolonizuar, qysh në epokën klasike, nga skema te jashtme:, shkollore, ushtarake, pastaj mjekësore, psikiatrike, psikologjike, që e bënë familjen vendin e privilegjuar të lindjes dhe artikulimit të ndarjes disiplinore të normales dhe anormales); qoftë nga aparate që e përdorin disiplinën si parim të funksionimit të tyre të brendshëm (disiplinarizim i aparatit administrativ në epokën napoleoniane), qoftë, së fundi, nga aparate shtetërore, që kanë si funksion kryesor, edhe pse jo të vetëm, sigurimin e sundimit të disiplinës në nivelin e tërë shoqërisë (policia).
Në total, në dinamikën e kësaj lëvizjeje që shkon nga disiplinat e mbyllura, nga ai lloj «karantinash» shoqërore, deri te mekanizmi pafundësisht i përgjithësueshëm i «panoptizmit», mund të flasim për formimin e një shoqërie të mirëfilltë disiplinore. Jo se modaliteti disiplinor i pushtetit zëvëndësoi gjithë modalitetet e tjera, por ngaqë arrin tashmë të depërtojë përmes tyre, kudo, nganjëherë duke i vjetëruar ose shfuqizuar, nganjëherë duke u shërbyer si ndërmjetës, por dhe duke i lidhur mes tyre, duke u dhënë zgjatime të reja, por mbi të gjitha duke mundësuar përçimin e efekteve të pushtetit deri në elementet më të holla e me të largët. Disiplina siguron shpërndarjen grimcore të raporteve të pushtetit.
Pak vite pas Benthamit, Juliusi do të hartonte çertifikatën e lindjes së kësaj shoqërie. Teksa përmend parimin e panoptizmit, ai shprehej se bëhej fjalë për shumë më tepër se një gjetje të thjeshtë arkitekturore: një ngjarje e vërtetë «në historinë e mendjes njerëzore».
Në pamje të parë, s’është veçse zgjidhja e një problemi teknik; por përmes saj, përvijohet një model i tërë shoqëror. Antikiteti ishte një qytetërim i spektaklit. «Si t’i ofrohet një shumicë njerëzish pamja e një numri të vogël objektesh? »: arkitektura e tempujve, teatrit dhe cirkut ishte ajo që i jepte zgjidhje këtij problemi. Dhe bashkë me spektaklin, mbisundonte jeta publike, intensiteti i festës, fqinjësia sensuale e trupave. Ndër rituale të tilla ku rridhte gjaku, shoqëria sikur ripërtërihej dhe formonte për një çast një trup të vetëm madhor.
Epoka moderne shtron problemin e anasjellë: «Si t’i jepet një numri të vogël njerëzish, madje dhe një njeriu të vetëm,pamja e njëhershme dhe gjithëpërfshirëse e një shumësie të madhe?» Në një shoqëri ku elementet themelore nuk janë më komuniteti dhe jeta publike, por individët e veçuar,nga njëra anë, dhe shteti nga ana tjetër,raportet s’mund t’i rregullsojë veçse një formë saktësisht e kundërt me atë të spektaklit: “I takonte pikërisht kohëve moderne, ku ndikimi i shtetit është gjithnjë në rritje, ku ndërhyrja e tij bëhet përditë më e thellë deri te detajet dhe të gjitha marrëdhëniet e jetës shoqërore,privilegji i rritjes dhe përsosjes së garancive të saj, duke përdorur e duke vënë në shërbim të këtij qëllimi të madh ndërtimin dhe përhapjen e gjerë të këtyre ndërtesave që shërbejnë për mbikëqyrje e njëkohshme të një sasie të madhe njerëzish.”
Juliosi e lexonte si proces të kryer historik atë që Benthami e përshkruante si program teknik. Shoqëria jonë nuk është shoqëri e spektaklit, por shoqëri e mbikëqyrjes, shoqëri e përgjimit; nën sipërfaqen e imazheve, gëlon mësymja e trupave në thellësi; përtej abstragimit të madh të shkëmbimit, vazhdon shtrimi i përpiktë dhe konkret i forcave; kanalet qarkulluese të komunikimit janë bazamente të mbledhjes dhe centralizimit të dijeve; loja e shenjave mundëson ngulitjet e pushtetit; rendi ynë shoqëror nuk e gjymton, as e shtyp, as e tjetërson harmoninë e qashtër të totalitetit individual; vetëm se individi është fabrikim i kujdesshëm i vetë këtij rendi, sipas krejt një taktike forcash dhe trupash. Jemi shumë më pak grekë nga ç’pandehim.
Nuk jemi as në shkallë, as në skenë, por brenda makinës së madhe panoptike, ku kanë mësyrë efektet e saj pushtetërore, të cilat njëkohësisht ne i përçojmë, duke qenë vetë pjesë e ingranazheve të saj. Rëndësia e personazhit të Napoleonit në mitologjinë historike ndoshta gjen këtu një nga shpjegimet e veta: ai ishte pika e takimit mes ushtrimit monarkik dhe ritual të pushtetit dhe ushtrimit hierarkik e të vazhdueshëm të disiplinave pa kufi. Syri që përfshin të tërën me një shikim të vetëm, por që dhe nuk i shpëton kurrë asnjë nga detajet, sado i vogël të jetë: «Mund të gjykoni dhe vetë se asnjë pjesë e Perandorisë nuk është lënë pa mbikëqyrje, se asnjë krim, asnjë shkelje, asnjë kundërvajtje nuk duhet të shpëtojë pa u përndjekur, dhe syri i mprehur që ndriçon gjithçka di ta rrokë njëherësh tërë këtë makinë gjigande, pa lënë ndërkohë t’i shpëtojë as më të voglin detaj. »Në pikën e çeljes së saj të plotë, shoqëria disiplinore rigjen edhe një herë te figura e perandorit aspektin e vjetër të pushtetit spektakolar . Si monark me dy faqe, uzurpator i fronit të vjetër dhe organizues i shtetit të ri, Napoleoni ngjiz në një figurë simbolike dhe pëfundimtare tërë procesin e gjatë ku vizëllimet e bujshme të sovranitetit,rrezatimet domosdoshmërisht spektakolare të pushtetit, u shuan njera pas tjetrës nën ushtrimin e mbikëqyrjes së përditshme, nën peshën e përhime të një panoptizmi ku vigjilenca e shikimeve të kryqëzuara do të vonojë ta bëjë shqiponjën të kotë, edhe diellin bashkë me të.
*Teksti i mësipërm është pjesë e esesë filozofike të Foucault me titull “Panoptizmi”, shkëputur nga “Disiplinë dhe ndëshkim”, botim i Odeonit, përkthyer nga Orgest Azisi.
Përgatiti: ObserverKult