Në qoshkun e kafe “Komitetit”, fraza poetike që vargëzohen me ‘bulëzat’ mashtruese’ e të pakapshme të gëzimit, dhimbjen, dashurinë, trishtimin, jetën… pa bërë zhurmë (edhe pse tronditëse) shkundin shpirtrat nga harresa. Në 80-vjetorin e lindjes, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit “rikthen” poetin “bohem”, Frederik Rreshpja (1940-2006), 14 vite larg, prej kur jeta e tij u ndërpre.
Një jetë e trazuar e tij, pasi sistemi komunist, nga brima e ngushtë e padijes e pa veprën e poetit lirik e eseistit si kërcënuese të pushtetit. Kandrrat partiake u lëshuan mbi të dhe ai, sfidues i heshtur teksa dënohej e ridënohej, përdori si mburojë të veprës vetë jetën. Miq e kolegë të tij rrëfejnë Rreshpjen, poetin ndryshe, me një vepër që vështirë ta kornizosh me epitete, kohë, vende e ngjarje, pasi diti të krijojë shtigje të brendshme, ura të pazgjidhshme me universalen.
Tregojnë për njeriun pas tij, trupvogël e me humor… me ato grimca gëzimi që valëviteshin në biseda si flamuj rezistence, pas betejave të përditshme. Shumëkush e kujton me atë kapelën e rrumbullakët republike dhe buzëqeshjen si hark hënor, teksa tentonte të fshihte vuajtjet e tij… gati të pasosura. Me trishtimin qe bërë bashkudhëtar, si të thuash edhe bashkautor në vepër. Ata që e kërcënuan, duke i marrë peng jetën, të tjerët që ia vështirësuan apo që e lanë mënjanë në postdiktaturë, ai i vuri në lojë…
E zhveshi jetën e pa asnjë britmë e rrëzoi nga piedestali që e vendosi gati çdo human, duke “e përdorur” si lëndë të parë për krijimtarinë.
Mbi luksin e normat sipërfaqësorë shkeli këmbëzbathur, me një vështrim që notonte në shkëlqim të përvuajtur. Pati nga ata miq që nuk e braktisën e iu gjendën pranë, si eruditi i ndjerë Moikom Zeqo, i cili kujtonte në biseda se si gjatë takimeve, ndërsa ishin duke folur e kthyer ndonjë gllënjkë, me një shkathtësi të pashoq, në një letër të zhubrosur cigareje, ai gdhendte perla poetike, duke e befasuar bashkëbiseduesin, me vargje që “kush e di nga buronin”.
“Poezia e Frederik Rreshpes është skema e tij nevralgjike dhe e pashlyeshme, që dimensionohet në heshtje delikate dhe e sigurt në hapësirën panteonike të poezisë dhe të artit shqiptar”, do të shkruante Zeqo.
Por teksa institucionet që strukturojnë së jashtmi artin e kulturën shpesh hedhin grepin në vepra memece, vepra e Rreshpes ende orvatet në një rreth të ngushtë… Mos ndoshta ka ardhur koha për t’ia shlyer borxhin poetit? Apo, më mirë, për t’i dhënë lexuesit edhe një shans, një nxitje më shumë drejt krijimtarisë së tij. Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, jep lajmin e mirë të botimit të veprës së plotë të Rreshpes (1960-2006) nga shtëpia botuese “Princi”, e përgatitur nën kujdesin e studiuesit Sokol Zekaj. Koha e duhur për veprën e pakohë të poetit mund të diktohet edhe nga njerëzit, që kanë në dorë të bëjnë më të lehtë udhëtimin drejt saj.
“Koha ka qenë e pamëshirshme me Frederik Rreshpjen. Pasi ia mbylli herën e parë portat e saj, e sprapsi për herë të dytë, atëherë kur nuk pritej. Në poezinë e tij, ai kthehet e i rikthehet disa herë kohës. Jo për ta marrë me të mirë, as për t’iu hakërryer ‘ç’ke që më spraps’, por thjesht për t’i kujtuar një gjendje: raportin e tij me të”, shkruan Ismail Kadare, në “Një prill me Fredin”.
Në mbrëmjen poetike të së dielës, Rreshpja bëri bashkë disa studiues dhe miq të autorit si Sadik Bejko, Sokol Zekaj, Vjollca Osja, Mimoza Ahmeti etj., të cilët si kryefjalë të referimeve të tyre patën vlerat e rralla të veprës së poetit dhe nxitjes së leximit të saj.
Mimoza Ahmeti: Fatos Arapi versus Frederik Rreshpja
Frederik Rreshpen, miqtë e tij e përshkruajnë si një njeri, tek i cili vështirë se shquhej ndonjë shkëndije egoje për vëmendje. Dashamirës ndaj kolegëve edhe në shkrimet dedikuar veprës së tyre, kështu që me siguri, po qe se vëzhgon nga ndonjë cep qiellor, do të ish gëzuar që në mbrëmjen poetike të lajmëruar posaçërisht për të u gjend hapësirë edhe për poetin vlonjat Fatos Arapi (1930-2018), në këtë 90-vjetor të tijin të lindjes. Por, a mund të harrohet Fatos Arapi?! Shkrimtarja Mimoza Ahmeti bën një qasje për krijimtarinë e të dyve, duke sjellë edhe disa kujtime prej takimeve me ta.
“Kam pasur fatin t’i njoh të dy poetët. Njohje të ndryshme këto, por që kanë një emërues disi përqasës. Të dy tentonin poezinë intime. Ndonëse Fatosi, i gjendur në rrethana të caktuara, disa herë bënte poezi për të pasur një mbrojtje të fushës së vet. Nuk mund të them se ishte kompromis, pasi ndoshta edhe besonte”, thotë ajo.
Ahmeti hedh dritë mbi veprën e tyre, mënyrën e të shkruarit përmes dy koncepteve: fenomenologjisë dhe racionalitetin.
“Koncepti i fenomenologjisë është koncepti i vlerësimit të atyre mjeteve të vogla dallimi, që përbëjnë jetesën, konsumin e përditshëm të ligjëratës, të intimitetit, problematikës etj. Ajo pjesë gati e padukshme për të tjerët, private. E anash, potente, qëndron racionalja, e cila është e aftë të marrë çdo formë. Jemi mësuar ta ilustrojmë me epokën që kaloi, por aspekte të saj gjenden edhe në ditët tona. Janë sistemime mjaft të qëndrueshme dhe të forta, të cilat me fenomenologjinë dhe delikatesën e brendshme nuk i përballojmë dot, kështu na duhet të racionalizojmë, skematizojmë. Sot kemi mjaft vepra gjigante të diskursit racional, por kemi edhe poetë si Rreshpja, që është i diskursit fenomenologjik, intim…”, thotë më tej shkrimtarja.
Fatos Arapi, poeti ‘ndryshe nga të tjerët’
Mimoza Ahmeti e kujton poetin Fatos Arapi si një njeri që shfaqte një intensitet të dukshëm gjatë gjithë kohës. “Sa herë që e takoje, pyesje veten: A mos është i irrituar?! Por jo, kjo ishte gjendja e tij, prej nga buronte edhe poezia. Kishte një karakter shpërthyes, por në të njëjtën kohë ishte edhe i butë, i qashtër. Edhe poet! Më kujtohet që në kohën e brezit tonë, ku kishte edhe mjaft djem e vajza të ditur, dëgjonim të thuhej se ‘ky poet është ndryshe nga të tjerët’. Kjo, sepse ai lëvronte poezinë intime, sikur kjo lloj poezie të qe sakrilegji më i madh. Dhe me të vërtetë, poezia intime ashtu ka mbetur… Pasi sistemi s’ka interes për fenomenologjinë, por ngulmon të përsërisë veten, sistemin racional. Të inforcojë forcën!”, shton më tej Ahmeti.
“Frederik Rreshpja ishte si legjendë, jo si realitet i prekshëm”
“E kujtoj tek shfaqet para meje një njeri me një borsalino e një mimikë që vërtitej midis dashurisë dhe ironisë. Ndryshe nga Fatos Arapi, Rreshpja shfaqet për mua pas viteve 1990, duke bërë realitet diçka që unë e kisha përjetuar vetëm si legjendë jo si realitet të prekshëm”.
Ajo, një vajzë e hijshme që kishte bërë të flitej për talentin e saj, dhe ai, poeti i vuajtur i sapodalë nga burgu. E kujton kështu Mimoza Ahmeti Rreshpjen pas rënies së diktaturës.
“Ishte një poet tepër pikant në përcaktime dhe fraza, që krijonte një hije shqisore, një hije të prekshme. Sa më shumë mëson mbi njeriun e rezistencës, aq më e madhe bëhet kjo hije irracionale”.
Ndonëse me shumë vite të kaluara në burg, ajo që ndër të tjera Ahmeti kujton nga bisedat me të, është aftësia e tij për të kuptuar njerëzit e situatat, transmeton ‘panorama.com.al’.
“Ishte i jashtëzakonshëm, jo vetëm si poet, por edhe si njeri. Ndonjëherë shfaqte gati një gëzim naiv e herë të tjera i përcaktonte njerëzit e situatat me një saktësi matematike. E çuditshme, se si këto dy elementë kombinoheshin kaq bukur. Pastaj është ajo dëshira e tij për të jetuar si bohem, një poet që guxonte. Sa më i keq fati, aq më shumë guxonte”, shton më tej shkrimtarja.
Shkrimtarët si mite
“Mitet nuk bëhen me projekte”, thotë shkrimtarja Mimoza Ahmeti. Për të sekreti në krijimin e një miti qëndron në besimin që ngjall, në etikën që njerëzit shfaqin ndaj tij, mënyrën sesi e trajtojnë. “Dëgjova një shprehje që më bëri përshtypje, ‘se ne të gjithë jetojmë në mit, jo jashtë tij’. Dua të them se mitet nuk bëhen me projekte, siç mund ta ketë bërë këtu ndonjë autor kompleks. Sepse nëse kështu ndodh, miti siç fitohet, ashtu humbet. Pra, duhet bërë me rrjedha, me kalime”, shprehet Mimoza Ahmeti./Anila Dedaj