Miloš Živanović: (letër)

1—————————

Në ’99-ën e lashë Beogradin
dhe shkova n’dreq të mallkuar,
por ndoshta ti këtë e di
kam shkruar për të, ta kam dërguar librin.
Kam kapërcyer Savën pastaj Danubin
dhe ikja në veri-veriperëndim.
Pastaj, prapë hasa në Danub
herë pas here kapërcej atë Danubin përtac
jam ngopur me të.
Do të kapërceja ndonjë lumë tjetër,
Misisipin, për shembull.

Unë nuk e di se ku ke qenë ti
derisa unë isha duke kaluar Danubin
ndërsa ikja prej tyre dhe nga vetja.
Nuk e di nëse të kanë ndjekur
me helikopterë, shqiponja,
plumba, sy
thika, çizme
se a kanë shtënë në ty apo a ke shtënë ti në ta
a ke qenë i burgosur
a ke pasur fat të strehohesh diku larg.
Por ti je gjallë, kam dëgjuar,
guru-translator
po përkthen nëpër lumin napalm drejt lirisë.
Nuk e di gjuhën tënde.
Nuk të kam parë kurrë.
Njerëzit më thonë se dukesh si bitnik.
Nuk e di nëse kjo është për shkak të përkthimit
ose thjesht, nga mënyra e të jetuarit.
Të imagjinoj në kafene të dehur me masë
duke recituar në një mori gjuhësh, të folmesh, territoresh.
Dhe se si qesh.
A mendon për revolucionin
të paktën kur je i dehur.
Për solidaritetin, republikën.
Për të ardhmen?
Për të ardhmen e gjithë atyre përkthimeve që i ruan në dollap?
I di do kafene të mira në Prishtinë
më ka çuar nëpër to Qerimi i mirë i vjetër.
Do të doja t’i njihja edhe kafenetë në Rahovec dhe në Nju Orlins
shtëpitë e diellit të terratisur.

2—————————————–

Mezi po i rezistoj dëshirës së madhe
për t’u ulur në automobil dhe t’ia mësyej jugut.
Liria jeton në autostradë.
Kur asfalti të shërohet nga zinxhirët.
Ç’është njeriu pa automobil?
Në zemrën e çdo njeriu ekziston një motel
mundësia për t’u takuar
ose të paktën për një filxhan kafe dhe një çast zeni
ose mundësi për një vendim që askush nuk guxon ta sugjerojë.
E unë kam automobil të ri
një bishë mbresëlënëse metalike, do ta shohësh. El Camino.
Tabelat m’i kanë prodhuar të dënuarit politikë,
ashtu jam regjistruar.
Përbindësh i ftohtë metalik
ashtu disi si një strehë-vezë e vogël
nga e cila shikon i mbrojtur
nga programi i përmbytjes së përgjithshme vizuale.
E mbyll derën pas vete
dhe largohesh nga ky inflacion i zhurmshëm i gjithçkajes
me të cilin në mënyrë krejtsisht të paskofishme të mbush.
Një grusht pilulash nëpër nerv ndjek pikën e shpejtë të dhimbjes.
Buzëqesh me mua
ngërdheshu që të kumbojë fleta e çelikut
pas të gjithave
mund të tallemi me vuajtjen imagjinare
paj mundemi.
Shkojmë diku ku gjendet ushqimi në varreza,
hamë dhe presim që ndonjë kaktus të lulëzojë.
Me automobil mund të kontrabandojmë
irredentistë estridentistë
të transportojmë diçka që ka pak
sall ta gjejmë se ç’është kufiri.
Merre me mend, roja kufitare hap bagazhin,
e brenda – teksti. Shumë më i madh nga brenda se nga jashtë.
Paramendoje, qeshim me sytë e rojës kufitare
murgar të mëdhenj si të lopës,
e gjethet bien dhe thyhen nga të qeshurat
zogjtë zhurmshëm bien nga ullukët e tharë
qeshin si të trentë me birën në bagazh,
me diametrin e territorit dhe gjitarëve
e gjethet bien mbi vezët e Pashkëve
gëzhojat kërcasin nga të qeshurat dhe brenda birës
gjethet thyhen nga të qeshurat dhe palos qefinin në tokën
e askujt, të dikujt, toka duhet dikujt t’i përkasë,
siç është kalaja e dikujt
që të mos hyjnë zogjtë e huaj për ta marrë me vete tokën,
në tokën e birës hem të vdekurit hem viktimat
bira mbase është eksterritoriale, në të ndoshta është paqja.

3.———————————————–

Më tej pa pushim, me ndryshimin e ritmit, mundet më shpejt.
Timoni dhe muzika dhe logjika e vijës së bardhë
që ruan jehonën e pragjeve hekurudhore
dhe ruan edhe hallkën njëdrejtimëshe me rininë
rruga është vlerë konstante.
Motori me benzinë i automobilit
tregon me hollësi se si merr frymë lokomotiva dizel
dhe nata e kurorat e pemëve marrin frymë bashkë me të.
Është dashur të shfaqem në publik sonte
për të promovuar një libër (shqip, merre me mend)
me disponim promovues.
E urrej publikun
edhe emrat e njerëzve që shfaqen publikisht
për shkak se libertinët e sallonit nuk e dinë
se emrat janë të tepërt
ndërsa solidariteti është i domosdoshëm
dhe se libri ka jetën e vet
në të cilën ne nuk duhet të përzihemi.
Kjo është arsyeja pse unë rri në shtëpi
dhe imagjinoj se si ngas automobilin deri në Prishtinë.
E kam kositur barin në oborr.
Një gjë e tillë më duket aktivitet i shëndetshëm.
Djalit tim i pëlqen kur e kosis barin
vrapon në rreth si xhuxh i egërsuar.
Tash vjen erë e mirë jashtë.
Jam i kënaqur, po relaksohem duke pirë birrë
dhe me mend ngas automobilin drejt jugut,
në Prishtinë, në Meksikë.

4————————————————–

Sepse ha-ha-vrasësit vetëlëvizës autodidakt nga kodra
edhe më tej pamëshirshëm bombardojnë qytetin me mallkime dhe baltë
bastardët e mjerë me zemër të vockël
obusët na bindin se ne jemi vetëvrasës.
Kjo tokë, ajo tokë, përjetësisht do të mbetet vend i huaj.
Gjermani i trishtuar ka thënë
Lufta ajrore dhe letërsia,
po presim që dikush ta thotë për libra shkollor
Shpartallimin tokësor dhe… ndonjë gjë. Bile ndonjë gjë.
Nga radioja shpërthen një valë aq e mirë
sa që patjetër duhet të jetë djallëzore
dhe ai muzikant duhet të ketë qenë në kontakt
me diçka goxha të madhe dhe të tmerrshme

-gojët e ngopura nuk këndojnë.
Ndonëse, ka të ngjarë se po dëgjohet zhurma e natyrshme e të Mirit.
Radioja në automobil më sjell ndër mend
se diku poshtë më pret
shtëpia e ndriçuar nga dielli plot me njerëz të mirë.
Në mendjen time unë kam para të mjaftueshme
për dhjetë rezervuarë të benzinës euro-premium
për një ndërrim të vajit
për nja dhjetë paqeta cigare
dhe një palë syza të bukura të errëta.
Sall po vazhdoj të ngas automobilin më tutje dhe më tutje
nuk di asgjë rreth vendit në të cilin do të ndalem
nuk di gjë as për Kosovën e as për Meksikën
nuk e di ku është kufiri
e ku e kemi Rio Granden
e di se jeta është ende e lirë.

5—————————————–

Në imagjinatën time jam stabil dhe i fortë
kam forcë dhe arsye të mjaftueshme
të mendoj me maturi për vëllain tim.
Atë e ka ngrënë Predatori.
Është ushqyer me trupin e tij.
Unë i flas dhe i shkruaj,
por të vdekurit janë të vdekur.
Mendoj për ty dhe për Vllajsën dhe vëllain tënd.
Më bëhet qejfi që jeni gjallë.
Që mund t’ju lexoj.
Fadil Bajraj – Master Jedi
may the force of language be with you.
Ta kam ofruar një titull idiotik, miko,
sall që të heq qafe këtë ndjenjë të çartur të njerëzve tanë.
E di se sytë e tu kanë parë
të keqen edhe më të ulët dhe më të thjeshtë se „ana e errët“.
Kaktusi lulëzon në „yllin e vdekjes“, në varreza,
zhapinjtë lëpijnë kostrevat nëpër gazetat e murit,
buzëqesh me mua.

Përktheu Fadil Bajraj

ObserverKult


Lexo edhe:

RUTH WEISS: PËR MADELINE GLEASON