Mimoza Çobo: Kur një grua të do…

mimoza çobo Guxoj të puth rrënjët e shpirtit, se të dua, dua fuqinë legjendare, që rrezaton si burrë, guxoj të admiroj nurin e bukurive të tua, nurin e thjeshtësisë, që nuk vyshket kurrë.

Poezi nga Mimoza Çobo

Kur një grua të do, të lidh me fashë të zjarrtë,
avullon djersën e saj të ngjitesh reve lartë,
zbret ujvarë nga alpet mbi përroin e thatë,
spërkat me bulëza uji, zambakët e pritjes së gjatë.

Kur një grua të do, lumturia troket në derë,
dimri me flokë ngrice nga dritarja del,
se dashuria e një gruaje kthen dimrin në verë,
gonxhes së paçelur, me frymë i thotë, çel!

Kur gruaja loton, si reja në vjeshtën e parë,
ti mblidhi gjithë ndjenjat në tufë jargavan
shtratin martesor, bëje luadhin e ëndrrave të saj,
sa t’i japësh një puthje, ajo dashurohet prapë.

Shpirti i gruas engjëll, s’ka mister nëpër fletë,
është besnike fronit, ku ulur presin të tjerë,
nëse e do me zemër, s’ngrihet sa të ketë jetë
edhe vdekjen ëmbëlsisht sipër fronit e pret.

Kur të do një grua, të lidh me fashë të zjarrtë,
avullon djersën e saj, të ngjitesh reve lartë,
zbret ujvarë nga alpet mbi përroin e thatë,
një bulëz uji nga shpirti i saj, ushqen një oqean.

ObserverKult


Lexo edhe:

MIMOZA ÇOBO: MOS U GËZO KUR VUAJ,O ARMIKJA IME!

Mos u gëzo kur vuaj, o armikja ime!
Edhe pse u rrëzova, kam për t’u ngritur.
Ti e dije mirë, se fjala jote do më vriste,
ndaj e bëre plumb e më gjuajte papritur.

Çfarë të kam bërë, e hidhura mikja ime,
ty, që shpirtin ke mbjellë në tokë të djerrë,
ty, që zemrën tënde lë si foshnje jetime,
ty, që mendja të gënjen, se si ty s’ka të tjerë…

Poezinë e plotë e gjeni KËTU

ObserverKult