S’e di, s’e di përse s’të dua më…

grua dashuria

Nga Mihal Hanxhari

-Jo, i thashë, nuk të dua më, dhe u ktheva nga dritarja me duar në xhepa.
Prita dëgjoja pas meje të qarat e saja. Por asgjë s’ndëgjova. Kaluan disa çaste heshtjeje që m’u dukën fort të gjata. U ktheva përballë saj.
Ajo qëndronte më këmbë krejt e zbehtë si një qelibar, në sytë asnjë lot; ato ishin krejt të tharë, të hapur fort e pa shkëlqim.
-Përse?-foli me një fije zëri, pa lëvizur asgjë në fytyrën e saj.
-S’e di. S’e di përse s’të dua.
-E një herë përse më pate dashur? Rrëmiha në fund të shpirtit tim e thashë:
-S’e di. –Por diçka më shtrydhi zemrën. Lotët më rodhën nga sytë; i u hodha në krahët e saj të pa fuqi dhe qava mbi gjirin e saj.
-S’e di, s’e di unë ndofta humba çdo gjë tashmë, ti duhet të kësh mëshirë për mua, që s’di të të dua më.
Ajo më përkëdheli flokët e unë flisja midis lotëve të nxehtë. Pastaj ngrita kokën. E pashë që qante në heshtje, pa mbyllur qepallat, pa dredhur asnjë rudhë në ballin e saj; një lot i rritej, i rëndohej, dhe i binte në faqe; një tjetër fillonte t’i rritej përsëri midis qepallave.
-Atëhere kush është më fatkeqi nga ne të dy? –më tha me po atë fije zëri.
-S’e di-i u përgjigja në mes të lotëve.
Pastaj e putha në buzë, e putha fort dhe lotët u përzien në buzët tona. Diçka kish ndodhur brenda nesh. Po ndaheshim? Po bashkoheshim? S’e di. Sot më duket se ato paten qenë çastet më të lumtura që patëm jetuar së bashku.

*Titulli i origjinalit: “S’e di”

*Shkëputur nga libri i Mihal Hanxharit: “Duke dëgjuar heshtjen”        

Përgatiti: ObserverKult

—————–

Lexo edhe:

HISTORIA E KËNGËS SË HAJREDIN PASHËS/ KUSH ISHTE PASHAI QË HUMBI 12 MIJË USHTARË NË DIBËR?