Miku i Mirush Kabashit: “Sëmundja e dobësoi, nuk donte ta besonte”

Aktori Alfred Bualoti i ftuar në studion e News24 ka folur për figurën e aktorit të mirënjohur Mirush Kabashi, njëherit dhe mikut të tij të afërt, i cili dje u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare.

Bualoti u shpreh se miku i tij Kabashi ishte dobësuar shumë nga sëmundja që e kishte prekur dhe ai nuk donte ta besonte këtë.

Ai zbuloi më tej se si figura e Kabashit ishte nderuar në shfaqjet që ai kishte dhënë jashtë Shqipërisë duke rikujtuar dy momente të veçanta.

Bualoti tha se momenti i parë kishte qenë pas një shfaqjeje në Kiev të Ukrainës, ku pasi mori vlerësimin e parë në festivalin e organizuar në kryeqytetin ukrainas, portreti i Mirush Kabashit u vendos në kartën telefonike të Kievit në shenjë nderimi.

Momenti i dytë ishte në Beograd ku gjatë një vizitë në kështjellën e kryeqytetit serb një spektator i shfaqjes që Kabashi kishte dhënë ditën e kaluar kishte hequr kapelen në shenjë nderimi ndaj tij.

“Mirushi ishte i fortë por këtë betejën e fundit nuk e fitoi dot. Ishte sëmundje e rëndë dhe e dobësoi shumë nga fuqitë. Nuk donte ta besonte, as ne nuk donim por kështu ishte. Mirushi ishte artist shumë i madh, i shquar dhe i talentuar boll. Kishte dy armë të fuqishme, punën dhe disiplinën dhe armën e talentit.

Unë kam qenë me Mirushin në shumë skena të Evropës, në Paris, Beograd, Athinë dhe Kiev. Do përmend dy momente.

Momenti i parë ka qenë në festivalin e Kievit ku Mirushi mori vlerësimin e parë dhe portreti i tij u vendos në kartën telefonike në Kiev në shenjë nderimi. Ishte e jashtëzakonshme.

Momenti i dytë ishte në Beograd, po ecnim pas shfaqjes dhe u futëm në oborrin e kështjellës së Beogradit. Përballë nesh një zotëri me kapele republike hoqi kapelen dhe u përul para Mirushit dhe iku prapë. Mirushi ngeli.

Ai kishte qenë një spektator i shfaqjes një ditë më parë. Këto momente tregojnë forcën dhe simpatinë që krijonte Mirushi te spektatorët”, u shpreh ai./balkanweb

ObserverKult


Lexo edhe:

“KONCERT NË VITIN 1936”, MIRUSH KABASHI ZBULON DETAJIN “E RREZIKSHËM” QË I REZISTOI KOHËS

Restaurimi i filmit ”Koncert në vitin 1936” solli kohë më parë në studion e Euronews Albania një prej personazheve më identifikues të këtij produksioni. Pra, aktorin e mirënjohur Mirush Kabashi.

Një film që i rezistoi kohës. Kjo jo vetëm për shkak të rijetëzimit të tij përmes restaurimit. Por edhe tematikës dhe konfliktit të trajtuar mjeshtërisht përmes novelës dhe skenarit.

“Duket se është një film i cili jo vetëm i ka rezistuar kohës…

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult