Ministri i Kulturës në Itali, Gennaro Sangiuliano, është vënë sërish në qendër të polemikave për një gafë të bujshme të bërë gjatë fjalës së tij në eventin “Taobuk 2024 – identiteti italian, identiteti kulturor” në Taormina.
Sangiuliano deklaroi se Kristofor Kolombi “nuk hodhi hipotezën për zbulimin e një kontinenti të ri, por donte të arrinte në Indi duke ecur rreth tokës në bazë të teorive të Galileo Galileit”.
Gabimi historik ka të bëjë me kohën. Në fakt lundërtari gjenovez zbarkoi në Amerikë në vitin 1492, ndërsa babai i fizikës moderne lindi në 1564, 72 vjet pas arritjes historike. Galileo jetoi deri në vitin 1642, kështu që është e pamundur që Kolombi ta bazojë tezën e tij në teoritë e shkencëtarit italian.
Gafa ka ndodhur gjatë një bisede publike në Taormina me gazetarin Paolo Conti. Ministri i Kulturës, duke iu drejtuar të pranishmëve bëri deklaratën e pasaktë me besim të plotë. Ngjarja është pritur me sarkazëm në rrjetet sociale.
“Nuk është asgjë, ai thjesht nuk e përballon dot Amerikën”, shkroi një përdorues në Twitter. Kjo nuk është gafa e parë e ministrit kur bëhet fjalë për Amerikën. Më parë, ai kishte ngatërruar Times Square, një simbol ikonë i Nju Jorkut, duke ia atribuar gabimisht Londrës.
ObserverKult
Lexo edhe:
BORGES: KAM KRYER MË TË TMERRSHMIN E MËKATEVE, S’ISHA I LUMTUR…