Takimi letrar në Qendrën Kombëtare të Librit iu dedikua letërsisë së Mimoza Ahmetit, e cila përballë të rinjve ndau bashkëjetesën e saj me poezinë.
Zakonisht të premten përballë të rinjve janë takime që kryesisht autorët përpiqen t’u japin përgjigje pyetjeve të lexuesve përballë tyre, por Mimoza Ahmeti është ajo që i ftoi sot në bisedë të rinjtë. Poezia është kryefjala e saj.
“Nuk besoj që është vetëm talenti ai që vendos, dhe nuk është vetëm puna ajo që vendos, në fizionominë e një artisti. Dhe këtu është për të ardhur mirë dhe keq. Më vjen keq që përfundova poete metafizike, por jo poete regjimi, dhe kjo nuk është vetëm merita ime, edhe pse shihet kështu. Por presioni i regjimit transformoi poezinë time nga një poezi të brendshme te një poezi që fiton një dimension metafizik me librin Delirium”, u shpreh ndër të tjerat Ahmeti.
Diktaturat, regjimet dhe politikën ajo e lidh edhe me fatet e shkrimtarëve shqiptarë. “A është Ismail Kadare konservator në lidhje me femrën? Kjo është porta e fundit, në qoftë se është konservator ka qenë i detyruar, sepse ka estetizuar problemet e sistemit, nacionalizmit. Sa më fenomenologjik të jetë autori aq më shumë është dimensioni i tij social. Të gjithë shkrimtarët që nuk i bëjnë pak fresk sistemit, janë mediatizuar shumë dobët. Rreshpja, por famë vetëm tani, si poet”, vijon poetja në diskutim.
Edhe ajo është një ndër shkrimtaret që jo pak herë e lidhin me personazhet e politikës, por gjithnjë mbetet e pushtetshme me veprat e saj letrare./a2news.com