Mid’hat Frashëri: Do vijë dita-oh, që të lirohet dhe të lulëzojë Shqipëria…

“Naim Be Frashëri” nga Mid’hat Frashëri

Akoma s’ish zbardhëlluar kur u hap dera; se pa marrë përgjigje, pritnja të më thoshin të ren’ e ligë; Naim beu është fare keq! Këto pesë fjalë më dredhnin mishtë. Naim beu është keq!  Kishim katër vjetër  e gjysmë q’e qanim këtë njeri të madh; e dinim që sëmundja s’i kish shpëtim! Po kujt i vente goja? E dinim, po s’donim të besonim…
E shtuna në familjen tënë është dit’ e nëmur, dit’ e zezë. Ashtu shoi të shtunën me dy orë të mëngjesit, 7 Vjesht’ e 2-të 1900, një jetë që kish nisur më një të natës duke gdhir’ e hënë, më 13 të Majjit 1846, në Frashër.
Na ku është ky njeri i dashur! Na ku rri shtrirë! Vjen të pyes si je…shiko po më përgjigjet…po më thotë, pas zakonit që kish, me zë t’unjët e të ëmbël “Prapë ashtu jam!…ah, ç’të them unë! Ato buzë më nuk lëvizin, ata sy më s’shohin! S’i  kemi për të dëgjuar më zënë! Kur të kemi ndonjë hall, më s’kemi kë të pyesim! s’ka se kush të na japë këshilla! S’ka kush të na japë kurajo dhe shpresë!
Këtu filosofia dhe mëndja s’hyjnë në punë; nj’e tillë mënxyrë s’ka ngushëllim; këtu njeriu le ç’ka mësuar, le stërvitjen, lë mëndjen dhe bëhet foshnjë; zëmra zbulohet nga pëlhurët e njerëzisë dhe bëhet siç është te foshnjeja, ashtu si e bëri Perëndija! Buzët janë pa zë, po zëmra qan! Njerëzit e shtëpisë janë të gurosur, vetë lottë u rrjedhin, krahrorët po psherëtijnë1 Sa zi, sa helm mbi këtë fëmijë!

Me Naim benë nuk humbasim një gjëri të dashur, një ta madhin e fëmijës, po një mësonjës, një këshillonjës, një atë! Edhe jo ne vetëm, po gjithë Shqipëria.
Tërë dita tërë nata shkon në helm e në mejtime; s’duam të flemë, duamë t’i rrimë pranë, se…kjo është nat’ e fundit! Paskëtaj syt’ e trupit më s’kanë për të par’ atë Naim! Vetëm mëndja e ka për të kujtuar dhe ka për të qarë.
Një nga miqtë nxjerr nga xhepi “Lulet e verës” dhe na thotë:
Paskëtaj për ne këto fletë janë Naim; ay shkoi vate te e vërteta , po këto mbenë! Këndon “Të vdekurit”. Në këto vjersha zemëra dhe helmi na gjen nj’ushqim:

Po vallë ku vanë?
Për jet’ u mërguan?
Apo u ndryshuan?

E djela gdhihet, kjo është dit’ e fundit; sot do vihet në gji të dheut , të këtij dheu tek i cili venë gjithë njerëzit, të mir’a të liq. Sot do të fshihet për jetë nga bota fytyr’e këtij njeriu të dashur e të rrallë! Sot do lihet të kalbet më pak kohë ky njeri që natyra ja ka të rrallë shokët, dhe s’i pjell veç se më ca qind vjet një herë.
Shikoni këta njerëz! Sa helm ka mbi fytyrë të tyre! Shihni se janë të shumtë: ka nga çdo fe,nga çdo   vërsë, e nga çdo radhë.
Këta e njihnin në gjallëri: vinin e i kërkonin këshilla, vinin e pyesnin për çdo punë. “I varfërë  vinja te Naim beu, i pasur shkronja; i urët vinja, nginjët shkonja; pa shpresë vinja, plot shpresë shkonja;me shpirt të sëmurë vinja, kur shkonja ndjenja vetnë të gjall’ e me shpirt; fjalët që na thoshte na shëronin zëmrën!” thotë një ng’ata.
Këta njerëz që kanë sytë me lot, këta janë ng’ ata që kanë parë të mirë: kush kërkonte ndihmë, kush kish punë, kush kish djal’e çupë për në shkollë; kushdo që kërkonte ndihmë, s’kish ndihmës më të madh e  më të mirë se ky Shqipëtar i madh që po varroset sot!
Këta të tjerë mbi fytyrë të cilëvet është shkruar helmi dhe zija, këta të gjorë s’kanë pasur fatin të shohin  në gjallëri Naimnë; po i kanë kënduar librat shqip, i kanë mbajtur në zemër vjershat; ato vjersha u kanë dhënë dashuri për mëmëdhe e për njerëzi, ato libra u kanë rrëfyer ç’është mirësia, dashuria, puna dhe jeta!  Këta të gjorë janë të helmuar që s’e panë dot sa ish gjallë, po kjo nuk’i ndalon të kenë nderim dhe dashuri të madhe për Shqipëtar’ e madh që po shpihet në varr.
Këta të tjerë s’janë shqiptarë, po nga komb tjetër: turq, grekër, etj: kan’ ardhur me nder të madh, se kanë pasur fatnë të kuvëndojnë me Naimnë dhe janë çuditur me diturinë, me mëndjen me sjelljen’ e bukur të tij!
Na se ku po ecin me krye t’unjët gjithë këta njerëz; nga nderi arkën e mbajnë mbi kokë, me të lartë! Ecin me ngadalë, se trëmben të venë në dhet këtë njeri të dashur: duan ta mbajnë! Dhe sikur të munt t’i epesh shpirt përsëri, e cili do kursente të tinë?
Ora shtatë! Arritmë në varr! Këtu na pret një helm i ri: jemi përpara varrit t’Abdyl beut; kështu pra , këta të dy vëllezër që kanë rrojtur bashkë, kanë punuar bashkë, kanë pasur një qëllim e një mendim, që janë përpjekur tërë jetën’ e tyre për Shqipërinë, janë dhe pas vdekjes ngjitur në varr!…
Shikoni, o njerës! Na se ku s’vihet në varr Naimi! Naimi,babaj i shqipëtarëvet, Naimi babaj ynë , Naimi mësonjësi ynë! Dy kut dhe arrinë për këtë njeri të madh e të dashur! Na, humbi trupi! Dheu po e mbulon! Më s’e kemi për të parë, më s’e kemi për të dëgjuar!
O njerëz, gjithë kështu do vdesim! Do vijë dita që të mbulohemi më një gropë, që të na kalben e të na bëhen hi dhe eshtërat!
Ahere s’na ka për të mbetur gjë nga këto poshtësit’ e dheut!

Ahere nga lakmimi, nga ligësitë, nga poshtërsitë, nga djallëzitë, nga marrëzitë, s’do të na mbesë fare gjësen; vetëm një kujtim do të mbesë të njerëzit: si lum ata që do të kujtohen për të mirë, si mjer ata që do të zihen ngoje për të ligë! Si mjer ata që kanë të liq, si lum ata që kanë qënë të mirë ! perëndia do na njohi gjithë punëtë.
O njerëz, mirrni pjesë nga ky varr që po mbulohet përpara syvet: Naimi shkoi për jetë! Shkoi për ne, po vate te Perëndia!


Neve na mësoi të bëhemi të mirë, të duhemi, të punojmë, të duam Shqipërinë!

Mirrni pjesë nga ky njeri përpara varrit të cilit po rrimë me sy të lotuar! Mbani mënt fjalët që na thosh , këshillat që na jepte!


Kijeni për shembllë, se ish i mirë, i virtytshëm, vetijëmirë, shpirtëmirë, i ëmbël! Tek ay çdo njeri gjente një ndihmës, një këshillonjës, një baba!
O shqipëtarë! Në doni të nderoni kujtimn’ e këtij njeriu të madh që po e qan sot e tërë Shqipëria, mbani mënd fjalët e tij: Jini të mirë, vetijëpastër; doni mëmëdhenë dhe gjuhën tuaj.

U mbarua dhe shërbim’ i fundit q’i bëjmë këtij Shqipëtari, të cilit i kemi detyra të mëdha e të paharruara sa të rrojë Shqipëria dhe gjuha shqip. Tani gjithkush ng’ata që kish ardhur të vërë në gjit të dheut trupn; e Naimit, merr nj’udhë për të kthyer po me kokë t’unjur e të mejtuar.

Nga një breg kthejmë dhe një herë tjatër kokën: na se ku, atje tej, n’atë fshat më tej Ysqydarit, dy orë lark nga Stambolli në Merdiven-Qoj, mbi një breg, atje janë të dy varret: njëri i ri, tjetri bërë me 11 të Vjeshtës’ së 2-të 1892, n’ata varre janë mbuluar trupat e vdirshim të dy vëllëzërvet; atje n’atë fshat të vogël, larg nga Shqipëria për të cilën rrojtnë!

Po do vijë dita-oh, kemi shpresë të fortë-që të lirohet dhe të lulëzojë Shqipëria, dhe ahere, do të shpihen’ eshtërat e këtyre dy vëllezërve në Shqipëri, dhe t’u gëzohet shpirti duke parë –qoftë pas vdekjes –prodhimn’e farës që mbuallë me aqë dëshirë.

Eren-Qoj 1900

(Shkëputur nga libri ‘Or’ e fundit- Proza letrare dhe dokumentare‘ e autori Lumo Skëndo (Mid’hat Frashëri))

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

SHPALLET FITUESI I ÇMIMIT “LUMO SKËNDO”, SIVJET I TAKOI BEN BLUSHIT

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti bëri të ditur se, fituesi i çmimit “Lumo Skëndo” u shpall Ben Blushi me librin “41 Sekrete”.

“U mblodhëm sërish nën një emër të madh si ai i mendimtarit dhe bibliofilit, Lumo Skëndo, për të vlerësuar veprën më të mirë në fushën e publicistikës dhe eseistikës për vitin 2022.

Kënaqësi të kishim mes nesh edhe fituesen e edicionit të shkuar, Lea Ypi për të kaluar “stafetën” e një çmimi. Një çmimi që vlerëson sa mprehtësinë e mendimit. Por aq edhe bukurinë e gjuhës”, u shpreh Margariti.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult