Nga Milan Kundera
Ti nga jeta ke parë vetëm një aspekt dhe më të keqin, – tha doktor Shkreta. – Ti nuk ke ditur kurrë të jetosh. Gjithmonë ke menduar se detyra jote ishte, sikundër thuhet, të ishe njeri i kohës. Të ishe në qendër të realitetit. Po çfarë ishte për ty realiteti? Politika. Mirëpo politika është gjëja më pak e rëndësishme dhe më pa vlerë në jetë. Politika është shkuma e pistë në sipërfaqen e lumit, ndërkohë që në fakt jeta e lumit zhvillohet shumë më thellë.
Studimi i pjellorisë femërore zgjat qysh prej mijëra vjetësh. Është një histori e qëndrueshme dhe e sigurt. Dhe s’pyet fare nëse është më pushtet kjo apo ajo qeveri. Unë kur vë një dorezë plastike dhe kontrolloj organet femërore, jam shumë më afër qendrës së jetës nga ç’je ti, ti që për pak humbe jetën, ngaqë shqetësoheshe për të mirën e njerëzimit.
Arkimedi para rrathëve të tij, Mikelanxhelo para bllokut të gurtë, Pastëri para epruvetave, janë ata dhe vetëm ata që ndryshuan jetën e njerëzve dhe që bënë historinë e vërtetë, ndërsa politikanët… – Shkreta heshti një hop dhe bëri me dorë një gjest përbuzës.
Ndërsa politikanët? – pyetj Jakubi dhe vazhdoi: – ja, ta them unë. Nëse shkenca dhe arti janë përnjëmend, arena e mirëfilltë dhe e vërtetë e historisë, politika, përkundrazi, është laboratori shkencor i mbyllur, ku me njeriun kryhen eksperimente të padëgjuara. Kaviet njerëzore rrokullisen poshtë kapanxhave, pastaj ngjiten sërish në skenë, të joshur nga duartrokitjet dhe të tmerruar nga trekëmbëshi, të spiunuar e të shtrënguar të spiunojnë.
Titulli i origjinalit: “Valsi i lamtumirës“
Përktheu: Saverina Pasho
ObserverKult
Lexo edhe:
MILAN KUNDERA: TË GJITHË KEMI NEVOJË QË DIKUSH TË NA SHOHË…POR ÇFARË SHIKIME NA DUHEN?
ObserverKult