Nënshtetësia e Milan Kunderës ishte tërhequr nga Republika Socialiste Çekosllovake më 1979 pas botimit të “Librit të qeshurës dhe harresës”, një roman që paraqet qytetarët çekosllovakë tek kundërshtojnë Qeverinë. Tani, 40 vjet më vonë, nënshtetësia i është dhënë sërish shkrimtarit disident, siç ka bërë të ditur për gazetën “Pravo” ambasadori çek në Francë, Petr Drulak.
Ideja e rikthimit të nënshtetësisë erdhi nga kryeministri Andrej Babis, që ishte takuar me Kunderën në Paris gjatë vitit të kaluar, ku shkrimtari ka jetuar në azil. Derisa ndërkohë është bërë shtetas francez, ai tani mban dy nënshtetësi.
Derisa Drulak ka thënë se shkrimtari është gëzuar, dhe se ai ka pasur “një ndjenjë tepër të fortë të identitetit çek”, vetë autori nuk i ka komentuar ende lajmet. Në një intervistë të rrallë, e shoqja e Kunderës i ka thënë një reviste letrare çeke se sa shumë i mungon asaj vendlindja të cilën e ëndërron çdo natë. Tani 90 vjeç, lidhja e shkrimtarit me Republikën Çeke mbetet e tendosur. Shumë prej romaneve të tij ende nuk janë shfaqur në gjuhën e tij amtare.
Romanet e Milan Kunderës përsiasin thellë mbi mendimet, ndjenjat dhe besimet e individit. Por librat e tij shpesh portretojnë edhe lidhjet, dhe jo vetëm mes dy vetëve. Në kryeveprën e tij, Lehtësia e padurueshme e qenies, Kundera rrëfen tregimin e një trekëndëshi dashurie kundrejt sfondit të Pranverës së Pragës. Kjo epikë e ktheu Kunderën në yll ndërkombëtar letrar kur vepra u botua më 1984.
Qysh prej atëherë, shkrimtari disident çek ka jetuar në azil në Paris për thuajse një dekadë. Librat e tij ishin të ndaluar në Çekosllovaki, dhe meqë Qeveria e kontrolluar prej sovjetikëve e zhveshi atë prej nënshtetësisë më 1979, ai ka mbetur si më i njohuri prej shkrimtarëve të syrgjynosur në vendin e tij. Edhe pas Revolucionit të Kadifenjtë, rënies së Perdës së Hekurt dhe krijimit të Republikës Çeke, shkrimtari nuk është rikthyer në vendlindjen e tij.
Ai nuk është ankuar kurrë për fatin e tij. “Nuk kam ndonjë ëndërr për rikthim”, kishte thënë ai njëherë gjatë një interviste për javoren gjermane “Die Zeit”. “Unë e mora Pragën time; aromën, shijen, gjuhën, mjedisin, kulturën”.
Romanet e Kunderës nisën të botoheshin në çekisht në vitet ‘90, por “Lehtësia e padurueshme e qenies” nuk ishte botuar në vendlindjen e tij deri në vitin 2006. Ndërkohë, Kundera vetmitar i është shmangur dritës letrare dhe ka dhënë vetëm intervista të shkruara, të cilat kanë qenë vetëm një grusht.
Kundera nuk është ndikuar vetëm nga kultura çeke, por më shumë duke u bërë shkrimtar gjatë socializmit. Si një i diplomuar, ai me entuziazëm i ishte bashkuar Partisë Komuniste më 1948; dy vjet më vonë, ai ishte përzënë për shkak të të “menduarit armiqësor dhe prirjeve individualiste”. Kjo pati pasoja: Kunderës iu desh t’i ndërpriste studimet e tij në Akademinë e filmit, ku ai studionte për muzikë dhe letërsi dhe të cilat vetëm sa i kishte filluar.
Ai ka debutuar si shkrimtar më 1953 me përmbledhjen poetike “Man: A Wide garden”. Në të, ai merrej me realizmin socialist, paçka se prej një perspektive komuniste. Ai më vonë iu bashkëngjit sërish Partisë Komuniste – prej të cilës sërish u dëbua. Ishte një marrëdhënie e vështirë.
“Prirjet individuale” me të cilat e fshikulloi Partia Komuniste gjatë dëbimit të parë u bënë një pikë e mprehtë në vitet ’60. Kundera shkroi tregime satirike dhe në vitin 1967 u botua romani i tij i parë “Shakaja”.
Duke pasuar shtypjen e dhunshme të Pranverës Çeke në vitin 1968, në të cilën ai foli kundër, autori u bë person i padëshiruar. Si një mbrojtës i komunizmit të reformuar, ai ishte përzënë nga Shoqata e Shkrimtarëve më 1969 dhe përsëri nga partia më 1970; aktivitetet e tij mësimore në Akademinë e Filmit ishin suspenduar, dramat e tij ishin hequr prej repertorit, publikimet iu ndaluan dhe librat iu hoqën nga libraritë.
Kundera vazhdoi të shkruante pavarësisht censurës. U mor me të kaluarën e vet komuniste në “Jeta është gjetkë” (1973) dhe “Lamtumirë Waltz” (titulli origjinal më 1972, “The Farewell Party”). Autori e dinte se këto vepra nuk do të botoheshin në Çekosllovaki. Në vend të kësaj, ato debutuan në Francë, vendi që i ofroi atij strehë më 1975 dhe një kontratë mësimi në Rennes dhe më vonë në Paris.
Nga jeta e tij në azil, Kundera vazhdoi t’i shtynte përpara temat e tij letrare, duke e përdorur edhe më prapavijën çekosllovake në veprat e tij. Meqë ai veç ishte dëbuar nga vendi kur “Libri i të Qeshurës dhe Harresës” u botua më 1979, udhëheqjes socialiste i mbeti vetëm mundësia e revokimit të nënshtetësisë së shkrimtarit.
Më 1984, Kundera botoi “Lehtësia e padurueshme e qenies”; libri u bë pjesë e listave botërore të librave më të shitur duke e bërë Kunderën një yll. Romani më vonë u përshtat në një film të suksesshëm, me Juliette Binoche dhe Daniel Day Lewis në rolet kryesore.
Ishte libri i duhur në kohën e duhur. Ani pse veprat e tij letrare, si “Pavdekësia” (1990) gjetën po ashtu vëmendje, suksesi i tyre nuk ishte aq i madh. Disa kritikë letrarë i vlerësuan këto romane si tepër filozofike dhe eseistike; të tjerët i bënë lavde autorit si një moralizues rishtar, një kritik i qytetërimit perëndimor evropian dhe postmodernizmit.
Edhe njëherë, socializimi e zuri shkrimtarin më 2008 kur një akuzë u ngrit që Kundera e kishte tradhtuar një anëtar të opozitës në vitet ‘50, i cili disa vite më vonë ishte zhdukur në një kamp pune. Thuhej se për këtë dëshmonte një protokoll i policisë së fshehtë çeke.
Por a ishte vërtet se Kundera e kishte bërë këtë deklarim? Apo ishte dikush tjetër që ishte hequr si Milan Kundera? “Unë jam tërësisht i befasuar nga diçka që nuk e prisja, diçka që as nuk e dija dje, diçka që nuk ngjau”, kishte thënë shkrimtari për agjencinë çeke të lajmeve. Në të vërtetë, nënshkrimi i tij mungon në dokument.
Kundera nuk komenton më për të kaluarën e tij. Ai udhëton në Republikën çeke pa rënë në sy – diçka që veç e kishte bërë kur ishte akuzuar për tradhti.
Më 2014, pas një pushimi dhjetëvjeçar, Kundera botoi romanin e tij të ri, “Festivali i parëndësisë”. Në të, katër burra enden gjithandej Parisit, duke rrëfyer – në stilin e mirënjohur tragjik dhe satirik të Kunderës – pengesat personale. Libri i shumëpritur ishte hit gjithandej Evropës, edhe pse kritikët ishin të ndarë. Disa e kanë përgëzuar romanin si “kryevepër”, përderisa të tjerë kanë folur për “një vepër e moçme”. Romani mund të jetë vepra e fundit e autorit meqë ai i mbushi 90 vjet më 1 prill të këtij viti/ Deutche Welle.