Mimoza Ahmeti: Melankoli e mbrëmjes

mimoza ahmeti

Thua do të harrohen flokët e mi të bakërt,
vija eshtrore e artë midis kraharorit tim,
dy sytë elektrike, dy buzët zjarrduruese
dhe këmbët muskuloze, të lehtat ecarake…
Krahët e mi shtrëngues si hallka të një prange.
Thua do të harrohen pëllëmbët e mia si fati?
Melankoli e mbrëmjes shiu i pasdites,
lëngu i syrit dridh dritë enigmatike.
E tepërt do qe fjala sikur rinia ime
dhe jeta me gjithë puthjet
sërish të përsëritej…

1987