Ministri Çeku tregon pse Burbuqe Berisha ishte sot në Ministri, ku edhe ndërroi jetë

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e regjisores Burbuqe Berisha.

Përmes një postimi në Facebook, Hajrulla Çeku ka treguar se Berisha frymën e fundit e dha në Ministrinë e Kulturës.

“Lajm i trishtë. Burbuqe Berisha iku para kohe. La pas një krijimtari të pasur filmike e teatrore. Ishte personalitet i veçantë i kulturës. Frymën e fundit e dha në Ministrinë e Kulturës. Kishte ardhur për punët përgatitore të koncertit të Operës, po e bënte regjinë e koncertit. Ngushëllime familjes, komunitetit artistik dhe gjithë shoqërisë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Buqes”, ka shkruar ai.

——————————————————————————

LEXO EDHE: KUSH ISHTE BURBUQE BERISHA, REGJISORJA QË SOT NDËRROI JETË

Ish-drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Burbuqe Berisha, ka vdekur sot në vendin e saj të punës, në Ministrinë e Kulturës.

Në vendin e ngjarjes po qëndrojnë ekipet e nevojshme mjekësore dhe ekipi i Mjekësisë Ligjore.

Ndër personat e parë që shkroi për vdekjen e Berishës, ishte aktorja Shengyl Ismaili. E cila me anë të një postimi në profilin e saj në Facebook, shkroi “Pusho e qete Buqe, shpirti i bardhë”.

Në biografinë e Burbuqe Berishës shkruan se ajo studimet themelore dhe master i ka përfunduar në Fakultetin e Arteve. Dega Regji e Filmit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Prishtinë.

Ka krijuar një numër të konsiderueshëm të filmave me metrazh të shkurtër dhe të gjatë. Si dhe dokumentarë, seriale televizive, shfaqje teatrore dhe është fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter ndërkombëtar. Dhe ne vitin 2019 është fituese e Çmimit Kombëtar për Kinematografi.

Për një vit e gjysmë ka punuar si menaxhere në Kino ABC në Prishtinë. Për katër vite si producentë në Kosova-Film. Po ashtu për katër vite me radhë si drejtoreshë e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Dhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota” ne vitin 2017 kryetar e këshillit drejtues te TKK.

Në shumë festivale filmash ka qenë anëtare e jurive profesionale. Me karakter ndërkombëtar dhe është aktiviste e shumë kampanjave bamirëse.

Së fundmi ka qenë edhe prodekane në një kolegj privat.