Mimoza Erebara: Jeta në karantinë, ndjehem e përdorur e fyer dhe… e nevrikosur

Nga Leonard Veizi

A mundet një situatë e tillë si kjo që po përjetojmë me coronavirisin, aspak jetësore e gati fatale, të të motivojë për të shkruar vargje a për të krijuar tregime me bazë trilleri e gjendjesh të befta? Me sa duket për dikë një situatë e tillë vlen, e për një tjetër aspak. Kështu jemi dhe në rastin konkret.

Dikur gazetare fort e dëgjuar dhe si shkrimtare ca më tepër, por që prej vitesh punon si mësuese e gjuhës dhe letërsisë në një shkollë të mesme. Me një aktivitet të moderuar, në botime poezish e tregimesh të shkurtra, ajo është në një vazhdimësi konstante pjesë e rrjeteve sociale, ku tanimë gëlojnë gjithfarë gjërash e ku lufta për të krijuar ndjekësa artificialë është më e ashpër se sa ajo ndaj “Covid-19”. Por në këto ditë tensioni, veç punës së përditshme që i zë pjesën më të madhe të kohës, e ndjen se muza për të shkruar diçka të re, bashkëkohore apo jo të tillë, i mungon. Lajmet që e bombardojnë me shifra të vdekjesh e statistika të prekurish nuk i japin dot bazën fillestare të një materiali. Ndaj, e mbetur në këtë udhëkryq të pakuptimtë, shprehet se ndjehet e përdorur, e fyer dhe e poshtëruar, e për më tepër e nevrikosur me veten, që nuk e ka mundësinë e një zëri të fortë, aq sa të dëgjohet deri tej në reagimin e saj.

Për më tepër, Mimoza Erebara, poete dhe prozatore e njohur, rrëfen për “Fjala” si po i përjeton ditët e saj të karantinës.

-Si po i kaloni ditët në karantinë?

Dita ime fillon në ora 7:45 minuta atëherë kur duhet të raportoj “ekzistencën” time. Dhe mbaron në orën 2:30/3 Am., pra e gjithë dita ulur përpara kompjuterit duke bërë punë. Përveç video-mësimet, përveç komunikimit të vazhdueshëm me të gjithë pothuaj 330 nxënës, korrigjimet, vlerësime, teste, mesazhe që të bombardojnë me kërkesa, plotësim tabelash, statistika, sondazhe, raportime, dhe përsëri tabela, raportime, sondazhe… që fillojnë nga ato më të domosdoshmet e deri tek çdo ide (plagjiatura mjerane nga vendet e zhvilluara!), që buron nga qendra drejt nesh. Shkurt, nuk ka kohë as të shihesh me familjarët në dhomën tjetër të shtëpisë dhe as t’i thuash vetes “mirëmëngjesi!” në pasqyrë! e thënë kjo realisht! Është një ngarkesë e jashtëzakonshme, nga e cila nuk mbetet kohë për të menduar rreth situatës. Vjedhurazi ndonjë çast lajme, statistika e bilance të vdekurish që sigurisht nuk të motivojnë, por sa më shumë shtohen ata, të prekurit e të humburit, aq më shumë më godet si çekan pyetja: PSE? Në kokën time sillen nën kaos pikëpamje e qëndrime politike, konservatorë, republikanë, globalistë, nacionalistë, të majtë, të djathtë, të qendrës, truste e holldinge botërore, teori konspirative, parashikime të mjekëve, zëra, po në asnjë rast nuk kam guxim të kem një përgjigje. Thjesht jemi në mesin e një vorbulle dhe po mundohemi të mbahemi e t’i rezistojmë fuqisë thithëse të saj. Dhe ja, tani që po shkruaj këto radhë po mendoj, se si nuk kam mundur të mendoj ?!…

-A është frymëzuese për ju një situatë e tillë?

Jo, aspak. Ndjehem e përdorur, e fyer, e poshtëruar pa asnjë mundësi për të parë një dritë jeshile, një qëndrim human, pikërisht tani ku çdo kufi, fizik, ekonomik e politik realisht nuk ekziston, janë kthyer në konvencione prej të cilave ne me dashje e të injektuar nga çdo lloj propagande i quajtëm për të vërteta. Po edhe në një rast si ky, lakmia nuk ndalet. Viktimat për të janë thjesht statistikë mbi të cilën ajo ndërton prognoza për të rritur kurbën e fitimeve të veta. Dhe këtë e kërkon me çdo çmim. Me çdo çmim e realizon. Po flitet për eksperimente socialë etj, etj,… po kush e ka mundësinë që të bëjë një eksperiment të tillë të përmasave planetare dhe të shënjojë jetën apo vdekjen e njërit apo tjetrit? Nga ana tjetër dëgjojmë se kjo është një luftë. Nëse e para vlen të shqyrtohet nën dritë faktesh, gjë që nuk e bëjmë dot tani, e dyta është e prekshme. Fillon tek kazanët e plehrave që zbrazen nga njerëzit për të ushqyer veten e fëmijët. Dhe të mos bëj listën e cila është e pafund… Jam e nevrikosur me veten së pari, që nuk kam një zë të fortë që të dëgjohet dhe me të gjithë ne, që nuk reagojmë.

Nuk jam e frymëzuar. Në luftë primare është të mbijetosh, të dalësh gjallë, të frymosh. E gjithë energjia ime e brendshme është mbledhur pikërisht në këtë – në mbijetesën e fëmijëve, te ardhmen e tyre, e mbesës sime dhe gjithë atyre që dua. Në mbijetesën e vendit tim. Ekzistencën e të gjithëve ne.

-A mund të përbëjë ky precedent një motiv që në të ardhmen të shkruhet më shumë për të dhe rreth saj?

– Po, besoj që po. Do flitet padyshim në gjithë hapësirat tona njerëzore, secili sipas fushës së vet do të kërkojë shpjegime, përgjigje për çka po ndodh. E kjo sidomos vlen për shkencat sociale, do ketë besoj investigime e studime të mirëfillta rreth koncepteve të Moralit, të Besimit, Ndershmërisë, Humanizmit. Vlerave e Antivlerave. Ne jemi vetë dëshmitarë të vetes sonë, sepse e shohim ndryshimin që po ndodh me ne, pikërisht në njohjen dhe respektimin e këtyre që jemi mësuar t’i quajmë vlera. Këtë proces e kryejmë njëlloj edhe në raport me të tjerët, me pothuaj gjithë shoqërinë njerëzore. Përpiqemi të gjejmë pika takimi, dhe të gjithë këtë e bëjmë pikërisht për të kuptuar e justifikuar këto ndryshime. Ndoshta në historinë e njerëzimit mund të jetë hera e parë që njerëzit nuk kanë më maskë, sepse i gjithë kompleksiteti i ekzistencës sonë është thjeshtuar maksimalisht në një korelacion: Jeta/Vdekja – e ne përballë. Poo… artistët do përforcojnë sipas përjetimeve të tyre, e jeta do të vazhdojë… ndoshta me koncepte të reja. Padyshim që po vihen në peshojë këto vlera. Tani njerëzit vetëm ndjejnë e konstatojnë, por kur e gjithë kjo të mbarojë, të gjithë ne do të nxjerrim përfundime për atë se si duhet të mendojmë e arsyetojmë e të pranojmë Të Mirën e Të Keqen. Cila është vlera e Dashurisë, çfarë është Dashuri në të vërtetë, sa e kemi brenda vetes dhe sa jemi te gatshëm ta transmetojmë tek të tjerët. Në këtë rast, sipas perceptimit tim, është herët për të folur për letërsi. Sigurisht që shkrimet nuk mungojnë, sikur nuk mungojnë as pretendimet e letërsive “të mëdha”, por koha ka treguar se çdo ngjarje, e aq më tepër një ngjarje sikur kjo e këtyre përmasave universale, kërkon kohën e vet të përpunohet thellësisht nga mekanizmat e krijimit e frymëzimit.

-A mund të kthehet në vlerë qëndrimi si i ngujuar nga frika e një virusi?

Po, mendjen dhe idetë, atje ku ka, nuk i ndal asgjë. Edhe vetë frika mund të kthehet në vlerë studimore e artistike.

-Kush është primare në ditë të tilla, leximi apo krijimtaria?

Do kisha dashur t’i kisha të dyja, por për shkak të angazhimit maksimal në punë, nuk kam asnjërën./Fjala