Mimi! Kështu e njihnin të gjithë njerëzit e saj të dashur. Mimika Luca, aktorja e madhe e skenës shqiptare, mbetet e paharruar, dhe trashëgimia që ajo ka lënë vazhdon të vlerësohet.
Si në rastin e Përmetit, ku sërish iu bë një homazh dhe u nderua, duke u bërë qytetare nderi e Përmetit!
Disa prej kujtimeve i kanë zënë vitet, por jo aq sa për mos të kuptuar se Mimika ka jetuar në një kohë tjetër, që s’ngjan fare me teatrin e 40 viteve të fundit.
Mimika Luca cilësohet si një aktore shumëdimensionale si në teatër ashtu edhe në kinematografi.
Luca ka hyrë në historinë e artit shqiptar si balerinë në kohën kur pak vajza ia mësynin këtij arti. E po ashtu edhe si aktore e disa prej filmave më të rëndësishëm të kohës kur jetoi.
Edhe pse pati një fëmijëri të vështirë ajo ia doli të ndiqte pasionin e saj për artin dhe sidomos atë për baletin.
Ajo ka interpretuar si balerinë së skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit nga viti 1951 deri në vitin 1962.
Por pas njohjes me bashkëshortin e saj Ndrek Luca, një aktor i jashtëzakonshëm edhe ky për interpretimin e karaktereve dhe figurave artistike, Mimika iu përkushtua me dashuri artit dramatik.
Roli i parë ka qenë pikërisht krah bashkëshortit Ndrek Luca, në filmin “Detyrë e posaçme”, më pas në filmin “Kryengritje në pallat”, “Kur hidheshin themelet” e shumë të tjerë.
Dashuria e saj me aktorin Ndrek Luca ka nisur në pishinën e Teatrit Kombëtar. Ajo ishte balerinë, 16 vjeç, kur u marros pas aktorit 10 vite më të madh në moshë. Nuk donte të dinte për asgjë. Madje as për vitet e saj, as për fjalët e të tjerëve, e donte dhe pikë!
Gjatë karrierës së saj 15-vjeçare si aktore Mimika Luca ka interpretuar në rreth 30 role.
Interpretimin e saj ndër më të mirët e ka në dramën “Drita”, dramë e shkruar nga vetë aktorja.
Ne vitin 1977, ndryshe nga modeli i saj i parapëlqyer, interpretoi me nerv dhe pasion rolin më të arrirë të saj, Lajen në dramën “Lulet e shegës” të K.Jakovës, rol të cilin e përsëdyti në filmin “Kur hidheshin themelet”.
Portreti i saj si aktore do të mbetej menjëherë në mendjen e shikuesve. Një rol i paharruar është dhe ai i nënës së Marigosë te “Përrallë nga e kaluara” apo e nënës së Etlevës te “Treni niset në shtatë pa pesë”.
Mimika ka qenë gjithmonë e parapëlqyer në formatin e saj të nënës apo gruas së mirë, të shqetësuar, ngushëlluese, shpesh ankuese por që me qetësinë e saj të përçonte paqen.
Rolet e nënave, të edukatoreve apo edhe të mësuesve duket se ishin të prera për karakterin e saj.
Kjo aktore ikonë ka një galeri të jashtëzakonshme personazhesh, që i kanë dhënë shumë historisë së kinematografisë shqiptare.
Trashëgimia artistike e Mimika Lucës është një pasuri që publiku shqiptar e ka çmuar dhe do të vazhdojë ta çmojë përgjithmonë!
Në shkurt aktorja mbylli sytë përgjithmonë për të shkuar pranë bashkëshortit të saj, Ndrek Luca.
Mungesën e tij e ka ndjerë me vite, por familja i ka qëndruar gjithmonë pranë. Djali i saj Gjergji, ka zgjedhur që të birit t’i vendosë emrin e Ndrekës, duke e lartësuar të atin në breza.
Bashkë me të bijën Rozafa, dy fëmijët i dhanë një dimension tjetër përfytyrimit për jetën.
Dhimbja që la te familjarët, kolegët dhe ata që e njohën është e madhe, ama aktorja e mirënjohur e skenës shqiptare iku pa asnjë peng nga kjo botë.
Më poshtë mund t’i shihni edhe disa nga pamjet e saj të fundit duke kërcyer me kolegun e saj, aktorin e njohur Viktor Zhusti dhe me djalin Gjergj Luca.
Po festonin 85-vjetorin e lindjes së Mimikës më 24 dhjetor. Me këtë vërtetonin se vitet janë thjesht numra.
Kjo ishte Mimi, kaq energjike, duke buzëqeshur e duke kërcyer…dhe në fund një përqafim!/rtsh
ObserverKult
Lexo edhe:
MIMIKA LUCA, AKTORJA QË PATI NJË FËMIJËRI TË VËSHTIRË- PËRFUNDOI NË STREHIMORE
Mimika Luca cilësohet si një aktore shumëdimensionale. Në teatër ashtu edhe në kinematografi.
Ajo u lind më datë 24 dhjetor të vitit 1937 në qytetin e Gjirokastrës. Gjatë fëmijërisë së saj ka kaluar shumë vështirësi. Ajo përfundoi në “strehën vorfnore”.
Megjithatë ajo arriti të ndiqte pasionin e saj për artin. Dhe sidomos atë për baletin.
Ajo ka interpretuar si balerinë së skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Nga viti 1951 deri në vitin 1962.
Me këtë rast spikati për talentin dhe për aftësitë e saj fizike.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult