Të martën është bërë edhe një hap konkret për edicionin e vitit 2022 të bienales evropiane të artit “Manifesta 14”, që do të mbahet në Prishtinë. Nëpërmjet një lidhjeje online, ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi, dhe drejtoresha e “Manifestas”, Hedwig Fijen, kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit, duke e garantuar buxhetin e vënë në dispozicion për organizimin në Prishtinë të një prej ngjarjeve më të mëdha evropiane të artit në Prishtinë. Ministria e Kulturës ka zotuar 400 mijë euro për sivjet, përderisa ky institucion në total do të investojë 1.4 milionë. Krejt kjo ngjarje Kosovës do t’i kushtojë 4.6 milionë euro.
“Qyteti i Prishtinës tashmë i ka përmbushur obligimet e veta ndaj ‘Manifesta 14’, që do të thotë se projekti mund të fillojë pas një vonese prej tre muajsh për shkak të pandemisë”, shkruhet në njoftimin e MKRS-së.
Ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka thënë se marrëveshja e “Manifestas” me Ministrinë e Kulturës parasheh së institucioni më i lartë kulturor në vend të participojë me 1.4 milionë euro.
“Për këtë fazë janë 400 mijë. Komuna dhe ‘Manifesta’ i sigurojnë pjesën tjetër. Ky është një lajm shumë i rëndësishëm për vendin”, ka thënë Dumoshi për KOHËN.
E zëvendësministri i Kulturës, Yll Rugova, ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Bienales sjell mbështetjen shtesë të nevojshme për këtë ngjarje të rëndësishme. “Me sot, ‘Manifesta’ fillon punën në Prishtinë”, ka thënë ai.
“Manifesta”, bienalja nomade evropiane, ka përzgjedhur kryeqytetin kosovar për edicionin e saj të 14-të. Përderisa në vitin 2018 është mbajtur në Palermo të Italisë, e këtë vit planifikohet të mbahet në Marseille të Francës, ngjarja që zë fill këtu e 26 vjet më parë, pas dy vjetësh do të jetë mysafire e Prishtinës.
Yll Rugova më 2018, asokohe drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, kishte aplikuar që Prishtina të jetë nikoqire e “Manifestas”. E në prill të vitit 2019 kishte lobuar që shteti ta përkrahë përzgjedhjen e Bienales që të mbahet në kryeqytetin e Kosovës. Shteti e kishte përkrahur idenë duke dhënë një garanci./koha